OpEd

Ndërkohë bota vazhdon të sillet jo vetëm rreth boshtit të vet

Mbi Kosovën e grushteve dhe pjesën tjetër të planetit.

1.

Kosova për gazetarë është njëfarë parajse. Çdo ditë së paku dy skandale, tri afera, katër keqpërdorime dhe së paku nja dhjetë poshtërsi të tjera, kryesisht nga politikanët e pushtetit. Mjafton të risjellim në vëmendjen e lexueseve dhe lexuesve ngjarjet e ditëve të fundit: vëllai i presidentit grushton dy partnerë biznesi, i ashtuquajturi ministër i Jashtëm akuzohet se ka emëruar jashtëligjshëm disa zyrtarë konsullorë, ndërkohë që emërimi i një «konsulli të nderit» në Zvicër përshkruhet si tallje me këtë shtet, një zëvendësministër arrestohet nën dyshimin se ka kërkuar ryshfet, një vartës i kryeministrit shfaqet në televizion dhe thotë krejt paturpshëm: mirë që dështimi i një pritjeje në New York na ka kushtuar vetëm 20 mijë dollarë, sepse hesapi ka mundur të dalë edhe më i pafavorshëm. Kjo është gjuha e pushtetit: ka qenë rrezik t’i djegim 50 mijë dollarë, kështu që djegia e 20 mijë dollarëve hahet disi.

2.

Ndërkohë bota vazhdon të sillet jo vetëm rreth boshtit të vet. Në vitin 2019, në korrik, pritet që për herë të parë një tren të udhëtojë nga Daresalami i Tanzanisë në Lobito të Angolës - pra, nga Afrika Lindore në Afrikën Perëndimore. 4300 kilometra për 15 ditë. Në këtë pjesë të kontinentit afrikan vijat hekurudhore janë ndërtuar në vitet 20-të të shekullit të kaluar, por ndërkohë ato i ka mbuluar bari. Atëbotë hekurudhat ndërtoheshin nga shtetet kolonialiste perëndimore dhe kishin një qëllim: plaçkitjen e Afrikës. Kontinenti ende vazhdon të eksploatohet nga kompanitë perëndimore, por hapja e hekurudhës ngjall shpresë edhe për zhvillimin e turizmit. Udhëtimi me tren nga Tanzania në Angolë pritet të kushtojë 11’250 euro. Gazeta «Süddeutsche Zeitung» njofton se tashmë janë shitur të gjitha vendet për udhëtimin e parë. Treni do të jetë i pajisur me banjë individuale dhe me vagon-restorant. 15 ditë aventurë afrikane. Ndërkohë - duhet përsëritur - Kosova merret me grushtet e kusarëve.

3.

Javën që shkoi Republika Popullore e Kinës njoftoi se është inauguruar ura më e gjatë mbi det në botë. Gjatësia: 55 kilometra, kostoja: 15 miliardë euro, kohëzgjatja e punimeve: 9 vjet. Kinezët numërojnë në mënyrë kreative në betejën e tyre për realizimin e projekteve gjigante. Ura mbi det është në të vërtetë 36 kilometra, një tunel nën ujë është shtatë kilometra, plus dy ishuj artificialë. Të gjitha këto së bashku bëjnë 55 kilometra. Me këtë urë Kina krijon lidhje tokësore me Hong-Kongun dhe Makaon, dy zona nën administrim të veçantë. 21 vjet pasi Britania e Madhe ia ktheu Hong-Kongun Kinës, Pekini krijon një lidhje tokësore me këtë zonë; 19 vjet pasi Kina mori nën kontroll ish-koloninë portugeze Makao, edhe me këtë pjesë krijohet një lidhje tokësore. Ndërkohë - duhet përsëritur - Kosova merret me njërin nga 80 zëvendësministrat që dyshohet se ka kërkuar apo marrë ryshfet. A thua, çfarë bëjnë 79 apo 80 shokët (homologët!) e zëvendësministrit?

4.

Ndërsa Kosova numëron zëvendësministrat dhe ministrat nën akuzë, bota vazhdon të vendosë rekorde të reja. Pasagjerët tani mund të fluturojnë me “Singapore Airlines” nga Singapori në New York. Ky është fluturimi më i gjatë në botë - 18 orë e gjysmë. Një fluturim të tillë “Singapore Airlines” e kishte në program mes viteve 2004-2014, por për shkak të avionëve me 4 motorë udhëtimi nuk ia vlente financiarisht. Ndërkohë bota ka ecur përpara, me avionët e rinj A350, me dy motorë dhe me 165 mijë litra kerozinë, New Yorku arrihet me më pak shpenzime. Bileta për një pasagjer kushton 1800 euro. Me vijën e re kompania e Singaporit e lë pas “Qatar Airways”, i cili për 17 orë e 20 minuta fluturon nga Aucklandi në Doha. Për 17 orë kompania “Qantas” fluturon nga Londra në Perth, kryeqyteti i Western Australia.

5.

Ndërkohë Kosova nuk merret vetëm me grushtet e një cubi dhe cubave të tjerë. Duhet të merret edhe me premtimet gati dhjetëvjeçare për liberalizimin e vizave – sivjet, mot, vjet, sivjet, parvjet. Një kakofoni idiotike e një kaste politikanësh të paaftë për të kryer një punë të denjë dhe të aftë për të vjedhur e ndukur kudo ku u vjen rasti, të aftë për të shtënë me armë jo vetëm në ajër, të aftë të çirren në emisione televizive me premtime boshe dhe të përhapin rrenat e tyre pa iu dridhur syri. Kjo lloj aftësie duhet të marrë fund para se ky vend të fundoset. «Dëshira që vendi të lulëzojë», shkruante Faik Konica, «të bën pak nga pak të ëndërrosh se lulëzon, dhe largimi i gjatë të këllet ca më thellë në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s’ka trup dhe s’ndodhet gjëkundi veçse në tru të ëndërronjësit. Po le të marrë fund gjumi dhe menjëherë e sheh veten të rrethuar me gjëra të shëmtuara. Të do zemra të futesh përsëri në gjumë e të kthehesh në botën e lulëzuar nga e cila sapo dole; po më kot! Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet».