OpEd

A ka gatishmëri në botën euroatlantike për krijimin e shteteve etnike në Ballkan

Nëse dikujt i konvenon krijimi i kufijve mbi baza etnike, askujt tjetër nuk i konvenon më shumë se shqiptarëve, por ne nuk e shohim që për ketë ka gatishmëri në Evropë

Ne jemi të bindur se loja me kufij kudo është punë me rreziqe të mëdha, shembull më të mirë për ketë është historia e afër dhe e largët e Ballkanit. Ne, shqiptarët kur e kemi nisur luftën çlirimtare në Kosovë, nuk e kemi filluar vetëm në kufijtë e Kosovës dhe ketë e dinë mirë që të tre të parët e institucioneve të shtetit tonë. Natyrisht, kjo nuk ka qenë vetëm vullnet i tyre, se vullneti i tyre po shihet, por ka qenë vullnet dhe aspiratë shekullore e kombit tonë. Vetëm në nëntor të vitit 1998, në dhjetë ditshin e dytë, në mbledhjen disa ditësh të SHP të UÇK-së, për shkak të kërkesave të miqve (veçmas të SHBA-së), gjithë riorganizimin e UÇK-së e kemi bërë në kufijtë ekzistues të Kosovës, në kufijtë që edhe është shpallur pavarësia e saj më 17 shkurt 2008. Kjo tërheqje është bërë për faktin se nuk mund të ndryshoheshin kufijtë në baza etnike. Kosova i kishte kufijtë e saj edhe në kuadrin e Jugosllavisë Federative të konfirmuar edhe në Kushtetutën e vitit 1974.

E tregova ketë për të konfirmuar se në Ballkan dhe në Evropë, nëse dikujt i konvenon krijimi i kufijve mbi baza etnike, askujt tjetër nuk i konvenon më shumë se shqiptarëve të cilët gjinden të shpërndarë në shumë shtete të Ballkanit, por ne nuk e shohim që për ketë ka gatishmëri në Evropë. Madje kjo gatishmëri nuk shihet as të lojtari kontrovers i idesë për korrigjimin e kufijve. Në ketë rast nuk është duke u mbrojtur Kosova dhe as interesat e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Për ketë jam më se i bindur. Por, për ketë duhet të binden shqiptarët në përgjithësi e ata të Kosovës Lindore në veçanti.

I shkrova këto pak fjalë për tri arsyeje:

E para, më vjen keq prej gjithë shqiptarëve të Kosovës që kanë flijuar shumë për këtë liri që e kemi arritur.

Së dyti, më vjen keq për gjithë përpjekjet e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim e sidomos për shokët e mi të idealit të këtyre 50 vjetëve të fundit që janë shpërndarë si zogjtë e qyqes dhe ketë nuk e bënë për interesin e atdheut.

Dhe së treti, me vjen shumë, shumë keq për gjithë anëtarët e SHP të UÇK-së ( e shtabit të zgjeruar), për devijimet e mëdha që ia bënë dhe po ia bëjnë idealeve të shumë brezave dhe brezit të UÇK-së që për liri e atdhe sakrifikuan më se shumti. Vetëm në luftën e fundit, për Kosovën u flijuan mbi 13.000 shqiptarë!

Dhe të gjithë se bashku po bëjmë sehire para një mashtrimi të madh që vjen nga një mashtrues i zhdërvjellët vetëm për prapësi!

Shkurt, shqiptarët nuk e kanë asnjë arsyeje që t’i frikësohen ndryshimeve mbi baza etnike në Ballkan. Por a është e sa është e mundur kjo? Kjo është çështje tjetër e cila gjithsesi e kërkon përgjigjën e duhur e të pushuar mirë e mirë!

Ecja pas pehlivanit, veç e veç a sëp bashku, kombin e çon në theqafje!