OpEd

Mashtrimi i madh

Të gjendur në këtë skemë mashtrimi masiv, drejtuesit e shtetit të Kosovës nuk kishin alternativë tjetër pos ta kërcënojnë dhe fyejnë Blakajn, e indirekt edhe prokurorin tjetër që nesër mund të marrë në dorë dosjen “Veterani”. Ata për herë të parë u treguan edhe të sinqertë. Nuk bënë diplomaci, nuk i ranë rrotull dhe nuk i bishtnuan së vërtetës. Treguan hapur se si për 20 vjet këtë gjuhë të përdorur ndaj Blakajt e kanë përdorur edhe ndaj të tjerëve të punësuar në sistemin e drejtësisë

Për ish-prokurorin e Shtetit në Shqipëri, Adriatik Llalla, së fundi janë hedhur dyshime se nuk e ka diplomën e shkollës së mesme. Edhe dosja e tij gjatë kohës që ushtronte detyrën e prokurorit të shtetit është zhdukur nga arkivat e Fakultetit të Drejtësisë, ku ai ka kryer studimet.

Por ky nuk është as “krimi” e as halli i vetëm i atij që në momentin e ardhjes në krye të këtij institucioni kishte mbështetjen e plotë të Ilir Metës, Sali Berishës e të Edi Ramës. Mbi Llallën rëndojnë akuza të tjera të rënda. Është nën hetim për pastrim parash dhe për korrupsion. Për shkak të dyshimeve për veprimtari kriminale, SHBA-ja e ka shpallur person “non grata”, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ia ka konfiskuar pasurinë, vlera e së cilës arrin në një milion euro.

Llalla, i cili në ditët kur ndihej i gjithëpushtetshëm dhe maste “forcën” edhe me ambasadorin amerikan Donald Lu, është larguar vullnetarisht nga sistemi i drejtësisë. E ka disa muaj që është larguar edhe nga Shqipëria. Nuk ka pritur t’i nënshtrohet Vettingut (rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve), “një procesi që ka për qëllim rritjen profesionale të tyre, luftimin e korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar, politikës dhe elementëve të tjerë të paligjshëm në ndarjen e drejtësisë”.

Edhe për homologun e Llallës në Kosovë, Aleksandër Lumezi, është thënë se nuk është krejt në rregull me shkollimin. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka publikuar dëshmi që sipas tij vërtetojnë se Lumezi e ka falsifikuar provimin e jurisprudencës. E ndërkohë, akuzat ndaj tij janë shtrirë edhe në nivele të tjera, sidomos pas publikimit të bisedave në rastin “Pronto” ku zyrtarë të lartë të PDK-së ia konfirmojnë shefit të tyre afërsinë me Lumezin dhe të njëjtit vlerësojnë se ai mund t’u shërbejë më shumë aty ku është sot.

Kryeprokurorit të Shtetit nga shoqëria civile i faturohen edhe dështimet për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Për të dhe për institucionin që drejton thonë se janë kapur nga politika dhe se u shërbejnë verbërisht atyre.

Por Lumezi ka qenë më me fat se kolegu i tij në Tiranë, Adriatik Llalla. Akuzave se nuk i shërben drejtësisë, por strukturave politike u ka dhënë vetë përgjigje në paraqitjet publike – i ka hedhur poshtë. Punë e madhe nëse i ka besuar dikush. Ka gjykuar vetë edhe rreth dyshimit për falsifikim të jurisprudencës - gjithçka sipas tij është në rregull me dosjen.

Lumezit nuk i është hetuar provimi i jurisprudencës nga hetues të pavarur e as nuk i është bërë vlerësimi i performancës. Ai ende mbrohet fort nga strukturat politike. Kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Veseli dhe lideri i LDK-së, Mustafa, publikisht i kanë dhënë mbështetje atij, pas publikimit të skandalit me 20 mijë veteranët mashtrues. E prokurori Elez Blakaj që hetonte krimin më të madh të pasluftës, që drejtoi gishtin nga Lumezi e Haradinaj për pengim të hetimeve dhe që u detyrua të braktisë vendin – nga të njëjtit u quajt hajn, frikacak, mashtrues e çfarë jo tjetër.

PDK-ja, AAK-ja, tash u mor vesh edhe LDK-ja, me të drejtë janë vënë në anën e krimit. Kanë krijuar lista të gjata të klientëve të tyre dhe ato i kanë përtërirë nëpërmjet “gradimit” në veteranë dhe në “viktima” të luftës. Këto parti, të tilla metoda kanë përdorur gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Me qëllim të mbijetesës në skenën politike kanë tejngopur institucionet qendrore dhe ato lokale – me afro 100 mijë të punësuar. Për t’u bërë vend qytetarëve që votën e tyre e nxjerrin në shitje kanë shpikur me dhjetëra agjenci e organizata të varura (përfshirë edhe ato që do të duhej të ishin të pavarura). Kanë futur nën kontroll ndërmarrjet shoqërore që së bashku mbajnë me zor mbi 20 mijë të punësuar (vetëm PTK-ja dhe KEK-u, me afro 10 mijë). Partitë politike që kanë pasur hise në pushtet, kanë rritur artificialisht numrin e personave në asistencë sociale. Pensione marrin edhe të punësuarit, edhe të vdekurit. Dhe kur është bërë e vështirë marrja e pushtetit ata kanë vënë në përdorim kartën e fundit. Kanë shfrytëzuar kërkesën e veteranëve për mbështetje ligjore, për të akomoduar në sistemin e pagesave jo vetëm meritorët, por edhe qytetarë me prirje mashtruese dhe që nuk kanë qenë fare të përfshirë në formacionet e UÇK-së.

Mashtruesit, thënë të vërtetën, nuk e kanë pasur kollaj të marrin statusin e veteranit. Sipas dëshmive, vendimmarrësit ua kanë marrë aplikantëve mesatarisht nga 3 mijë euro. Shuma e shpenzuar/fituar në total ka arritur në afro 60 milionë euro. Pra, fitimi i trefishtë për strukturat politike – votë, pushtet, para.

Hajde tash merr vendim për të rishikuar listat, hajde çohu e shpalli mashtrues ata që të kanë dhënë mijëra euro për një certifikatë. Të gjendur në këtë skemë mashtrimi masiv, drejtuesit e shtetit të Kosovës nuk kishin alternativë tjetër pos ta kërcënojnë dhe fyejnë Blakajn, e indirekt edhe prokurorin tjetër që mund të marrë në dorë dosjen “Veterani”. Ata për herë të parë u treguan edhe të sinqertë. Nuk bënë diplomaci, nuk i ranë rrotull dhe nuk i bishtnuan së vërtetës. Treguan hapur se si për 20 vjet këtë gjuhë të përdorur ndaj Blakajt e kanë përdorur edhe ndaj të tjerëve të punësuar në sistemin e drejtësisë e të sigurisë. Treguan se ashtu si veteranët e rrejshëm, kanë arritur të “infektojnë” qindra e mijëra njerëz të tjerë duke i joshur e shpërblyer me vende pune, pensione, grante qeveritare, bursa shkollimi... Se kështu kanë siguruar murin e gjallë mbrojtës e me të votën dhe pushtetin.

Parë nga përmasa e skandalit, debati për dhe me Blakajn më duket i mbyllur. Është e parëndësishme nëse ai e kishte njëmend ta çonte deri në fund hetimin, nëse këtë e bënte për para apo për ndonjë motiv shtesë personal. Për ne, trishtues duhet të jetë e dhëna se si njerëzit që u është besuar drejtimi i shtetit, i institucioneve dhe partive politike janë në gjendje me shumë lehtësi t’u marrin miliona euro qytetarëve të ndershëm dhe t’ua japin të njëjtat mashtruesve. Se si politika aktuale e promovon kulturën e mashtrimit, keqpërdorimit e të kërcënimit.

Mesazh më të keq nuk gjen as në pushtetet mesjetare, e as në ato diktatoriale.