Qeveria në prona “t’zanme”

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 07 tetor 2018 08:00

Pushtete që shkelin të drejtën e pronës nuk ka në sisteme demokratike

Pakkush e di që “objekti i Qeverisë”, që pasdite i bën hije njëherë sheshit “Ibrahim Rugova” e me kalimin e orëve edhe atij “Skënderbeu”, nuk është i Qeverisë. Se është “i pushtuar” nga pushteti ashtu si shumë të tjera pa zot shtëpie. Shumëkatëshja e ish-ndërmarrjes “Bankkos” i është dhënë në shfrytëzim ekzekutivit pa kushte, ndonëse ligjërisht shfrytëzuesit e pronave shoqërore janë të detyruar të nënshkruajnë kontratën dhe mbi bazën e saj t’ia paguajnë qiranë pronarit.

Historia e viteve të para të pasluftës e arsyeton strehimin e institucioneve të vendit në këtë dhe në prona të tjera shoqërore, qoftë nëpërmjet marrëveshjeve “klandestine”, ashtu siç është vepruar në disa raste nga ndërkombëtarët. Do të solidarizoheshim me akomodimin ilegal për pak kohë sikur po këto institucione të dëshmonin përkushtimin e tyre për të qeverisur me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Se të mirën publike e menaxhojnë në interes të qytetarëve dhe se janë të disiplinuar dhe dorështrënguar në shpenzimin e buxhetit.

Po të silleshin si drejtues “të popullit më të varfër” në Evropë, sipas shembullit të “presidentit më të varfër në botë”, uruguaianit Jose Mujica, çështja e “uzurpimit” nuk do të konsiderohej moralisht e paligjshme. Do të merrte miratimin popullor dhe shteti do ta kishte më të lehtë edhe nga ana financiare t’u përgjigjej kërkesave të punëtorëve të atyre ndërmarrjeve për 20-përqindëshin, pa reagim sindikal e pa presion publik.

Po të kishim president, kryetar Qeverie e Kuvendi, ministra, drejtorë e shefa departamentesh, që si Mujica do ta ndanin 90 për qind të pagës mujore për bamirësi, të mbanin në shtëpitë e tyre njerëz të pastrehë dhe të ngisnin vetura 25 vjet të vjetra, nuk do të kishte nevojë institucionet të qëndronin kaq gjatë në “banesa” të huaja. Tash do të ishin në të tyret. Do të ishin shembull i mirëqeverisjes, i zbatimit të ligjit dhe i respektimit të të drejtave të njeriut. Nuk do t’i quanim uzurpatorë.

Por meqë i kemi kështu siç i kemi, duhet kërkuar nga ta që të ndalin abuzimin ndaj të drejtës së ish-punëtorëve të ndërmarrjeve. Të korrigjojnë krimin e vazhdueshëm, për të mos u bërë vonë, për të mos ardhur puna kur nuk do të ketë kush që të kërkojë e të gëzojë hisen e tyre.

Duhet kërkuar që godina e bukur nga jashtë e “Bankkos-it” të mos mbahet mend gjatë si e shëmtuar nga brenda.

Nuk është e vjetër historia e dëbimit të uzurpatorëve privatë nga pronat shoqërore. Ka pasur zotime se aksioni do të shtrihet edhe në veri, meqë atje, sipas statistikave, të gjitha pronat janë të uzurpuara, dhe se AKP-ja nuk mund ta shtrijë autoritetin (në këtë pikë nuk mund t’i vihet faj AKP-së - në veri pushtet uzurpues e pushtues është Serbia).

Edhe shfrytëzuesit e disa pronave shoqërore (një pjesë e tyre ishin dhënë me vendim të autoriteteve të dikurshme të UNMIK-ut) në ndërkohë janë përfshirë në pagesën e qirasë. Qira paguajnë edhe institucionet ndërkombëtare. Por ende jo institucionet e pushtetit, nga ai lokal e deri te qendrori. Dhjetëra prona që kanë vlera milionëshe dhe shtrihen në zonat elitare të qyteteve vazhdojnë të mbahen peng (Prizreni është kampion me 24 sosh). AKP-së, me autoritet të nëpërkëmbur, nuk i bëhet e ditur as koha kur mund të lirohen për shitje e as mundësia e shpronësimit të tyre.

E po këto pushtete, që kanë harxhuar miliarda për asfalt dhe qindra miliona euro të tjera për akomodim të administratës nëpër objekte private, nuk e kanë dertin se institucionet janë pa “shtëpi”, e edhe më keq, që mbajnë peng fatin e mijëra punëtorëve duke i lënë në pritje të 20-përqindëshit për shumë vjet.

Nëse ndërmarrjet kanë pronarë dhe nëse një pjesë e pronës sipas ligjit u takon punëtorëve, çdo shmangie nga kryerja e obligimit të qirasë është abuzim me forcën e pushtetit. Nëse ish-punëtorëve u mohohet e drejta që të shfrytëzojnë hapësirën e ndërmarrjes së tyre, deri në privatizim, apo nëse u pamundësohet shitja, atëherë kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut. Pushtete që shkelin të drejtën e pronës nuk ka në sisteme demokratike. Kosova është shndërruar në model të sundimit nga pushtete uzurpuese.

AKP-ja duhet ta pranojë se e ka humbur betejën. Duhet ta pranojë se nuk është institucion i pavarur publik, i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë autonome. Të tregojë se ky përkufizim që qëndron në krye të Ligjit për AKP-në është shkruar në “dëshirore”. Se “vertikalisht dhe horizontalisht” është në duar të pushtetit, të grupeve të interesit. Të pranojë se ajo është vetëm njëra nga shumë institucione, agjenci e ndërmarrje publike që kontrollohen nga politika e që i japin llogari dhe i nënshtrohen asaj. Si Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor, Agjencia Kundër Korrupsionit, Universiteti i Prishtinës, Agjencia e Akreditimit..., autonominë e veprimit e ka vetëm në letër. Edhe Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për AKP-në ia konfirmon këtë. Ashtu si në institucionet e tjera, emrat e bordit të drejtorëve propozohen nga Qeveria. Edhe kryesuesi i bordit caktohet nga Kuvendi, por me propozim të Qeverisë. Nuk do analizë se si dhe kë e propozojnë qeveritë e Kosovës nëpër borde drejtuese.

AKP-së një ditë do t’i duhet sërish mbështetja e Policisë së Kosovës për të ekzekutuar ndonjë vendim për lirim prone apo të ngjashëm. Dhe do ta ketë asistencën, por jo për lirimin e pronave prej nga vijnë urdhrat për të dyja. Ato prona janë “t’zanme”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi