Vëzhgime nga një i huaj

Jan Jansen Jan Jansen 14 shtator 2018 09:53

Nuk do të ketë rivizatim të kufijve. Kjo Kuti e Pandorës (e bazuar mbi politika etnike) nuk do të hapet. Kundërshtimet janë më të forta. Por ka një Kuti tjetër të Pandorës. Dhe ajo është krejtësisht e hapur. Është ajo që bisedohet për këtë çështje. Është e hapur nga Thaçi, Vuçiqi dhe Mogherini. Si është e mundur që një president i një vendi hap një temë të tillë, kaq të ndjeshme, në një mënyrë kaq të papërcaktuar dhe aq troç siç është bërë në kohë të fundit? Dhe me emocione aq të thella dhe shumë lehtë të prezantuar! Tregon qartë se ai nuk kupton asnjë gjë nga vendi i vet, nga nënshtetas të vendit të tij. Një president i tillë, për mendimin tim, është krejtësisht i paaftë të jetë president

Javëve të fundit pothuaj nuk ka gazetë pa një ose më shumë artikuj mbi idenë e shkëmbimit të territoreve, ose të korrigjimit të kufirit midis Kosovës e Serbisë, diskutim i filluar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në të gjithë artikujt shprehen një ose më shumë ekspertë, politikanë ose vëzhgues. Ndoshta nuk i kam lexuar të gjithë, por për mendimin tim zëri i njerëzve që do të ketë pasojë, nuk është dëgjuar.

Bashkë me mendimet e mia, do t’u jap zë edhe atyre, disave të cilët unë i kam dëgjuar.

Çështje

Çështja është treguar si këmbim territoresh. Por është krejtësisht e panjohur se për çfarë flitet. Në opinionin publik të shumtën e herëve është kuptuar si shkëmbin të veriut të Mitrovicës me Luginën e Preshevës. Por Thaçi këtë e ka definuar si korrigjim kufijsh, por ka thënë troç se Lugina e Preshevës duhet të jetë pjesë e Kosovës. Edhe nga Serbia erdhi një kundërmesazh i ashpër: Lugina e Preshevës nuk do të shkojë absolutisht në Kosovë. Domethënë është krejtësisht e paqartë për çfarë çështjeje diskutohet.

Reagime të brendshme e të jashtme

Shumica e reagimeve të brendshme janë kategorikisht kundër idesë së shkëmbimit të territoreve. Vetëm disa njerëz brenda në Kosovë e mbështesin. Edhe shumica e politikanëve të Kosovës janë në njëfarë mënyre kundër.

Shumë reagime nga Luginën e Preshevës janë për shkëmbimin e Luginës me veriun e Mitrovicës, dhe kjo është e kuptueshme kur të kihet parasysh situata e tyre.

Reagimet e jashtme japin të njëjtën imazh, shumica e politikanëve ndërkombëtarë janë kundër. Vetëm SHBA-ja ka deklaruar se nëse është një shkëmbim paqësor, i miratuar nga të dyja palët, është i pranueshëm, si edhe për disa vëzhgues të huaj. Interesant është reagimi i disa shteteve dhe personaliteteve, të cilët kushtëzojnë zgjidhjen e tillë, nëse ndodh, p. sh. të dyja shtetet duhet të njohin njëra-tjetrën.

Nuk ka nevojë të përsëriten këtu të gjitha ato reagime e argumente.

Zëra shqiptarë në veriun e Kosovës

Në veriun e Mitrovicës ka disa mijëra shqiptarë dhe ata bashkëjetojnë tashti pa probleme me fqinjët serbë.

Jam takuar me disa njerëz, në rrugë.

“Është një ide e marrë, krejtësisht e parealizueshme. Mendoj se Thaçi dhe Vuçiq veprojnë vetëm për vetveten. Të dy ëndërrojnë për çmimin Nobel. Vlera e këtij çmimi është kolosale. Thaçi ka fituar luftën, ka realizuar pavarësinë dhe me një marrëveshje me Serbinë ai dëshiron ta përfundojë këtë proces. Dhe kjo është aq me rëndësi për të sa ai do t’i japë Serbisë çfarë dëshiron ajo, pa marrë parasysh pasojat për Kosovën dhe shqiptarët.

“Ne kemi investuar aq shumë këtu sa nuk do të shkojmë. Morëm një propozim shumë të lartë për shtëpinë, por nuk e kemi pranuar. Është shtëpia jonë, familjare,me gjenerata. Nuk do ta lëmë. Dhe jemi mirë me serbët.”

“Ne kemi investuar mjaft këtu, ne kemi marrëdhënie të mira me fqinjët dhe serbët e tjerë. Nuk ka nevojë të shkojmë kur veriu i Mitrovicës do të ishte pjesë e Serbisë. Në një situatë kur jeta jonë do të jetë në rrezik, do të ikim.”

“Tashti ne jemi rehat, por nëse realizohet kjo ide, do të kemi edhe njëherë shumë probleme. I vetmi problem është qarkullimi në mes të dy pjesëve. Ai nuk ekziston. Personalisht kam humbur besimin. SHBA-ja luan një rol të mbrapshtë. Shkëmbimi i territoreve me të vërtetë është një Kuti e Pandorës! Mendoj se serbët e veriut të Mitrovicës përthithin € 500 milionë nga Kosova për rrymën dhe ujin. Në veri jeton një numër i vogël shqiptarësh. Më 1990 të gjithë shqiptarët janë dëbuar nga puna. Tani serbët nuk u japin punë. Shqiptarët duhet të punojnë vetë si të dinë e të munden, ose kanë një pension të vogël. Ata ishin të detyruar të largoheshin nga puna dhe për këtë arsye tani realizojnë pension më të ulët.”

Zëra shqiptarë në Bujanoc

Disa njerëz në Bujanoc kishin më pak o më shumë të njëjtën ide. Thonë Lugina e Preshevës të jetë sa më parë pjesë e Kosovës.

“Ne jemi autokton këtu, vendas. Më 1992 kemi organizuar një referendum dhe një shumicë e madhe u deklarua se Lugina e Preshevës do të ishte njësi me vete me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Atëherë ne jemi pro shkëmbimit të territoreve. Por vetëm duhet të jetë reciprok dhe nuk duam që Lugina të jetë e pjesëtuar, e ndarë. Ne kemi të drejtë të bashkohemi me Kosovën. Dhe ato të drejta që kanë serbët në Kosovë, duhet t‘i kemi edhe ne, shqiptarët e Luginës.”

“Shpresojmë se nuk do të jetë pjesërisht. Këtu kemi autostradën për në Maqedoni, si edhe hekurudhën. Ato janë afër njëri-tjetrin. Ndoshta me një zgjidhje si Holanda që kishte bërë me Gjermaninë, një autostradë e neutralizuar, d.m.th. një pjesë e neutralizuar me autostradë dhe hekurudhë brenda, sepse në anën tjetër të autostradës ka vetëm fshatra shqiptare. Dhe mbi të gjitha, duhet të jetë reciproke.”

“Nëse nuk realizohet një shkëmbim dhe bashkimi i Luginës me Kosovën, Thaçi, Vuçiqi dhe Mogherini për ne do të jenë mashtrues në shkallën më të lartë”.

U takova me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi (KKSH), Shukri Ymeri.

“Qysh më 2018 janë rregulluar fushat me të cilat merret KKSH-ja. Kemi katër fusha kryesore: arsimin, informimin, kulturën dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në organet shtetërore dhe lokale. Fusha e arsimit është me më shumë rëndësi. Deri sot kemi 60% të materialëve për shkollat fillore në rregull, por për shkollat e tjera nuk kemi pothuaj asgjë. Nuk duam përkthime prej serbishtes, veçanërisht jo në fushën e historisë, por duam libra nga shkrimtarë tanë. Kemi mjaft premtime nga Ministria e Arsimit e Serbisë, por gjithmonë nuk realizohen. Në fushën e kulturës nuk mund të bëjmë diçka. Mungon buxheti. Kjo lidhet me numrin e shqiptarëve të regjistruar, ndërsa ky numër është vetëm 5.800 në krejt Serbinë. Në fakt është një numër ndoshta dhjetëfish më i madh. Por buxheti është në raport me numrin e banorëve të regjistruar. Dhe në këtë aspekt edhe shqiptarët kanë faj, sepse jo të gjithë e kanë regjistruar veten si shqiptarë[1].

Në fushën e pjesëmarrjes së shqiptarëve në institucionet publike, si p.sh. polici, është bërë diçka, por kohëve të fundit shqiptarët, të cilët janë përjashtuar nga policia për arsye të ndryshme, nuk janë zëvendësuar me shqiptarë të tjerë.”

Zëra serbë nga Graçanica

Në Graçanicë kam pyetur disa njerëz, por nuk mora shumë reagime.

“Shkëmbimi i territoreve nuk është interesant, sepse Kosova është e Serbisë. Kufijtë e brendshëm nuk janë interes yni.”

“Nuk kemi probleme me shqiptarët, dhe nuk do të kemi.”

“Pse nuk bashkëjetojmë paqësisht, pse duhet të flasim për ata kufij? Nuk e kuptoj. Kufijtë nuk janë interesi ynë. Por Thaçi dhe Haradinaj janë kriminelë!!”

“Është një ide e çmendur. Dhe nëse bëhet, Kosova do të jetë pis e gjak edhe një herë.”

Vlerësimi

Sipas të gjithë artikujve e argumenteve dhe vlerësimeve që i kam parë, për mua situata bëhet e qartë. Nuk do të ketë rivizatim të kufijve. Kjo Kuti e Pandorës (e bazuar mbi politika etnike) nuk do të hapet. Kundërshtimet janë më të forta.

Por ka një Kuti tjetër të Pandorës. Dhe ajo është krejtësisht e hapur. Është ajo që bisedohet për këtë çështje. Është e hapur nga Thaçi, Vuçiqi dhe Mogherini. Si është e mundur që një president i një vendi hap një temë të tillë, kaq të ndjeshme, në një mënyrë kaq të papërcaktuar dhe aq troç siç është bërë në kohë të fundit? Dhe me emocione aq të thella dhe shumë lehtë të prezantuar! Tregon qartë se ai nuk kupton asnjë gjë nga vendi i vet, nga nënshtetas të vendit të tij. Një president i tillë, për mendimin tim, është krejtësisht i paaftë të jetë president. Dhe është e qartë se ai do të humbë të paktën besimin e një pjese të shqiptarëve, nëse nuk do të ketë shkëmbim territoresh - besimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dhe nëse do të ketë shkëmbim - besimin e shqiptarëve të pjesës veriore të Ibrit.

Ana financiare

Ana financiare nuk është përmendur shumë. Por ajo ekziston! Serbë e veriut të Mitrovicës marrin rrogë ose pension plus, dhe një rrogë tjetër nga Serbia plus, një shtesë, sepse “jetojnë në një vend të rrezikshëm”. Do të thotë se serbët në veri të Mitrovicës ndoshta nuk janë dakord me shkëmbim territoresh, sepse nuk do të kenë më atë rrogë trefish! Megjithatë, mendoj se ata nuk do të jenë kundër.

Nuk është vetëm buxheti i Serbisë “fajtor” për situatën. Në Luginën e Preshevës ka një “armë” për punën që ka të bëjë me kontrollimin e situatës, ndoshta edhe pastrimin e heshtur etnik. Për shembull ata nëpunës të cilët duhet të kontrollojnë adresa, ata të cilët duhet të kontrollojnë autostrada për nisjet e shqiptarëve për jashtë shtetit, që pastaj të trajtohen si apatridë në vendin e shtetin ku kanë lindur e janë rritur.

Spastrim etnik të heshtur në Luginën e Preshevës

Politika e Serbisë kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës është më e qartë në politikën administrative me kontrollin e adresave. Shumë njerëz të Luginës së Preshevës punojnë jashtë vendit. Ata mbijetojnë si punëtorë të huaj, por ende kanë shtëpi në vendin e vet, d.m.th. në Luginën. Kur ata shkojnë jashtë, policia kontrollon nëse ata banojnë në adresën ku janë regjistruar. Nëse ata nuk mund të hapin derën dhe pohojnë se ata banojnë në këtë adresë, policia merr shënim. Kontrollin e bëjnë edhe një herë. Nëse nuk gjejnë askënd, ata çregjistrojnë ata banorë nga evidenca e banorëve. Ata të cilët janë jashtë nuk e dinë çfarë po ndodh, sepse mund ta përdorin banesë normalisht. Por kur vjen nevoja për ndonjë dokument, befasohen. Nuk mund e marrin, sepse mungojnë në administratën komunale. Menjëherë (brenda 8 ditësh) duhet të reagojnë me kundërshtim, ndryshe vendimi është: Nuk banojnë aty! Gjatë kundërshtimit, policia kontrollon përsëri dhe nëse nuk janë prezentë, vendimi mbetet. Dhe kjo prezencë është pothuajse e pamundur kur punojnë p.sh. në Gjermani a Zvicër. Në këtë mënyrë dështon kundërshtimi. Pastaj ata kanë mundësi ta kundërshtojnë këtë vendim administrativ në gjykatë. Por kjo zgjatet nga 4 muaj deri në 2 vjet. Dhe gjatë asaj kohe ata nuk kanë dokumentet që u duhen. Dhe nëse edhe kjo përgjigje është negative, mund të apelohet në Beograd.

Në këtë mënyrë njerëzit nganjëherë nuk shohin mundësi tjetër pos të emigrojnë!

Jeton Ismaili ka përshkruar problemet e tjera të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por ato nuk e shoh të nevojshme t’i përmend, meqë janë të njohura.

(Autori është ish-zyrtar i Amnesty International nga Holanda, i cili që nga vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar ndjek zhvillimet në Kosovë dhe është njohës i mirë i tyre. Teksti është i shkruar në shqip nga vetë autori.)

[1] Nëse Serbia do të ishte konsekuente, do të kishte një numër shumë më të madh shqiptarësh. Kosova nuk është marrë parasysh me numrin e saj të madh të shqiptarëve, ani pse Serbia vazhdimisht thotë se ajo është pjesë e Serbisë, d.m.th. Kosova nuk është pjesë e Serbisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Jan Jansen