OpEd

Ta shkatërrosh qytetin e ri

Asnjë qeverisje e deritashme nuk pati kurajën të hartojë një plan për zhvendosjen e qytetit jashtë perimetrit aktual, duke ndërtuar bërthamën për një Ferizaj të ri, të organizuar, ku do të vinin në pah rendi dhe rregulli, për dallim prej gjendjes aktuale ku mbretërojnë kaosi dhe shthurja. Ndërtimet e viteve të fundit në qytet kanë përfillur jo parametrat urbanë, porse ata biznesorë të ndërtuesve, dhe natyrisht të relacioneve të tyre me lejelëshuesit e Komunës

Si qyteti më i ri në Kosovë, Ferizaj vazhdon të kalojë nëpër fazën më të ndjeshme- të definimit të identitetit të tij. Diçka më shumë se një fshat i madh dhe më pak sesa qytet, është përkufizimi publik që i bëhet Ferizajt.

Një kullë pa sahat e ndërtuar përbri Kishës Ortodokse dhe Xhamisë së Madhe mbase mbetet përpjekja më qesharake për t`ia dhënë identitetin e qytetit më të vjetër se që është. Si e tillë, ajo sot e kësaj dite ka mbetur pa u funksionalizuar dhe një ndërtim tërësisht ilegal që s`po ka pushtet ta rrënojë.

Ferizaj mbetet peng i situatave të dyfishta. Një emërtim në shqip dhe një në serbisht për Ferizajn e mbajnë gjithë kohën gjallë debatin për identitetin apo përkatësinë e qytetit. Hekurudha e ndan në dysh qytetin, kurse dy degët e lumit që e krijojnë fenomenin e bifurkacionit në lumin Neredime janë vetëm simbolikë. Së fundi, vendbanim që shtrihet ndërmjet dy autostradave nga të cilat më shumë ka dëm se dobi.

Rrënjët e monumentit të trerremëshit, i fundit i mbetur në qytet nga koha e komunizmit, janë shkulur ditë më parë. Shtatore dhe memorialë të pasluftës në pothuajse çdo kilometër, dita-ditës po e shndërrojnë qytetin në hero.

Pati të drejtë shkrimtari Ismail Kadare, kur gjatë vizitës së ditëve më parë Ferizajn e quajti qytezë, për t`u hamendësuar më pas nëse vërtet ai është i tillë apo diç më shumë!

Një projekt i kohës së komunizmit i zbuluar pas luftës nga AKM-ja flet për një Ferizaj të ri, të shtrirë nga Pylli i Lirisë, me 15 mijë banorë, me shkollë, shërbime shëndetësore dhe stacion policie. Por askush nga klasa politike e pasluftës s`u mor me të. Përkundrazi, trotuari publik në disa pjesë të Ferizajt është shndërruar në parking veturash të ndërtesave të reja.

Gjithçka e lidhur me identitetin!

***

Me afro 150 vjet ekzistence, Ferizaj vazhdon të mbetet një organizim miks njerëzish të ardhur gjithandej Kosovës, siç vazhdon të mbetet një përzierje kulturash e traditash.

Janë fare pak familje që pretendojnë të jenë ferizajas, teksa asnjë nga to dhe të tjera nuk insistojnë shumë në elementin e trashëgimisë, duke e bërë Ferizajn strehë të pëlqyeshme për këdo që planifikon të jetojë aty. Pra, qytet ku pothuajse nuk ekziston kufiri ndërmjet vendëse dhe të ardhurve. Një gjendje e tillë është reflektuar edhe në situatën e gjithëmbarshme në qytet. I identifikuar me hekurudhën në mes dhe me bifurkacionin, Ferizaj ende kërkon identitetin e vet.

Më i vjetër se vetë qyteti është një mulli afër bifurkacionit, i cili në tërësinë e ndërtimeve të tjera në qytet do të mbetej i pavërejtshëm po të mos vendosej nën mbrojtjen e shtetit.

Ndërtesa të tjera të bëra në njëfarë organizimi kaotik i japin qytetit pamjen e dezorganizuar, ku asgjë nuk është në vendin e vet.

Përjashto periudhën e paraluftës, ku faji i adresohet ish-regjimit që Ferizaj ka mbetur gjysmagjel, as në periudhën e qeverisjes së pasluftës nuk është bërë ndonjë përpjekje serioze që ky qytet të marrë formë organizimi.

Të frikësuar nga ndryshimi, Ferizaj ka mbetur po aty ku ishte edhe para 50 vjetësh. I koncentruar në tri rrugë kryesore, hapjen e vetme që e ka bërë janë disa rrethrrotullime në disa pjesë të tij, të cilat, megjithatë, nuk e kanë ndryshuar përmbajtësisht qytetin. Ai vazhdon të bëjë jetën në një qark të mbyllur, i cili për më tepër nuk arrin të prodhojë as ide për perspektivën e këtij vendbanimi.

***

Asnjë qeverisje e deritashme nuk pati kurajën të hartojë një plan për zhvendosjen e qytetit jashtë perimetrit aktual, duke ndërtuar bërthamën për një Ferizaj të ri, të organizuar, ku do të vinin në pah rendi dhe rregulli, për dallim prej gjendjes aktuale ku mbretërojnë kaosi dhe shthurja.

Ndërtimet e viteve të fundit në qytet kanë përfillur jo parametrat urbanë, porse ata biznesorë të ndërtuesve, dhe natyrisht të relacioneve të tyre me lejelëshuesit e Komunës. Kjo traditë po vazhdon. Ferizaj po bëhet qytet me ndërtime shumëkatëshe sporadike, të cilat vetëm sa po e rrisin me shpejtësi pamundësinë e të jetuarit në këtë vend.

Përpjekjet që plani zhvillimor komunal të diskutohet në publik dhe të miratohet me shpejtësi tregojnë se qyteti nuk është nën fokusin e politikanëve të ndërgjegjshëm, por të politikanëve ndërtues, të cilët qytetin e konceptojnë nëpërmjet betonit, porse jo nga aspekti estetik dhe arkitektonik, ku është e mundshme të jetohet pa presion të ndërtimeve dosido.

Çuditërisht, në këtë pikë të zgjedhurit nuk kanë dallim në përkatësinë politike. U japin para projekteve që nuk vendosin rend urban, por krijojnë pasoja afatgjata hapësinore, të cilat zor se mund të korrigjohen, pos me ndonjë katastrofë natyrore. Problemet me të cilat përballet Ferizaj nuk janë specifike prej komunave të tjera. Por duke qenë qytet që nuk ka infrastrukturë të vjetër të trashëguar nga kohë më të hershme, planifikimi për të do të duhej të zhvillohej në linjë tjetër. Pra, të projektohet një qytet me standarde, duke konservuar pjesën e vjetër, e cila nuk është se zë ndonjë hapësirë të madhe. Në këtë mënyrë do të bëhej dallimi. Qyteti më i ri me organizim të ri, ngase, siç po ndodh aktualisht, në Ferizaj po prishen shtëpi banimi e po bëhen ndërtesa, porse nuk po ndodh bërja e qytetit të organizuar.

***

Në një qytet ku jeta publike koncentrohet në dy rrugë, natyrisht që edhe hapësira për prodhimin e ideve dhe kreativitetit është minore. I vetmi opsion mbetet hapja e qytetit, duke e zhvendosur atë në një pjesë tjetër dhe duke hequr dorë nga prirjet egoiste të politikanëve që për interesa meskine, të çastit, ta mbysin një qytet edhe ashtu në pikëpyetje. Ferizajt i duhet klasë politike e përgjegjshme, e cila di të rezonojë për hapësirën urbane, të ardhmen e qytetit dhe për projektim të tij. Njerëz që e bëjnë Ferizajn ta krijojë një identitet, i cili shkon përtej binomit hekurudhë-bifurkacion. Kjo mundësi ekziston. Beteja nuk është as e lehtë e as e shkurtër, por ajo duhet të fillojë me çdo kusht për ta dizajnuar qytetin në frymën e përkatësisë, ku banorët pavarësisht se vijnë nga gjithë Kosova e përjetojnë qytetin e ri si të vetin.

Një qytet ku në sheshin qendror të tij nuk shiten rripa, orë, parfume, CD dhe ku gjithë ditën lëshohet muzikë tallava, por aty ku njerëzia dalin me bindjen se janë në korzo, e jo në pazar plaçkash.

Me të drejtë arkitekti kosovar Bashkim Fehmiu përpara se të ikte nga kjo botë, gjatë një vizite në Ferizaj, u shpreh:”Ky qytet është i sëmurë”!

Ndaj, politikanë e ndërtues mos e bëni qytetin me akronimin FER të shndërrohet në ferr!

bekim.kupina@kohaditore.com