Mëkatarët e tjerë të Tiranës

Enver Robelli Enver Robelli 13 shtator 2018 08:05

Duke qenë shtet i dobët, Shqipëria nuk ka arritur të ofrojë ndonjë ndihmë gjigante për Kosovën – as para, as gjatë luftës. Madje disa politikanë të Tiranës kanë bërë edhe gabime e dëme (me apo pa qëllim) ndaj Kosovës. Aktualisht në shënjestër të sulmeve është vënë vetëm Sali Berisha për gabimet e tij ndaj Kosovës. Por kjo propagandë neostaliniste e hesht rolin po ashtu destruktiv të komunistëve dhe socialistëve të Tiranës

«Jugosllavia demokratike është më e avancuar, më e përparuar se ne. Interesi ynë është që ajo të jetë e fortë, se me një Jugosllavi të fortë do të ketë demokraci në Ballkan. A është në interesim tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresiste».

Enver Hoxha në përfundim të Luftës së Dytë Botërore

Është bërë modë që si fajtor kryesor në Tiranë për sjellje të këqija ndaj Kosovës të mallkohet Sali Berisha. E vërteta është se Berisha shpesh ka dhënë deklarata të pamenduara e koftraproduktive mbi zhvillimet në Kosovë. Për këtë shkak raportet e tij me Ibrahim Rugovën u ftohën shumë dhe takimet u ndërprenë pas mesit të viteve ‘90. Në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997 Berisha ia dha krahun Adem Demaçit dhe bëri thirrje që shqiptarët e Kosovës të bashkohen me opozitën serbe për të kundërshtuar Slobodan Milosheviqin. Rugova e kundërshtoi këtë. Dhe kishte aq autoritet në popull, saqë thirrjet e Berishës në Kosovë nuk i dëgjoi askush. Berisha është autor i deklaratës së mjegullt se Kosova duhet të adaptohet disi në një hapësirë demokratike jugosllave.

Fushatën e fundit kundër Sali Berishës e nisi presidenti i Kosovës me një gjuhë që u ngjante agjentëve të Sigurimit të Enver Hoxhës, Kadri Hazbiut, Mehmet Shehut e Ramiz Alisë. Pa asnjë dëshmi presidenti i Kosovës e akuzoi Berishën se e paskësh strehuar edhe Osama bin Ladenin. Pas takimit mes Albin Kurtit dhe Sali Berishës fushatën e vazhdoi Rexhep Qosja, i cili prej dekadash me vendosmëri pothuaj të verbër kultivon një ton urrejtës ndaj Berishës. Kjo qasje Qosjen e ka bërë të verbër në syrin e majtë – nuk sheh asgjë që duhet kritikuar te e majta e Tiranës.

Qosja tha se «Sali Berisha në vitet e despotizmit të tij, kur drejtpërdrejt e kur përmes Malit të Zi, duke e thyer embargon e vendosur prej faktorëve ndërkombëtarë ndaj Serbisë, me naftën e Shqipërisë e ka furnizuar ushtrinë serbe që masakronte shqiptarë në Kosovë». Një akuzë të tillë Qosja e ka vështirë ta dëshmojë. Kur ushtria serbe masakronte shqiptarë në vitet 1998/99, Sali Berisha nuk ishte në pushtet në Tiranë, por kanakarët e Rexhep Qosjes. Gjatë gjysmës së parë të viteve ‘90 shumë matrapazë mund të kenë shfrytëzuar gjendjen e vështirë në Shqipëri për të kontrabanduar naftë përmes kufirit verior të Shqipërisë në drejtim të Malit të Zi. Nga ky biznes mund të ketë përfituar edhe Qeveria e Berishës. Por në polemikat gjakpirëse mes politikanëve shqiptarë nuk ka masë. Qeveria e Shqipërisë e drejtuar nga Berisha bëhet bashkëpërgjegjëse edhe për masakrën e Srebrenicës, sepse gjoja disa fuçi nafte të kontrabanduara i paskan vënë në lëvizje trupat e gjeneralit Ratko Mladiq për të pushtuar enklavën boshnjake në lindje të Bosnjës. Ky lloj i akuzave idiotike tregon se politikanët shqiptarë (në këtë rast të majtët) nuk njohin kurrfarë rezoni shtetëror. Në raste të tjera po aq të verbër janë edhe të djathtët.

Propaganda neostaliniste kundër Sali Berishës ka për synim të mbulojë e fshehë rolin e mëkatarëve të tjerë të Tiranës. Nuk duhet gërmuar më thellë në histori, për shembull në Luftën e Dytë Botërore apo në vitet e para pas saj, për të parë se Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH) dhe pasardhësja e saj, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), nuk kanë me çka të krenohen sa i përket sjelljes ndaj Kosovës.

Deri më sot PS nuk ka shpjeguar kurrë se si shefi i saj dhe kryeministri i atëhershëm Fatos Nano u takua me Slobodan Milosheviqin në një ishull grek dhe çfarë u bisedua aty. Nga Nano as që mund të pritet një shpjegim i tillë, sepse përgjegjësia e tij politike nuk i kapërcen portat e kazinos. Por e dokumentuar është se Nano i premtonte opinionit evropian se do të fliste me Ibrahim Rugovën për të bindur se pavarësia e Kosovës nuk është koncept modern. Kanë qenë qeveri socialiste në pushtet kur në Shqipëri janë vrarë Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës (në ekzil), dhe Ilir Konushevci, njëri ndër figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vrasësit nuk janë zbuluar kurrë. Sepse këtë nuk e dëshiron shteti shqiptar.

Për të treguar se janë «evropianë» të vërtetë dhe jo nacionalistë si Rugova dhe «ata kosovarët e tij», një gazetar i majtë(që më vonë u bë politikan socialist dhe tani sërish gërmon në botën mediale) dhe politikanë të tjerë socialistë e kriptokomunistë vrapuan nga Tirana në Beograd për të takuar «opozitën demokratike serbe» - kjo ndodhi në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë. Bijtë politikë të komunistëve tani në Tiranë mund të zotërojnë mediat kryesore dhe përmes tyre të përpiqen të shesin dokrra patriotike, mund të lozin rolin e nacionalistëve e ithtarëve të bashkimit me Kosovën, mund të bëjnë gjithçka, mund të ndërsejnë edhe zagarët e tyre publicistikë në Prishtinë, por të vërtetën nuk mund ta fshehin dhe nuk mund t’ia ngarkojnë të gjitha mëkatet Sali Berishës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli