OpEd

Banorë të planetit Ross 128b

Derisa shqiptarët e Kosovës nuk po merren vesh ndërmjet vete për ta zgjidhur problemin e Serbisë, Serbia po rehabilitohet

KËTO DITË NË Beograd janë blerë (dhe besohet të jenë lexuar) libra. Natyrisht, ka qenë panairi i librit. Si dhe në çdo panair libri në rajon, ka më shumë se zakonisht njerëz të interesuar të duken afër librave. Dhe, e pritshme, librat që rëndom shiten më shumë janë ata që kanë të bëjnë me trilerët ose krimet misterioze. Nuk pritej të kishte ndonjë befasi në këtë aspekt as në panairin e Beogradit.

Interesimin më të madh aty e zgjoi një libër i zhanrit triler që flet për krimet. Sidoqoftë, kësaj radhe krimet nuk ishin misterioze.

E as autorët e librit.

Autorët e librave janë dy gjeneralë. Nebojsha Pavkoviq dhe Vladimir Lazareviq.

I pari i dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burgim, i dyti po nga Tribunali me 14 vjet.

Edhe viktimat nuk janë misterioze. Janë shqiptarë të Kosovës, pjesa më e madhe e tyre civilë.

E, siç u tha, as përmbajtja e librave të tyre s’mund të jetë misterioze – është regjistruar në procesverbalet e Tribunalit të Hagës.

Botues krenar i këtyre librave është Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Serbia është anëtar i OKB-së dhe synon të bëhet anëtar i BE-së.

Gjeneralët e tyre janë shpallur fajtorë nga Tribunali i OKB-së për krime lufte në Hagë.

Gjeneralët e tyre kanë luftuar, në Kosovë, edhe kundër NATO-s, që i bie edhe kundër shumë shteteve të BE-së.

Qeveria e Serbisë sot i boton kujtimet e tyre nga lufta. I promovon me pompë në panair.

Të gjeneralëve që janë shpallur fajtorë me vendim të plotfuqishëm nga një tribunal ndërkombëtar për krime lufte. Të gjeneralëve që kanë vrarë fëmijë. Që kanë luftuar aleancën ushtarake perëndimore.

INTERMEXO 1: PROKURORI i specializuar, Jack Smith, qëndroi këtë javë në Prishtinë. Kërkoi nga institucionet që të përmbushin obligimet ndaj Gjykatës Speciale. Në Gjykatën Speciale do të gjykohen (vetëm) shqiptarët.

VETËM TË MOS harrojmë se Serbia ende nuk na ka njohur. Vetëm të mos e humbim nga fokusi se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë.

Të mos harrojmë që janë bërë rreth 20 vjet që nga krimet që aparati shtetëror serb ka kryer në Kosovë. Janë bërë rreth 30 vjet qysh se Serbia ia ka suprimuar Kosovës autonominë.

Këtë javë në Kuvend të Kosovës sërish përfaqësuesit e qytetarëve të Republikës u ballafaquan ashpër me njëri-tjetrin se si t’ia bëjnë për ta zgjidhur problemin me Serbinë.

Natyrisht, nuk u pajtuan.

E rrugët janë bukur të thjeshta.

Ose do të hartohet një platformë për bisedimet me Serbinë, e cila do të votohet me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës, dhe me të të marrë përgjegjësinë e bisedimeve një Ekip gjithëpërfshirës negociator.

Ose do të votohet një platformë e përbashkët, do të formohet një Ekip negociator nga disa subjekte politike, kurse disa subjekte të tjera politike do të qëndrojnë jashtë këtij ekipi, në mënyrë që edhe të mos shikohet me sy kritik puna e tyre.

Ose dakordohet data e zgjedhjeve dhe pas tyre Kuvendi i ri e voton një platformë të përbashkët, e voton një Ekip negociator, duke pasur të dyja opsionet e lartpërmendura, ose të jetë gjithëpërfshirës, ose me opozitë.

Problemin me Serbinë nuk do ta zgjidhin banorët e supozuar të planetit të sapozbuluar Ross 128b.

E i njëjti problem mund të shtyhet edhe 20 ose 30 vjet të tjerë.

INTERMEXO 2: Liberia është shteti i pestë, i cili e ka tërhequr njohjen e Kosovës, tha ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq. Shumë shpejt numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën do të bjerë nën 100, shtoi ai.

KEMI KOHË! Kur kemi kohë nuk na ngutet. Kur nuk na ngutet s’janë problem as 20, as 30 vjet, por as 50 e as 60 vjet.

Ka kohë...

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk