OpEd

Të jetosh në rrenë e hajni

Mbi të gjitha, Kosova është e varfër për mend dhe guxim për të ndryshuar e për t'u shndërruar në atë që është dashur që nga fundi i luftës: një vend normal, i udhëhequr nga njerëz të dijshëm ku populli e jeton një jetë të dinjitetshme

Dhe protesta u mbajt, dhe qe një nga mbase më të qetat që ka përjetuar ky qytet në shumë vitet e shkuara. Pati shumë njerëz -- nuk dëgjova vlerësimin e Policisë, porse me hamendje do të thosha nja 30 mijë njerëz, prej të cilëve, e besoj, jo pak, nuk ishin militantë partiakë.

Porosia që doli prej aty qe e qartë -- nuk duhet lejuar që një njeri ta mbajë peng Kosovën me tekat e veta dhe me kokëfortësinë, e cila nuk është insistim logjik për një çështje që shumica absolute ia kontestojnë.

Vlerësoj se dy mangësitë e mëdha të protestës ishin mosintonimi i himnit të Kosovës dhe mungesa e flamujve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se sa i shëmtuar mund të duket -- fundja qëllimi i protestës ishte mbrojtja e kësaj republike dhe po të atyre kufijve që janë të vizatuar në atë flamur. Prania e këtyre dy elementeve në protestë nuk do të na bënin më pak shqiptarë.

Frika luftohet me arrogancë

Sido që të jetë -- masa e mbledhur në Prishtinë përfundimisht e frikësoi Thaçin. Me gjithë pështjellimet që i bën për ta shmangur vëmendjen dhe për t'u përpjekur që ta minimizojë peshën e një proteste kaq masive, "pikniku" i tij në Ujman qe shenja më e qartë se nuk do të mundë ta duronte atë shpërfaqje pakënaqësie me gjithë atë që ai e paraqet në petkun e kryetarit të shtetit.

Shkuarja e paparalajmëruar, me angazhimin e një kameramani të një agjencie të lajmeve, një fotografi, të njësive të ROSU-s dhe nën përcjellje të shefave të Policisë, të AKI-së dhe dy ministrave, më shumë flet për një veprim të improvizuar sesa një vizitë normale në territorin e Kosovës.

E se kjo shëtitje do të mundë të ishte e koordinuar me Vuçiqin mbase e dëshmon fakti se ekipi i parë i gazetarëve që e priti atë në Ujman qe ai i Tanjugut, pra agjencisë serbe të lajmeve.

Krejt të tjerat që pasuan ishin pjesë e një shou medial, për ta tërhequr vëmendjen nga "njeriu që pati guximin ta shkelë Ujmanin, bile edhe me barkë". Moskoordinimi me KFOR-in na solli fluturimin e helikopterëve mbi Prishtinë pas shumë kohësh, deklarata tallëse piknikore dhe një shans për Vuçiqin për t'u dëshmuar baba modern i serbizmit.

Po të kishte pasur guximin të cilin thotë se e ka, as nuk kishte ikur në Ujman për ta siguruar një shans për t'u fotografuar e as nuk e kishte caktuar ligjëratën me FSK-në mu ditën e shtunë, kur dihej se do të mbahej protesta.

E protesta i tregoi se po qe se vazhdon me e shkelë Kushtetutën duke i rishfaqur secilën herë në format tjetër por të ngjashëm pretendimet e tij territoriale ndaj Serbisë, ajo do të fuqizohet dhe do të shndërrohet në një lëvizje shumë më serioze. Kjo për shkak se për herë të parë Thaçi ia ka dalë ta unifikojë popullin -- kundër pallavrave dhe veprimeve të tij.

Hidhërimi i Veselit

Reagimi i parë pas aventurës së piknikut në vendin që "veç Zoti ka ditë me e falë" erdhi nga PDK-ja dhe paralajmërimi, me gjasë impulsiv, i Abelard Tahirit. Sipas informatave të para, doli se kishte ofruar dorëheqjen nga posti i ministrit. U krijua një rrëmujë; u mbajtën ca mbledhje në PDK dhe në sipërfaqe doli Veseli, me njërën nga deklaratat më kundërthënëse në vetë përmbajtjen e saj: “E takova Abelard Tahirin. Është nga ministrat që ka bërë punë shumë të guximshme, e s’ka asnjë aferë korruptive. Vendimmarrja do të jetë e imja, e PDK-së dhe e asnjë individi”.

Pra, nuk vendos individi, porse vendos Veseli, i cili, sipas kësaj deklarate, del të jetë vetë PDK-ja, meqenëse nuk është individ. E arsyet se përse Tahiri do të mundë të ketë ofruar dorëheqjen është për t'i treguar Veselit se kush është, në të vërtetë, shefi; kurse mospranimi i dorëheqjes do të ketë qenë për shkak të një kërcënimi shumë të mundshëm se Qeveria mund të bjerë, vetëm nëse shefi do të urdhëronte.

Dhe në rrethanat kur Kuvendi nuk funksionon, ai që do t'ia shihte hairin rënies së Qeverisë dhe shpërndarjes së Kuvendit do të ishte Thaçi -- që të vazhdonte i papenguar me shkeljen e Kushtetutës.

Veseli po ruhet nga konfrontimi direkt me Thaçin për punën e kufijve, për shkak se nuk e ka të qartë, me gjasë, fuqinë që e ka brenda në PDK. Dje në Marinë, përderisa Haradinaj e kundërshtoi direkt Thaçin për këmbimin e territoreve, Veseli foli për ushtrinë që do të themelohet së shpejti. Një ushtri që nuk ka as buxhet për armë, dhe çka është më me rëndësi, as sigurinë se mund të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës.

Mustafa nga korneri

Pas refuzimit për të dalë në protestë, LDK-ja prononcohet kohë pas kohe nëpërmjet Isa Mustafës me postime në FB. Është fare e qartë që rrymimet brenda partisë nuk lejojnë zë të unifikuar për çështjen e negociatave dhe çështjen e kufijve, edhe në kushtet kur Mustafa përpiqet për të dëshmuar se e mban partinë nën kontroll.

Sido që të jetë, ka shumë kohë tashmë që flitet për mbajtjen e mocionit të votëbesimit ndaj kësaj qeverie, porse opozitës i duhen edhe katër vota joserbe për ta realizuar atë. Se a do t'ia dalin t'i sigurojnë, mbetet të shihet. Por një dallim nga herët e shkuara është njëfarë lloj afrimi ndërmjet VV-së dhe LDK-së për një partneritet eventual, pavarësisht dallimeve ideologjike, me qëllimin e largimit të PDK-së nga pushteti.

Dhe pikërisht ky afrim që nuk është përjashtuar nga zyrtarët e të dyja partive kur flasin në publik, bën që Mustafa të tregohet më i kujdesshëm dhe të tërheqë vëmendjen nga manipulimet që do të mundë t'i bënte PDK-ja. E fakti është se sa më shumë kohë që të kalojë, aq më të mëdha gjasat për manipulime të këtilla, duke nisur nga lista zgjedhore e deri te shpikja e ndihmave të reja sociale, siç është nisma për pushimin e paguar të lehonisë edhe për gratë që nuk janë të punësuara. Nëse me këtë ide mëtohet rritja e natalitetit që është në rënie në Kosovë, atë qe e besoj se do të ndodhë, është se numri i të punësuarave në Kosovë do të bjerë edhe më shumë.

Nëse LDK-ja e ka seriozisht me vendimin që të mos jetë pjesë e procesit negociator, as me kryetarin e as me Qeverinë, do të duhej patjetër të përpiqej të negocionte bile platformën e bisedimeve, pikërisht për shkak se synon ta marrë pushtetin nëse mocioni ka sukses. Pa atë platformë nuk ka se si të ndalet Thaçi, pos nëse LDK-ja e çon çështjen Thaçi në Kushtetuese, për shkak të shkeljes së nenit që i ndalon pretendimet territoriale ndaj shteteve të tjera.

Haradinaj dhe 60 mijë luftëtarët e Dukagjinit

E Haradinaj vazhdon me emërimin e zëvendësministrave si dhe ministrave me aktakuza. Arsyetimi i tij është i sinqertë, për shkak se e di se është në duart e tyre: nuk mund të ndikojë në përzgjedhjen e ministrave sipas qejfit të partnerëve të koalicionit. Duke dëshmuar edhe një herë se kjo qeveri nuk ka as kokë e as bisht, por është një masë amorfe dhe një orkestër e çakorduar që të vetmen detyrë që e ka është të hajë buxhetin e Kosovës.

Pra, kjo është Qeveria e parë e cila nuk ka bërë rishikim buxheti në gjysmëvjetor, dhe është Qeveria e cila është në deficit për nja 600 milionë të cilat ATK-ja nuk i ka inkasuar. Pra, një mungesë evidente e parasë publike që e ka efektin domino mbi ekonominë dhe bizneset, që sikur asnjëherë më parë vuajnë nga konkurrenca jolojale dhe ekonomia gri që po e mbyt këtë vend.

Me gjasë edhe i painformuar dhe i painteresuar për ta kuptuar nivelin e fundosjes së Kosovës, së bashku me të vëllanë me çdo kusht vazhdojnë ta arsyetojnë fryrjen e numrit të veteranëve në Zonën e Dukagjinit, që bazuar në deklaratat e tij të pasluftës është pesëfish më i madh seç do të duhej të ishte.

Të deklarosh, e të përsëritësh se në Dukagjin 60 mijë veta kanë qenë të angazhuar në luftë përçon një mesazh katastrofal: policia e ushtria serbe i kanë pasur 100 mijë efektivë e paramilitarë në të gjithë Kosovën, dhe në fund u desh të vinte NATO-ja e të na e shpëtonte lëkurën.

Pra, për që jemi treguar të dobët në organizim, meqë komandantët e zonave të tjera thonë se UÇK-ja i paskësh pasur maksimum 20 mijë ushtarë, ajo nuk ka asnjë dyshim. Porse të thuash se shumë veteranë të vërtetë kanë mbetur jashtë listave super të fryra, tregon se edhe jemi të paaftë për çdo gjë tjetër që nuk është hajnia. Sepse po të kishin qenë vërtet 60 mijë luftëtarë në Dukagjin, nuk kishte bërë vaki në verën e 1998-s që të ishin mbledhur rreth 40 mijë njerëz në Strellc e Isniq, të paarmatosur dhe të kërcënuar nga ushtria serbe, e më pas edhe të dëbuar prej aty.

Përderisa absolutisht askush nuk e mohon luftën që e kanë bërë vëllezërit Haradinaj në Deçan, kjo në asnjë formë nuk u jep të drejtë që t'i shtrembërojnë shifrat dhe të flasin për luftën që e kanë bërë "i madh e i vogël", sepse po e dimë se nuk kemi luftuar "i madh e i vogël". Nuk u jep të drejtë të insistojnë në pagesat e pensioneve që u bëhen mashtruesve në emër të luftës, për shkak se kjo hajni e orkestruar që i siguron votat në fund, i lë fëmijët kosovarë pa arsimim, e popullatën pa shëndetësi të hairit.

* * *

Kjo që na ndodh sot në Kosovë është të jetojmë në rrenë dhe në hajni.

Vetes ia bëjmë qejfin se jemi të pavarur dhe të aftë për ta udhëhequr shtetin. Po të kishim qenë të aftë, nuk na kishin dërguar misione e misione për të na udhëzuar (shpeshherë keq) se si duhet ecur para;

Themi se do t'ia bashkojmë Luginën Kosovës. As kjo s'është e vërtetë -- sepse Serbia nuk do të na japë territor të banuar me shqiptarë veç pse Vuçiqi mund të ketë simpati për Thaçin;

Themi se nuk do ta themelojmë Zajednicën me fuqi ekzekutive -- e me gjasë as kjo nuk do të jetë e vërtetë, për shkak se sa më shumë kalon koha, aq më shumë po instalohet ajo në terren;

Themi se jemi shteti me perspektivë evropiane -- e as kjo s'është e vërtetë, për shkak se as një liberalizim të dreqit nuk mund ta marrim, edhe për shkak se shtetet mike nuk e votojnë rekomandimin, sepse u frikësohen ideve për këmbim territoresh që rrjedhin nga Thaçi;

Themi se Kosova është e pasur dhe se do të mundë ta mbajë veten -- dhe kjo është një rrenë e madhe. Të pasur janë ata që e kanë shterrë këtë vend duke i tjetërsuar pronat dhe duke manipuluar me tenderë. Të pasur janë ata që i pinë verërat e shtrenjta dhe paguajnë autorë për të shkruar biografi. E varfër është e gjithë Kosova që as tokë për grurë më nuk ka. E varfër është se mbijeton falë diasporës.

Por mbi të gjitha, është e varfër për mend dhe guxim për të ndryshuar e për t'u shndërruar në atë që është dashur që nga fundi i luftës: një vend normal, i udhëhequr nga njerëz të dijshëm, ku populli e jeton një jetë të dinjitetshme.

flaka@koha.net