OpEd

Ujmani Spice

Përderisa jemi tek James Bondi, detektivët, filmat me spiunë, ndoshta do të ishte mirë të rikujtonim veten edhe për serialin e viteve ‘80 “Miami Vice” me artistin Don Johnson. Si duket shefi i Bashkim Smakajt, presidenti Hajnshim Thaçi, për t’ia dëshmuar vartësit të vet se si bëhen ato punë, kishte shkuar në Ujman për xhirimin e një filmi të shkurtër, “Ujmani Vice”.

E hënë, 2.10.2018

Bëri fushatë me pitalka të nxehta gjatë zgjedhjeve, bëhet zëvendësministre

Një nga kabllogramet kreative nga Kosova e transicionit të pasluftës, i cili po zgjat plot 20 vjet dhe në horizont nuk po e shoh se diçka më madhore do të ndryshojë në një kohë më të afërt, koha e fushatave zgjedhore është “kreative” në atë se si ta joshësh votuesin potencial. Një rrufe e kreativitetit zgjedhor e kishte goditur edhe kandidaten për deputete nga radha e koalicionit PDK-AAK-NISMA, znj. Leonora Morina- Bunjaku. Ajo gjatë fushatës se zgjedhjeve të fundit në Gjilan kishte shpërndarë pitalka, por të nxehta drejt nga furra. Rastisi që fushata zgjedhore të ishte të njëjtën kohë kur ishte edhe muaji i shenjtë i Ramazanit, kështu që kujdesi i kandidates për agjëruesit kishte vlerën e shtuar. Unë ty pitalkën e nxehtë. ti mua votën në kutinë e votimit.

Kreativiteti i saj i solli pozitë në kuadër të Qeverisë Haramdinaj. Kjo zonjë është emëruar zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Me një shtesë në kreativitetin e saj ajo do të mundë të përfundonte edhe si ministre, vetëm sikur p.sh. pitalkave t’ua hidhte edhe nga një copë suxhuk të mirë Gjakove, ndoshta. Sikur të merrte edhe pak guxim për një ndërmarrësi me një rrezik edhe pak më të madh kreativ e që përveç pitalkës së nxehtë me suxhukun të ofronte edhe kajmak, ajo sot do të ishte një kolege e imja duke u marrë rrastë me diplomaci në ndonjërën nga ambasadat e Kosovës nëpër vendet të cilat na kanë njohur. Ehhh, njeriu sa rron mëson. Shkollë për të tjera herë.

E martë, 3.10.2018

Këshilltari i Thaçit shkoi në New York për Interpol, përfundoi në klube nate

Kabllogrami i radhës e ka për protagonist ish-shefin e Inteligjencës kosovare, z. Bashkim Smakaj. Në listën e 20+ pjesëmarrësve të DELEgacionit kosovar në O Kuku Bre (OKB), të cilët kishin shkuar që të lobonin për Kosovën, detyrat dhe specifikat diplomatike ishin të ndara në pjesëmarrësit e DELEgacionit. Ish-shefit të AKI-së, z. Bashkim Smakajt, i ishte besuar detyra e lobimit për pranimin e Kosovës në Interpol.

Normal, një spiun profesional si James Bondi p.sh. vendin e parë që do ta vizitonte do të ishte ndonjë klub ekskluziv ku do të takonte ndonjë femër fatale, e cila do të ishte pjesë e inteligjencës së ndonjë shteti tjetër dhe aty do të fillonte lobimi i përcjellë me shumë aksion. Së paku kështu ishte nëpër filma. Por pritni! Skenarit dhe skriptës së filmave me James Bondin iu nënshtrua edhe z. Smakaj, Bashkim Smakaj, legen jo stërrc (shaken not stirred). Ai përfundoi diku në downtown Manhattan në një klub ekskluziv nate ku do të takonte ndonjë femër fatale, spiune e ndonjë inteligjence të ndonjë shteti tjetër dhe së bashku do të lobonin për pranimin e Kosovës në Interpol. Nuk është e tepërt t’ua përkujtoj se fuckturrën si zakonisht do e paguante populli i Kosovës për shpenzime operacionale dhe logjistike. Përderisa jemi tek James Bondi, detektivët, filmat me spiunë, ndoshta do të ishte mirë te rikujtonim veten edhe për serialin e viteve ‘80 “Miami Vice” me artistin Don Johnson. Si duket shefi i z. Smakaj, presidenti Thaçi, për t’ia dëshmuar vartësit të vet se si bëhen ato punë kishte shkuar në Ujman për xhirimin e një filmi të shkurtër, “Ujman Vice". I veshur me stil, në një gomone moderne po bënte xhiro, siç tha, në “bukuritë natyrore” të Kosovës në liqen artificial ku kishte shkuar për piknik. Atë në gomone po e shoqëronin edhe ministri i veshjeve të brendshme Ablerad Tahiri, si dhe ministri i Financave, Bedri Hamza.

Presidenti Hajnshim Thaçi nuk kishte shkuar aty vetëm për “piknik”, ai dëshiroi që pasi që sefte po e shihte Ujmanin me sytë e vet të shihte si ta bënte korrigjimin e kufijve aty me Serbinë.

Pas xhiros së cilës ia dha me gomone. Sigurisht se në idenë e tij gjeniale për korrigjimin e Ujmanit do të jetë propozimi që pjesa ku “rritet” kallamari me i taku Kosovës, ndërsa pjesa tjetër ku kallamari nuk rritet me i taku Serbisë. E ashtu pas xhirimit të filmit të metrazhit të shkurtër “Ujmani Vice”, Don Thaçi kthehet triumfues në gjirin e Klanit Pronto.

E mërkurë, 4.10.2018

Dorëheqja e ministrit të Punëve të Brendshme, Abelard Tahiri

Këto dorëheqjet që po bëhen në “Facebook” po më shkaktojnë shumë telashe si Ambasador që jam në “Facebook”. Njeriu e bën një postim e sheh që s’po merr LIKE-a të mjaftueshëm e fshin, e bën tjetrin e qeshtu derisa t’i dhezë. Në rastet më të rënda p.sh. gruaja mund t’i thotë burrit “pse ia ke bërë asaj LIKE në foto, ke me pa veç sa të vish në shtëpi” e këso margaritarësh të tjerë facebookianë.

Kështu edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, kryekuvendari Veseli Kadrija, ishte në një udhëtim zyrtar në Mbretërinë e Bashkuar në Londër, respektivisht dhe kur e ka hap “Facebookun” e vet e kupton se Abelard Tahiri, ministër i rrobave të brendshme të Kosovës, 100% polyester, kishte dhënë dorëheqje me arsyetimin se politika po ndërhynte në zbatimin e detyrave të tij si ministër në vendosjen e drejtësisë në vend.

Kadrushi, ai kryetar partie që është, i ka pasvordat e “Facebookut” e të gjithë anëtarëve të partisë se vet, kështu që hyn në llogarinë e Ableardit dhe e fshin postimin e Ableardit.

Kur kthehet në Kosovë i pëshpërit Ableardit në vesh “unë jom shefi jot e jo Ramush Hajnradinaj”.

Pas këtij incidenti të vogël “facebookian” del Ableardi pa një të keqe edhe punën e dorëheqjes as që e përmend, se ndërhyrjet politike ato në Kosovë nuk ekzistojnë MAZALLAH!

P.S. si gjakovar që jam me prejardhje do të shfrytëzoj hapësirën e Ditarit të Ambasadorit dhe do t’ia uroja lindjen e djalit ish-ministrit Blerand Stavileci, i cili e ka rrogën më shumë se 300 euro dhe mund t’ia ofrojë vetes luksin edhe të një fëmije të cilit i dëshiroj shëndet dhe fat në jetë.

E enjte, 5.10.2018

Intervista e Ramush Rahadinajt në një TV nacionale

Si Ambasador më duhet të mbes i informuar për të gjitha ngjarjet politike në vend e intervistën e kryeministrit Haradinaj nuk kisha se si ta humbisja, do të “mësoja” shumë gjëra të reja mbi ecuritë, ngjarjet etj.

I bëra të gjitha përgatitjet ashtu siç do t’i bëja për të shikuar ndonjë ndeshje finale të UEFA Cup apo ndeshje të botërorit. Një enë e madhe me palagaçe, koncentrimin në maksimum dhe Ipadin për të marrë shënime për ndonjë të dhënë të cilën mund të mos e kem dëgjuar më parë.

U prek tema e veteranëve edhe një herë. Kryeministri vazhdon me këmbëngulje të thotë se UÇK-ja kishte 60.000 veteranë. Mirëpo kriter i kryeministrit ishte se veç a e ka prek pushkën ndokush me dorë, se a ka ikë me të apo pa të apo e ka mshef diku në mal s’ishte me rëndësi. Në një moment ai tha se Kroacia kishte 500.000 veteranë, mirëpo kryeministri sikur harroi se Kroacia kishte luftuar me vite kundër Serbisë dhe se çlirimin e tyre nuk e solli NATO-ja dhe se me fillimin e luftës presidenti i saj i atëhershëm Franjo Tudjman kishte shpallur mobilizimin e përgjithshëm. Kroacia si ish-Republikë në kuadër të Jugosllavisë kishte edhe mbrojtjen e saj territoriale, si dhe policinë republikane të ndërtuar ndër dekada. Nga kjo rrjedh se organizimi i saj ushtarak ishte shumë në pozitë më të favorshme se Kosova, përkundër faktit që atje lufta zgjati me vite, pati shkatërrime të shumta, si dhe viktima të shumta në njerëz deri në finalen e saj dhe fitoren e Ushtrisë Kroate ndaj mbetjeve të forcave serbe në “Republikën e Kninit”.

Më tutje kryeministri foli edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë dhe për një moment e veçoi Gjermaninë, dhe sesi atij i kishte ra në sy aftësia e tyre për të bërë punë të mira në Kosovë. Ramush je duke folë për gjermanët, popull i cili pas Luftës së Dytë Botërore u zgjua nga gërmadhat e bëri denacifikimin e saj, forcat e mëdha ua ndanë shtetin në dysh, por pas 40 vjetësh ata arritën që të bashkoheshin dhe tani si një shtet i vetëm paraqesin superfuqi jo vetëm në Evropë, por edhe në botë, e shih ty të ka ra në sy se ata janë në gjendje për të bërë punë të mira në Kosovë. Pjesa e dhimbshme është Ramush se ne s’po ju biem në sy atyre që jemi në gjendje për të bërë punë të mira në shtëpinë tonë dhe se jemi të kapluar nga korrupsioni e dallaveret nga nivelet më të ulëta e deri te ato më të lartat shtetërore sistematikisht në secilën pore të shoqërisë.

Në një moment tjetër Ramushi foli edhe për vizitën e tij në West Poiint dhe respektin që aty i ishte bërë jo vetëm si kryeministër, por edhe si ish-ushtarak (pozitë në të cilën unë personalisht do të dëshiroja ende ta shihja) takimi i tij me sekretarin e Mbrojtjes amerikane, Matiss, dhe “garancinë” e tij se TMK-ja do të shndërrohet në ushtri. Ishte insistues në atë se respekti që atij iu bë aty ishte ndryshe nga respekti i cili u ishte bërë më parë edhe përfaqësuesve të tjerë të Kosovës që kishin qenë të ftuar në West Point, si p.sh. presidentja Atifete Jahjaga.

Kjo që është për t’u vlerësuar. Në një moment tjetër Ramushi ma kujtoj Kadrushin pasi që ai duke folur për bërjen e ushtrisë se re të Kosovës ia bëri me sy udhëheqësit të emisionit demek “në rregull jemi kjo është punë e kryme, mos më shti me folë”.

Unë mbes me përshtypjen se kryeministri Haradinaj mund t’i ketë pasur qëllimet e sinqerta dikur, mirëpo ajo lakmia për pozitën edhe karrigen ia kanë humbur ato dhe tani është në një rreth vicioz të një koalicioni joparimor, por thjesht i interesave të ngushta klanore, politike.