OpEd

Nën pushtetin e përmbaruesve

Komunat në borxhe më nuk janë të kryetarëve, por të përmbaruesve. Sa çel e mbyll sytë nga arkat komunale, secilës mund t`i avullohen miliona euro. “Ruajuni se po ju hyn asfalti në oborre”, është frazë e njohur e një barsolete e krijuar nga logjika e asfaltit. Ky asfalt tashmë po u del për hunde atyre që e përdorën për vota. Pushtetet lokale në shumë komuna po i vuajnë pasojat e qeverisjes elektorale, ndaj të ndodhura buzë falimentimit, disa komuna kosovare janë shndërruar në raste sociale

Në gusht të 2015-s, Qeveria e Kosovës pati ndarë 200 mijë euro mjete, të cilat i nevojiteshin Komunës së Shtërpcës për shlyerjen e borxheve.

Ky mund të mos jetë rasti i vetëm kur niveli qendror do të jetë i detyruar nga arka e vet të mbështesë komunat e zhytura në borxhe. Mbase me një situatë të tillë Ekzekutivi kosovar mund të përballet sërish, por kësaj here për t`i shpëtuar nga kolapsi financiar dy komunat më të mëdha kosovare pas Prishtinës: Prizrenin e Ferizajn.

Që të dyja bashkë kanë borxhe të krijuara ndër vite prej afro 8 milionë eurosh vetëm nga raportimi i faturave në Ministrinë e Financave. Por Ferizaj mban bindshëm epitetin e kampionit të borxheve në të gjitha kategoritë me një shumë prej afro 37 milionë eurosh, teksa buxheti i sivjetmë i komunës është afro 31 milionë euro. Pasojë e kësaj gjendjeje financiare, projekti i nisur nga mandati qeverisës i LDK-së për kifle për nxënës të 39 shkollave është reviduar.

Nga këta parametra, kjo komunë që tash duhet hequr dorë tërësisht nga ideja e realizimit të projekteve të reja brenda këtij mandati qeverisës duke e ditur faktin se i gjithë mandati do të kalojë duke shlyer fatura të vjetra të pushtetit pararendës të drejtuar nga LDK-ja, tash opozitare në këtë qytet.

Por kjo nuk është asgjë e re, duke e pasur parasysh faktin se transfer borxhe pati edhe kur PDK-ja humbi Ferizajn.

Janë së paku 3 raste, kur përmbaruesit i kanë tërhequr mjetet e borxhlinjve nga arka komunale, duke e bërë këtë institucion të pafuqishëm në mbrojtjen e parasë publike. Kësisoj, komuna është shndërruar në humbëse të dyfishtë: së pari duke humbur para dhe së dyti duke anuluar projekte të tjera, të cilat s`mund të realizohen shkaku i deficitit buxhetor.

Kjo i ka shndërruar komunat kosovare në institucione veresie. Sërish lëmshi i krizës financiare do të shtjellohet më tej. Duke mos pasur mundësi për të gjeneruar mjete të tjera, duke ngecur seriozisht në arkëtimin e të hyrave vetjake, shuma e borxheve vetëm se bartet dhe rritet në mënyrë progresive nga viti në vit.

Çfarë duhet një komunë e tillë, e zhytur në borxhe dhe pa mundësi për t`i shlyer ato me forca të veta. Në kuptimin ekonomik, një komunë e tillë quhet e falimentuar dhe kjo ekskluzivisht në saje të mosgatishmërisë së pushtetit qendror për ta gjetur formulën ligjore, e cila privon komunat nga mundësia e krijimit të borxheve ciklike.

Borxhe pafund, të krijuara ekskluzivisht nga viti i fundit qeverisës, i cili në zhargonin politik kosovar cilësohet ‘vit elektoral’. Përpjekjet e secilit pushtet për ta këmbyer votën, kryesisht me asfalt bënë që Ferizaj edhe formalisht të shpallet i bankrotuar. Këtë më së miri e ilustron projekti i sapo nisur në këtë komunë me emrin tejet grishës “bashkimi i qytetit”. I ideuar për realizim në bashkëfinancim ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, ky projekt dështimin e parë e pësoi pikërisht shkaku i borxheve. Tashmë barrën për realizimin e tij e ka marrë Ministria e Infrastrukturës, teksa kostoja e tij arrin në afërsisht 6 milionë euro. Nëse dhe si do të përfundojë mbetet e paqartë.

Në një gjendje pak më të butë me borxhet ndodhet Komuna e Prizrenit. Vetëm nga 2017-a, kjo komunë ka trashëguar afro 4 milionë euro borxhe.

Pavarësisht kësaj gjendjeje, të trashëguar nga njeriu (ish-kryetari Ramadan Muja), që harxhoi mandatin e fundit nëpër salla gjykatash, struktura drejtuese e tashme e Prizrenit ka paraparë investime kapitale për vitin 2019 në vlerë prej afro 19 milionë eurosh, ose 4 % më shumë se në vitin fiskal 2018.

I ndodhur nën stuhinë e përmbaruesve, kryetari aktual i Prizrenit është përpjekur ta mbrojë komunën duke kërkuar nga operatorët ekonomikë që ekzekutimin e pagesave të mos e kërkojnë përmes përmbaruesve. Kjo komunë tanimë ndodhet nën mëshirën e një task force, e cila është ngarkuar me misionin për shpëtimin e komunës nga fiaskoja.

Por asgjë nuk është e sigurt në këtë plan, derisa komunat në borxhe më nuk janë të kryetarëve, por të përmbaruesve. Sa çel e mbyllë sytë nga arkat komunale, secilës mund t`i avullohen miliona euro.

Teksa sillen në qarkun e borxheve, komunat kosovare e kanë të zorshme të realizojnë edhe projekte minore se lëre më aso kapitale.

Pushteti i ndërtuar mbi primesën e elektoratit klientelist gjatë gjithë kohës ka realizuar, premtuar dhe zotuar projekte edhe pa i poseduar në praktikë mjetet. Kjo vetëm sa për ta pasur alibinë elektorale, të cilën e kanë përdorur pa dallim të gjitha subjektet politike që kanë qeverisur komunat kosovare.

“Ruajuni se po ju hyn asfalti në oborre”, është frazë e njohur e një barsolete e krijuar nga logjika e asfaltit. Ky asfalt tashmë po u del për hunde atyre që e përdorën për vota. Pushtetet lokale në shumë komuna po i vuajnë pasojat e qeverisjes elektorale, ndaj të ndodhura buzë falimentimit, shumë komuna kosovare janë shndërruar në raste sociale.

Siç ndodh zakonisht, shpëtimin e kërkojnë nga buxheti i nivelit qendror, nga i cili zakonisht përpiqen të vjelin kur timonin e Qeverisë qendrore e kanë subjektet e tyre.

Përpara se Ekzekutivi kosovar t`u japë infuzione financiare komunave, i nevojshëm është rishikimi i infrastrukturës ligjore. Me këto ndryshime ligjore, të krijohen mundësi që kryetarët, në vitin e tretë qeverisës të mos hyjnë në obligime, të cilat mbeten barrë e pasuesit të postit. Pra, rrjedhimisht të mos kontraktojnë projekte trevjeçare dhe të cilat do të shkaktojnë rëndim buxhetor të komunës.

Në të njëjtën kohë të ndryshohet edhe Ligji për financa publike për komunat, dhe sipas të cilit komunave do t`u pamundësohej edhe ligjërisht rreziku nga kolapsi financiar. Kjo të bëhet e mundshme duke e ndërtuar normën ligjore, sipas së cilës komunat mund të hyjnë në obligime buxhetore 10-30 për qind të vlerës së përgjithshme të buxhetit për vitin vijues.

Deri në këtë ndryshim, komunat kosovare do të qeverisen zyrtarisht nga kryetarët e votuar në zgjedhje, por praktikisht nga përmbaruesit, të cilët paratë e taksapaguesve do t`ia dhurojnë lehtësisht operatorëve ekonomikë!

bekim.kupina@kohaditore.com