OpEd

Ramush Haradinaj: Jam në gjendje ta gjuaj me grushta Albinin nëse më thirrë hejn

Ky kabllogram “sportiv” nuk më arriti nga përfaqësuesi i turnamentit të boksit “Adem Jashari”, por kishte qenë deklaratë e kryeministrit të Kosovës!!! Unë jam i vetëdijshëm për deklaratat e tij të mëhershme se “ky është i gatuar për sporte të rënda”, por më duket se kjo qasje po e tejkalon edhe këtë ambicie të kryeministrit

Ky kabllogram nuk më arriti nga përfaqësuesi i turnamentit të boksit “Adem Jashari”, por kishte qenë deklaratë e kryeministrit të Kosovës!!! Unë jam i vetëdijshëm për deklaratat e tij të mëhershme se “ky është i gatuar për sporte të rënda”, por më duket se kjo po e tejkalon edhe këtë ambicie të kryeministrit. Po sa njeriun e dëgjoj unë që i referohet me këtë emër pezhorativ mend e zarar, edhe sikur t’i angazhojë të gjithë 80 zëvendësministrat që të godasin grusht secilin qytetar i cili do t’i drejtohej kryeministrit me emrin “hajn”, po qe se raportet e tyre të punës do të plotësoheshin, do të bëheshin kuptimplota dhe do të arsyetonin punën e tyre, por normën prapëseprapë nuk do të arrinin që ta përmbushnin.

Kryeministri do të duhej t’i angazhonte edhe ata entuziastët e “boksit” para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të cilët e godasin atë makinën që ua mat forcën e goditjes. Mund ta formojë një ushtri të tërë veteranësh të sjelljes me boks me entuziastë të tillë. Ka edhe nga ata që kur e godasin atë makinë ia aktivizojnë edhe alarmin. Goditja e tyre ndaj ndonjë qytetari, i cili do ta thërriste kryeministrin “hajn”, do t’ia fikte kandilat për një kohë të gjatë qytetarit. Si ambasador i Kosovës në “Facbook” dhe në platformat e tjera sociale këshillat i kam pa pagesë. Gjithçka për të “mirën” dhe “avancimin e mirëqenies” së popullit. Në Shqipëri, Enver Hoxha e pati parullën “do hamë bar”, Edi Rama e shndërroi në “do pimë bar”, ndërsa në Kosovë Ramush Haradinaj sapo e zbuloi parullën “do hamë grushte”, assesi të dilet nga nocioni i të ngrënit diçka, ehhhh! ...

E hënë, 3.9.2018

Ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë thotë se marrëveshja me Serbinë i sjell Kosovës njohje të reja

Është një shumë e veçantë diplomatike kur lexon kësi lloj kabllogrami diplomatik e ende as nuk i ke hapur sytë mirë në mëngjes dhe as nuk e ke pirë kafenë e mëngjesit.

Përgatitja diplomatike që e kam më thotë se ky ministër vjen me një mollë sherri me këtë deklaratë, sidomos kur të kihet parasysh fakti se Rumania nuk e njeh Kosovën dhe ka probleme të brendshme me Moldavinë, si dhe me pakicën hungareze. E për cilat njohje flet ky ministër dhe nga kush? Kësi karremash amatoreskë nga përfaqësues shtetesh që kanë qenë indiferente ndaj Pavarësisë së Kosovës në mua lënë shije të hidhët dhe skam se si të mos i kujtoj fjalët e moçme “kujdes nga ‘armiku’ i cili të vjen me dhurata”.

E mërkurë, 5.9.2018

Lufta e Filozofëve Partiakë

Është specialitet i kuzhinave partiake të Ballkanit që në kuadër të tyre të kenë edhe filozofët kujdestarë të cilët i mbrojnë dhe i shpjegojnë në mënyrë filozofike qëndrimet e tyre partiake e më shpesh edhe ato të liderëve të tyre partiakë. Kjo me qëllimin që partia të perceptohet sa më e kompletuar, sa më e qartë për vizionin dhe misionin e saj, si dhe të bëhet portretizimi filozofik i shefit. Në Kosovë mund të kemi më shumë të tillë, por unë do të përqendrohem tek dy nga ta: Blerim Latifi dhe Elvis Hoxha. U përkasin spektrave diametralisht të kundërt dhe përfaqësojnë partitë e antoganizuara, njërës të pushtetit dhe tjetrës të opozitës aktive në Kosovë. Unë problemin më të madh e kam me Blerimin, i cili duhet të ketë studiuar Kantin, Hegelin, Platonin, si dhe shumë filozofë të tjerë të cilëve sigurisht se u rrotullohen eshtrat në varr nëse ata citohen për diçka që Blerimi do të dëshironte të dërgonte si mesazh filozofik për të arsyetuar shefin dhe qëndrimet e tij. Do ta kuptoja sikur shefi i tij të kishte bagazh të filozofisë e cila e tejkalon atë të “24 pleqve në odë” e për analogji do të thosha se tentimet e tij filozofike mbesin si të provosh të futesh në “Facebook” dhe të shkruash status dhe të postosh selfie me telefonin e vjetër analog me zymbërlek. Nuk janë kompatibil dhe janë jashtë kohe dhe hapësire. Kur fjalori politik i shefit për 20 vjetët e fundit përbëhet jo më shumë se 20 fjali të thjeshta e të zgjeruara, është mesele në vete t’u japësh kahe filozofike, por ja që Blerimi nuk heziton. Sa i “ëmbël” është pushteti dhe dhuratat e shpërblimet e “vockla” që ai i bart. Të kthehem pak tek Elvisi. Fillimisht të sqarohem se unë nuk jam anëtar i asnjërës nga partitë politike në Kosovë dhe gjërat i vlerësoj vetëm nga këndi i një qytetari aktiv dhe asgjë më shumë. Shefi partiak i Elvisit, Albini, në krahasim me shefin e Blerimit, Hashimi, është akademi e shkencave në vete. Ne mund të mos pajtohemi apo kuptohemi me Albinin në shumë gjëra, por t’ia veshësh epitetin e një injoranti apo njeriu të painformuar të shekullit 21 do të të vendoste ty aty në krye të kampit të injorantëve.

Kur i dëgjon intervistat e Elivs Hoxhës, elokuencës në të folur, shpjegimit të shembujve, analogjitë, argumente të vizionit partiak, si dhe vizionit të shefit të tij partiak e kupton se ke të bësh me një intelektual të kalibrit të lartë të cilit do t’ia kisha lakmi edhe po të kisha oponent politik dhe do të thosha në vete “unë kur të rritem do të dëshiroja të bëhesha si Elvisi”. Do e ripërsëris edhe një herë, nuk jam as anëtar e aq më pak militant i Vetëvendosjes, mirëpo nuk mundem e të mos e pyes veten se ku do të ishte Kosova sot sikur raportet shef - filozof partiak të ishin të njëjtat sikur raporti Albin/Elvis. Ajo që dëshiroj të potencoj është se filozofi partiak nuk duhet ta ketë rolin e spin doktorit në kuadër të partisë e as të shesë dushk për gogla, mirëpo me pranimin e rolit që të jesh filozof partiak i Hashimit të bën pikërisht të tillë, “shitës i vajit të gjarprit”, “shitës mjegulle”, “pallavragji odash në steroide”. Sa është populli i vetëdijshëm dhe i përgatitur intelektualisht për qasjen e këtyre filozofëve nuk e di, por PISA - rezultatet e nxënësve më bëjnë që të ndihem i brengosur.

Për fund do të dëshiroja që të shihja një përballje direkte me debat publik të këtyre dy figurave dhe atëherë edhe ju të cilët mund të keni mëdyshjet e juaja se për çka e kam fjalën do të bindeshit në këto që i them, pavarësisht preferencave tuaja politike. Fundjave kurrë nuk pamë as debate direkte publike ndërmjet shefave të tyre (përjashto fjalimet në Kuvend). E pse ndodh një gjë e tillë ua lë juve që të gjeni përgjigjen në kokën tuaj!

Seanca e Kuvendit: Këta janë negociatorët e propozuar nga Haradinaj

Kryeministri i Qeverisë së shantazhuar nga vetë partitë e koalicionit qeveritar doli me një listë emrash të negociatorëve me Serbinë. Kryesues i saj do të jetë Fatmir Limaj?1? Anëtarët e tjerë janë: Behgjet Pacolli, Avni Arifi, Mahir Jagxhilar dhe Dardan Pishtolja (Gashi). Më çuditi fakti që në këtë listë nuk gjendet edhe emri i Baton Haxhiut, pasi që të gjithë sekserët janë në numër. Nuk e kam të qartë nëse emërimi i tyre do të thotë se Hashimit i hiqet ajo kompetencë. Nëse Hashimi ende mbetet kryesues i bisedimeve, atëherë të lartemëruarit e kanë për detyrë që vetëm të mundohen ta nxjerrin macen nga përsheshi. Ajo aftësia e ime e regjur diplomatike për të lexuar midis rreshtash dhe mosemërimi i Baton Haxhiut kartografit më të njohur ballkanik e edhe më gjerë, më bën të kuptoj se kjo është një përpjekje e zaift e Ramushit për t’i treguar Hashimit se edhe unë kam muskuj, edhe unë vrapoj në Gërmi dhe bëj skleka. Motoja e padeklaruar e këtij ekipi negociues për Kosovën është “ E duam Kosovën deri në centin e fundit”, mos e lexoni gabimisht, nuk e thashë centimetrin e fundit, por centin, ndërkaq roli i Dardan Pishtoles (Gashit) paksa më mbetet enigmatik në këtë ekip. Nuk po e shoh në horizont një këngë të dytë “Ministrit në Bruksel shkun e i thanë, Dardan Gashi ... “, Isa Boletini jetoi dhe veproi para më shumë se 100 vjetësh në rrethana të tjera historike.

E enjte, 6.9.2018

Labi flet përsëri për dorëheqjen - thotë se nuk është pishman

Kam pasur rastin të takohem me Labinot Tahirin gjatë një mbrëmjeje muzikore në “Rinora 4” në Zurich. Ishim duke ndenjur jashtë lokalit dhe në një moment ai në bisedë edhe me pronarët e lokalit i shprehu ambiciet e tij politike për t’u bërë kryetar i Komunës së Ferizajt, tha se do të garonte në zgjedhjet e radhës. Aty i thashë; po rri ore Lab se mirë je me muzikën. Labinotin nuk e pamë të konkurronte për të parin e Ferizajt, mirëpo e pamë në garën për deputet në Kuvendin e Kosovës. Si kandidat i AKR-së ai mori votat e nevojshme dhe u bë deputet. Angazhimet e tij dhe faktorizimi i vetes së tij me deklarata dhe qëndrime që ndërronin brenda ditës e bënë pikërisht atë që unë i druhesha qysh në momentin kur ai i shpërfaqi ambiciet e tij politike në takimin tonë të rastësishëm në “Rinora 4”. Ai përsëri në vazhdën e deklarimeve të tij kontroverse të cilat ndërrojnë brenda ditës, njëjtë si një këngë e porositur me një salvetë letre me 10 euro brenda në të, Labi na sjell “gëzim dhe hare” me salto mortalet e tij politike. Dorëheqja nga AKR-ja e më pas pishmanllëku me kërkesën për emërimin e një ministri nga Ferizaj mua personalisht më lënë të kuptoj se Labi nuk mund të dalë nga sjelljet e tezgave të tij muzikore, ku dëshirat muzikore vijnë të mbështjella me një salvetë letre dhe 10 euro brenda saj. Kujt i dërgon Labi salveta me dëshira politike e kemi të qartë se është Behgjet Pacolli, njeriu që rreth vetes mbledh vetëm intrigantë dhe shantazues të profileve të ndryshme.