OpEd

Ui ar not probllematic gajs, ui are Kosova familli!

Në takimet në Bruksel ku shkuan 6 EU-nukët e Kosovës si përfaqësues të shtetit tonë, presidenti Thaçi ju bënte sajgi 5 EU-nukëve të tjerë duke iu drejtuar ashtu si jo jabangji, si dikush që në BrukseLL d.m.th shkon shpesh dhe është mik shtëpie aty. “Hajde bac, hajde bac, ui ar not probllematik gajs, ui ar Kosova familli”.

Si duket në përkthim i bie që na nuk jemi problematikët, por janë familja jonë në Kosovë!

E premte, 19.10.2018

Në veturën e babait të tij, shefit të AKI-së i nxihet i biri në posedim të substancave narkotike dhe armëmbajtje pa leje

Se çdo të na hajë dreqi me këta fëmijët e politikanëve dhe njerëzve në pozitat kyç të institucioneve të Kosovës. Jo nuk dëshiroj që prindin ta vër në kryq për shkak të fëmijës e as anasjelltas, por dukuria këtu është pak më e thellë dhe pak më e komplikuar se vetëm kaq.

Është krijuar një shtet ku për dikë sistemi ligjor është nënë e për dikë është njerkë (edhe pse analogjia nuk është aq e qëndrueshme), sepse prej gojëdhënave dhe traditave që njerkat janë të këqija edhe ato kanë evoluar së bashku me shoqërinë njerëzore, ndoshta dashurinë e nënës nuk mund ta zëvendësojnë, por respektin dhe kujdesin njerëzor mund ta ofrojnë. Kthehemi te ligji. Që ka thënë dr. Lladrovci kolegu im i lartëçmuar “ligji është si llastiku”. Për këta familjarët e politikanëve dhe njerëzve në pozita kyç, ata me ligj po munden me lujtë Ema-Esse-Sa me të gjitha nëndegët e saja “maqkice”, “kockice”, “makazice” etj.

Fëmijët tanë duke dashur të eksplorojnë me botën dhe me jetën e tyre është e natyrshme se edhe mund të bëjnë gabime edhe të devijojnë, dhe detyra jonë aty si prind është që ata t’i edukojmë, këshillojmë, korrigjojmë (jo si Hashimi), për t’i tejkaluar sfidat e adoleshencës dhe rebelimit. Të gjithë ishim të ri njëherë apo jo?

Nuk e shoh unë problemin pse ka gabuar i biri i Shpend Maxhunit, unë problemin e shoh në atë se pse ai problem është tentuar që të mbulohet dhe të shukatet nga pozitat e autoritetit dhe funksionit, të cilin babai i tij e mban në AKI.

Në historinë tonë jo të largët ne ishim dëshmitarë se si rinia jonë rrihej rrugëve të kryeqytetit me vendime politike. Ishim dëshmitarë edhe të asaj se një i ri vdiq në burg në rrethana së paku për mua ende misterioze, ndërsa një makinë e policisë dhe pushtetit u ngut që atë ta karakterizonte vetëvrasje, ndërsa mungonin shumë prova dhe shumë gjëra të tjera. Cimeri i tij në burg, gjithashtu, vdiq.

Ishim dëshmitarë edhe të tërheqjes së deputetëve zvarrë për një akt të cilin ata e kishin kryer përbrenda Kuvendit, duke hedhur gaz lotsjellës (nuk e arsyetoj veprimin e tyre), mirëpo mendoj se qasja e sistemit policor dhe e pushtetit ka qenë ajo qasja e atyre njerkave të këqija nga gojëdhënat, përrallat apo ndoshta edhe nga jeta e përditshme.

Duke qenë diplomat nuk kam prirje për konspiracione, mirëpo edhe qasja jotransparente nuk i bën nder asnjërit institucion e aq më pak shtetit të ri, të cilin jemi duke e ndërtuar. Me të gjitha historitë me fëmijët e pushtetarëve, fëmijët e Adem Grabovcit, fëmijët e guvernatorit të dikurshëm të Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, djali i Shpend Maxhunit e me siguri edhe shumë raste të fëmijëve të tjerë të pushtetarëve që edhe kanë arritur të përvidhen nga ligji dhe bota e mediave e ne duke mos e kuptuar kurrë.

Nuk duhet harruar të cek që diplomacia nuk më lejon që të jem naiv në kuptimin dhe leximin e situatës së plotë, e cila po ndodh. Në rastin e fundit me djalin e Shpend Maxhunit ne indirekt mund t’i vërejmë dy rryma në kuadër të Policisë së Kosovës. Njëra që do të procedonte me rastin dhe rryma tjetër, e cila do të dëshironte që rastin sikur edhe shumë të tjera të ngjashme ta fuste nën tepih. Po ai tepih është ai. Nuk mbulohet elefanti me tepih midis dhomës dhe të pretendohet si ai nuk gjendet aty fare.

Në luftën e këtyre rrymave unë shoh rrymën e Kadri Veselit, rrymë e tensionit të ulët dhe rrymën e Hashim Thaçit, rrymë e tensionit të lartë. I pari mundohet që gradualisht njerëzit e dëgjueshëm të Hashimit t’i izolojë dhe t’i zëvendësojë me përçues së rrymës së tij. Elektricistët e diplomuar e dinë se për çka e kam fjalën.

Mund të vij në një konkludim diplomatik se sjellja e “ligjit” dhe e pushtetit ndaj fëmijëve të privilegjuar është duke kontribuar me të madhe në ndërtimin e një shteti monstrum, të gërditshëm dhe pa asnjë perspektivë për rininë dhe qe besa asnjë gjallesë në këto troje.

E martë, 23.10.2018

Labinot Tahiri & grupi “Ferizaj, Kosovë e Shqipërisë”

Nuk po e kuptoj pse në kabllograme unë po merrem me melodramat e Labinot Tahirit, deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Ky nuk ishte titulli nga posteri i afishuar i ndonjë mbrëmjeje gazmore në ndonjërën nga diskotekat e Evropës apo Kosovës, ky është realiteti të cilin këngëtari është duke e krijuar me hapa të ngadalshëm, por të sigurt përbrenda Qeverisë së Kosovës. Së fundi kitaristi nga grupi i tij qenka emëruar këshilltar politik (kot) i ministrit të sapoemëruar nga Ferizaj doktorit për Punët e Brendshme të organeve kancerogjene të Kosovës.

Asdren diplomati është dashur me u aktivizu në politikë aktive me kohë e jo me e marrë rrugën e diplomacisë. E paramendoj tash mund të isha ndoshta kryeministër i Qeverisë. Në kuadër të asaj Qeverie, BB Poqin do ta kisha emëruar ministër të Ekonomisë. Qy, mos e gjykoni ju djalin pse e ka zanin e shtjerrtë e këndon rock muzikë, ai ka master të kryer në menaxhment. Në pozitën e ministrit për Infrastrukturë do të emëroja me të njohshëm Hektor Gjurgjealën. As këtë mos e gjykoni pse është rock këngëtar dhe shkruan tekste të bukura dhe melankolike, ai është arkitekt i diplomuar me dekada të tëra. Zëdhënës të Qeverisë pa mëdyshje do ta emëroja Fahri Ibrahimin (Falin) i plotëson të gjitha kriteret për atë pozitë. Ministër të Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjithsesi Agron Shalën, një erudit dhe enciklopedi në dy këmbë, i cili atë pozitë do ta mbulonte si nuk bën më mirë. Gradualisht Qeveria ime po plotësohet. Unë nuk besoj në kuota gjinore, por mendoj që është më se e domosdoshme që gruaja ta marrë rolin e saj në bartjen e përgjegjësive të barabarta të bërjes së shtetit tonë. Ministre të Integrimeve Evropiane do të emëroja Majlinda Kelmendin. Ajo veçse e ka dëshmuar veten në këtë lëmi apo jo? E ka ngritur flamurin e Kosovës atje ku pushtetarët tanë s’do të arrijnë edhe ku me ditë sa e sa vite të tjera. Edhe po qese dikush nuk do t’i kryente detyrat e veta që do t’ia parashtronte ministrja rezultatin po e dini IPPON në kokërr të shpinës.

Ministre të Punëve të Jashtme do ta emëroja Besa Luzhën, ajo komunikon me aq elokuencë me të gjithë të huajt në Kosovë, nuk e shoh problem se të njëjtin rezultat do ta bënte edhe jashtë Kosovës. Ministre të Planifikimit Hapësinor Eliza Hoxhën pa asnjë mëdyshje. Arkitekte, këngëtare, artiste e kompletuar e edhe qytetare shumë aktive.

Një gjë mund t’ju premtoj që në qeverinë time s’kanë vend servilët ndaj shefit, mirëpo vetëm “servilët” ndaj përgjegjësive të tyre dhe profesionalizmit të tyre në kryerjen e detyrave dhe obligimeve nga përshkrimi i vendit të punës.

Edhe një gjë tjetër e mirë që qeveri Rock & Roll bre :) …

T’i kthehemi realitetit, 20 euron time të mbështjellë me salvetë me mbishkrimin vetëm për ambasadorin e Facebookut dhe dostat e tij Labi dhe kitaristi i tij (derisa nuk kompletohet grupi) ta këndojnë këngën “Vijnë vaporat moj nane” …

E mërkurë, 24.10.2018

Vëllai i presidentit Thaçi sulmon fizikisht drejtorin e Byrosë së Sigurimeve

Kabllogramet diplomatike këtë javë i kam përplot dhunë, edhe implikime në krim të familjarëve të pushtetarëve. Ja tani sapo doli edhe një në sipërfaqe. Është Ganiu vetvetiu, vëllai i presidentit. Sot e paska grushtuar gjatë një mbledhjeje drejtorin e Byrosë së Sigurimeve. Shpresoj që drejtori të ketë sigurim për vete që do të mbulonin edhe lëndimet trupore. Si duket kjo aftësia për korrigjime qenka në gjene familjare. Edhe Ganiu si duket ka dashtë vetëm me ia korrigju pamjen fizike drejtorit të Byrosë së Sigurimeve dhe kështu bile edhe ta kursejë prej shpenzimeve për botokse edhe intervenime të tjera kozmetike të kirurgjisë plastike/estetike.

Presidenti Thaçi të ngutet dhe ta japë një medalje presidenciale qaty sa ora për vëllanë e vet. Mbes me shpresën që kushdo që e ka bërë porosinë e atyre medaljeve e ka bërë në numër të mjaftueshëm, sepse me tempin qysh po shkon presidenti, ai po shkepë më shumë medalje presidenciale se Meqa porcione të qebapave.

Në takimet në Bruksel ku shkuan 6 EU-nukët e Kosovës si përfaqësues të shtetit tonë, presidenti Thaçi ju bënte sajgi 5 EU-nukëve të tjerë, duke iu drejtuar ashtu si jo jabangji, si dikush që në BrukseLL d.m.th shkon shpesh dhe është mik shtëpie aty. “Hajde bac, hajde bac, ui ar not probllematik gajs, ui ar Kosova familli”.

Si duket në përkthim i bie që na nuk jemi problematikët, por janë familjarët tanë në Kosovë!