OpEd

Kjo parti i fiton zgjedhjet

Që nga paslufta e deri tash ka qenë e thjeshtë, dy subjekte, PDK dhe LDK, marrin 22 e më shumë për qind të votave dhe krejt të tjerat nën 14 për qind. Gjasat janë të mëdha që tash dallimi ndërmjet të katër listave zgjedhore të jetë me rezultat prej 15 e deri në 21-22 për qind

KJO PARTI i fiton zgjedhjet. Tashmë kanë filluar, por do të shpeshtohen edhe tutje titujt e këtillë sa më afër të besohet që do të jenë zgjedhjet e përgjithshme. E duke e pasur parasysh se me kalendarin e rregullt kemi zgjedhje lokale në vjeshtë, pavarësisht zgjedhjeve parlamentare, duket se krejt subjektet politike janë futur në atmosferë fushate.

Shpeshtimi i publikimit të “sondazheve kredibile”, si dhe beteja për të ndikuar në media, duket se do ta bëjë veçanërisht të vështirë kësaj radhe për votuesin e rëndomtë kosovar që ta dallojë lajmin nga lajmi i rremë.

Krahas kësaj, ajo çka mund të pritet në vazhdim, do të jenë hapat politikë, qoftë nga pushteti ashtu edhe nga opozita, gjithnjë me kalkulimin se si do t’i reflektojë kjo në rezultat zgjedhor.

Kjo i bie që në nivel qendror mund të bjerë serioziteti i punës, gjë që shihet edhe me këto seancat “për gjynah” të Kuvendit të Kosovës, kurse nëpër komuna do të shihen përnjëherë hapje të punishteve më tepër se në secilin vit të mëhershëm të mandatit.

Sidoqoftë, kur të përmblidhen të gjitha ato që kanë ndodhur gjatë 3 vjetëve të fundit dhe të kontekstualizohen me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në 3-4 muajt e ardhshëm, mund të parashikohet se për herë të parë së paku katër lista zgjedhore mund të jenë të përafërta me numrin e votave të fituara.

Që nga paslufta e deri tash ka qenë e thjeshtë, dy subjekte, PDK dhe LDK, marrin 22 e më shumë për qind të votave dhe krejt të tjerat nën 14 për qind. Gjasat janë të mëdha që tash dallimi ndërmjet të katër listave të mos jetë më shumë se 6-7 për qind, nga e para deri te e fundit. Ose ndryshe, katër lista zgjedhore të jenë me rezultat mes 15 e 21-22 për qind.

PDK-JA DO TA KETË tepër të vështirë ta ruajë bazën e saj të deritashme votuese. Vetë ndërrimi në krye të partisë për herë të parë pas 17 vjetësh do të sjellë pashmangshëm një tkurrje. Edhe në zgjedhjet e fundit u pa se Kadri Veseli si kandidat për deputet kishte marrë më pak se një të tretën e votave të Hashim Thaçit.

Për më tepër, PDK-ja më nuk mund të llogarisë edhe në figurat e fuqishme të terrenit, siç janë (ish-)kryetarët e komunave të Skënderajt, Kaçanikut, Klinës dhe Prizrenit - të cilët gjithmonë kanë vlejtur si figura që kanë mbledhur vota për partinë - si dhe që të ketë koalicion me të gjitha partitë “e vogla”. “Fillimi i ri” i prezantuar si parafushatë e Veselit vështirë ta bindë dikë, meqë PDK-ja ka qenë me rolin më të rëndësishëm në qeverisje në Kosovë për 15 vjet.

LDK-ja, duke qenë për herë të parë si udhëheqëse e qeverisë, me Isa Mustafën si kryeministër, ndonëse ka treguar seriozitet në politikat ekonomike dhe vendosjen e disa vijave të kuqe në këtë fushë, ka dështuar ta promovojë punën te masa. Keqmenaxhimi në temat më të përfolura si ato të demarkacionit dhe asociacionit, ka kthyer disa njerëz kundër kësaj partie. Gjithashtu, duke qenë e sulmuar nga shumë fronte – përveç opozitarizmit partiak më të ashpër të parë ndonjëherë, por edhe nga “deputetët e rebeluar” brenda partisë dhe nga partneri i koalicionit – e ka vështirë ta përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, prej 25 përqindësh.

Lëvizja Vetëvendosje pritet të jetë kapitalizuese e pezmit të mbledhur qytetar, si partia më e zëshme opozitare. Edhe pse vazhdon të vuajë nga disa struktura brenda subjektit, të cilat te qytetarët shpesh kanë sjellë habi se kush është LVV-ja me të vërtetë (FER-istët dhe të sapoardhurit që u votuan shumë në zgjedhjet e fundit, bërthama e hershme e partisë e identifikuar me Kurtin dhe Molliqajn, apo “përforcimet nga Shqipëria” që jashtë partisë njihen më tepër për deklarimet ofenduese sesa për tjetër), partisë së udhëhequr zyrtarisht nga Ymeri i shkon për shtati të qenit e vetmja e mossprovuar në pushtet qendror.

Teksa bashkimi i AAK-së me NISMA-n për Kosovën, dy subjekte që kanë dëshmuar për struktura të qëndrueshme votuesish, gjithashtu mund t’i çojë ato për herë të parë në mbi 15 për qind. Këtu natyrshëm do të ndihmojë edhe përkrahja dhe emocioni që ka krijuar momentumi i ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë me fletarrestim të Serbisë, kombinuar me opozitarizmin e theksuar. E nëse arrijnë që brenda koalicionit ta marrin edhe AKR-në e ringjallur të Pacollit, kjo do të mund të rriste tutje përkrahjen.

Pacolli, vetë me subjektin e tij politik, ka gjasa reale që kësaj radhe ta kalojë pragun zgjedhor dhe të gjejë basene votuesish te grupet të cilat kryesisht janë zhgënjyer me luftën e ashpër dhe shpesh joparimore që ka parë përgjatë kësaj legjislature Kuvendi.

Teksa Alternativa e Kusari-Lilës dhe Dedës, me fare pak aktivitet, në sondazhet e para ka arritur të dalë jo keq, që mund të jetë një sinjal se nëse do të rriten me ofertë dhe me aktivitet, do të mund të arrijnë sukses edhe vetë, por sidomos nëse bashkohen në ndonjë koalicion parazgjedhor.

SIDO QË TË JETË, subjektet politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mendojnë shumë më tepër se deri më tash se me kë duhet bërë koalicion parazgjedhor dhe paszgjedhor.

Situata e fundit paszgjedhore e ka dëshmuar se sa është e rëndësishme se me kë je rreshtuar para zgjedhjeve, mund të jetë edhe më e rëndësishme se me kë rreshtohesh pas tyre.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk