OpEd

E vërteta neveritëse

Pa u pastruar Kosova nga zyrtarë mashtrues, veteranë të rremë, nga gllabërues skemash, nga politikanë diletantë, nuk ka ecje përpara. Do të ketë rrëshqitje edhe më të thellë prapa, aty prej nga me shumë mund e para na nxorën aeroplanët e NATO-s, që fundja as që na e kanë pasur borxh. Jam shumë e bindur se po të kishin ditur aleatët perëndimorë se çfarë mileti i mbrapshtë jemi treguar, nuk ishin lodhur fort të na ndihmojnë të mbijetojmë. Do të kishin konkluduar se e gjithë ajo fushatë nuk ia ka vlejtur, sepse po dëshmojmë dita më ditë se nuk e paskemi merituar, ngase shpejt e zhvlerësuam edhe vetë shpëtimin

Kosova zyrtarisht i ka 46.270 veteranë të luftës së fundit. Këta buxhetit të shtetit i kushtojnë 94 milionë euro në vit.

* * *

PRISHTINË, 11 SHTATOR 1999 (REUTERS) - Lideri ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shprehur të shtunën se ish-luftëtarët brenda këtyre tri ditëve do të përmbushin zotimin e tyre, që të demilitarizohen deri më 19 shtator.

“Deri më 19 shtator do të ketë 10.000 të mobilizuar të UÇK-së, pas kësaj date, nuk do të jetë asnjë... përfshirë këtu edhe mua”, thotë (Agim) Çeku. (...) “Nuk është e vështirë për këdo që të sigurojë një uniformë të UÇK-së... mund të gjesh kudo në Kosovë apo Shqipëri. Sot, ka shumë njerëz që thonë se ishin pjesëtarë të UÇK-së. Sikur t'i kishim kaq shumë njerëz në UÇK, aq sa po thonë se janë sot, nuk do të na nevojitej fare ndihma e bashkësisë ndërkombëtare për ta çliruar Kosovën”.

PRISHTINË, 17 GUSHT 2018 (KOHA DITORE) “Nga 200 sa kanë qenë, janë bërë 500 dëshmorë. Ka raste kur ushtarët kanë vdekur në aksidente paslufte e tani figurojnë si dëshmorë”, thuhet në procesverbalin e audioincizimin e mbledhjes së Komisionit të datës 9 shkurt 2015. Deputeti Demaliaj në minutën e 49-të e konfirmon se kanë bërë “dallavere” me dëshmorë, por, sipas tij, për këtë e kanë pasur një arsye. “Shkumbin Demaliaj në minutën 49:30 e pranon se ka bërë lëshime vazhdimisht tek disa raste, siç është rasti me familjarët e dëshmorëve, të cilët janë bërë veteranë me qëllim që të mos i lërë tek kategoria e dezertorëve”, thuhet në procesverbal e audioincizim të cituar në aktakuzë.

Askush deri në marsin e vitit 2016, sipas aktakuzës, nuk kishte dëgjuar për brigadën “Hasan Prishtina”. Tek pika e rendit të ditës reagon edhe Nuredin Lushtaku, duke thënë se në Zonën operative të Drenicës ka dalë në pah edhe një brigadë ‘Hasan Prishtina’”, citohet transkripti në aktakuzë. Lushtaku kishte tentuar të “bënte zgjidhje”. Në fund ishte bindur që t’ua njohë edhe “ushtarëve të kësaj brigade” statusin. “Me gjithë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje me komandantët e asaj brigade, një gjë e tillë nuk ishte arritur e po ashtu Faik Fazliu e konfirmon atë çfarë e thotë Nuredin Lushtaku, se kjo brigadë nuk ka ekzistuar fare”, thuhet në aktakuzë.

* * *

Prokurori ka vlerësuar se rreth 19.000 janë veteranë të rremë, e këta shtetit i kushtojnë rreth 38 milionë euro në vit.

Neveritshëm

Nuk praj së përsërituri se nuk ma ka marrë mendja kurrë se jemi të këtillë çfarë po tregohemi. As në fund të mendjes nuk do të më kishte shkuar ideja se i gjithë ai mund që e kemi shkrirë si kolektivitet në përpjekjen për çlirim, do të devalvohej kështu, kaq lehtë, nga një grusht hajnash që në formë të orkestruar dhe shumë sistematike ia nxorën yndyrën këtij vendi.

Super manipulimi që doli nga regjistrimi i “veteranëve” të vetmen gjë që arriti ta bëjë është ta diskreditojë dhe zhvlerësojë plotësisht vetë UÇK-në dhe luftën përnjëmend që e kanë bërë ata që veshën uniformën në fillim të luftës dhe që e zhveshën vetëm njëherë, atëherë kur ajo përfundoi.

Manipulimi madje edhe me numrin e dëshmorëve është neveritës. Ata që humbën jetën nga plumbi në fushëbetejë, u barazuan me ata që humbën jetën paslufte, qoftë në zënka për prona qoftë në aksidente komunikacioni. Është veprim aq i ndryrë sa edhe ofendues ndaj atyre që mbetën në frontet e luftës, duke u përpjekur për ta shpëtuar popullatën civile që e kanë pasur nën njëfarë mbrojtje, sado simbolike të ketë qenë ajo.

Kulminacioni vjen me shpalljen veteran të dezertorëve -- të cilët dëshmojnë se nuk kanë ama bash kurrfarë ndërgjegje: lëre që njëherë kanë ikur dhe e kanë braktisur frontin, por tash edhe shpallen veteranë për ta mbuluar marrën -- dhe për më tepër shesin mend dhe krenohen me libreza e pensione. Ikja nga fronti, i cili ka kaluar pa ndëshkuar nga vetë ushtria, do të ishte më mirë po të kishte mbetur e heshtur. Fundja koha i shëron plagët, ani që kjo do të duhej të ishte vragë e thellë në ndërgjegjen e secilit që ka vepruar kështu. Frika është një diçka me të cilën lindim. Rrena është një diçka që e mësojmë për të përfituar, e mashtruar, e vjedhur, e imponuar...

Kapaku është krijimi i një brigade për akomodimin e kushërinjve a për larjen e favoreve. Nuk kanë qenë të pakta përqeshjet që u bëheshin emrave të brigadave të UÇK-së, ngase më parë u ngjanin dhomave të hoteleve sesa një ushtrie që rendin e nis me numrin 1. UÇK-ja nuk pati as brigadë të parë, e as të dytë, por gjithmonë pati brigada treshifrore të cilat, qysh do të thoshte njëri nga komandantët e saj, Rexhep Selimi, kurrë nuk mundën të “populloheshin” me më shumë se 20 mijë pjesëtarë.

A nuk keni bile pak inat?

Aktakuza të cilën e ka përgatitur dhe nënshkruar Elez Blakaj, përmban procesverbale të mbledhjeve të komisionit që mban epitetin “shtetëror” për veteranët. Vetë mënyra e diskutimit aty brenda tregon se të gjithë anëtarët (me ca përjashtime) i kishin hyrë valles për të kryer punë për njerëzit e tyre. Do të mundë të mendohej se edhe ndonjë do të jetë bërë në kundërshpërblim për para..., por ec e dije, përderisa nuk del e flet ndonjëri nga ta.

Nga njerëzit që kanë dhënë betime në front e edhe në institucione, kjo ndërmarrje ka dëshmuar se përherë kanë gënjyer dhe se në fakt nuk i kanë besuar as vetes, e aq më pak idealit për të cilin thonë se kanë luftuar. Në fakt, po del se kanë luftuar për të grabitur maksimumin e asaj që munden, për ta pasuruar veten dhe njerëzit e afërt me ta dhe me partitë e tyre.

Po si nuk iu erdh inati që të barazoheshin ata që vërtet kanë luftuar, me ata që kanë ndenjur në shtëpi, që kanë dezertuar, që e kanë pasur për obligim të ndihmojnë, se ashtu ua dikton feja, që kanë kënduar e që thonë se i kanë bartur ca ndihma aty-këtu. Po secili prej nesh e ka ndihmuar, kush më shumë e kush më pak, këtë luftë në formën e vet. Por vetëm ata që kanë qëndruar në front dhe e kanë rrezikuar jetën me pushkët që i kanë shkrepur kundër policisë e ushtrisë serbe, e kanë merituar ta bartin titullin e veteranit. Dhe kjo, vetëm ata që kanë qenë të mobilizuar prej fillimit deri në fund, qoftë edhe të plagosur, e jo ata që i kanë veshur uniformat një muaj pa përfunduar lufta dhe që kanë ndenjur nëpër qoshe për të “hyrë të parët për ta çliruar” këtë apo atë qytet.

Si nuk iu erdh inati vetëm pak për të thënë se një ushtar me ideal nuk mund të pranojë të manipulohet nga askush për asnjë arsye në këtë botë, sidomos kur përsërisin deri në lodhje se “lufta e UÇK-së ka qenë e shenjtë”. E shenjtë? Të shenjtët, thuhet, se kanë bërë mrekulli dhe gjithashtu thuhet se shpallen të shenjtë se janë të pastër. E kjo me listat e veteranëve është shumë larg pastërtisë, e shumë afër neverisë.

Alarmi i fundit

Dorëheqja e prokurorit Elezi është e mirë dhe e keqe njëkohësisht. Qe veprimi më i mençur që ka mundur ta bëjë një njeri, i cili do t'u jetë nënshtruar presioneve të shumëllojshme prej të gjitha anëve që të mos ngrinte aktakuzë, për shkak se bëhej fjalë për peshq të mesëm. Aktakuzën e nënshkruar qysh më 11 korrik 2018, e ka depozituar te shefi i Prokurorisë Speciale, për shkak se greva në administratën e gjyqësisë ia kishte pamundësuar dërgimin e lëndës në gjykatën kompetente. Porse greva ka përfunduar moti, kurse aktakuza tashmë e nënshkruar, që në asnjë variant nuk mund të quhet draft, nuk dërgohej në gjykatë.

Me dorëheqjen e tij, e bëri të ditur se Prokuroria e Shtetit qëllimisht po e zvarriste procedurën -- qoftë për t'ia humbur gjurmët, qoftë për ta “korrigjuar ndonjë kufi” aty brenda e të hiqej ndonjë emër. Me dorëheqjen e tij tregoi se ky sistem mbase edhe ka prokurorë me integritet -- ngase më parë vendos të mos jetë pjesë e mungesës së sundimit të ligjit, sesa të bëhet mashë e kontrolluesve të Prokurorisë dhe të gjykatave.

Nga ana tjetër, lajmi i keq është se një njeri për të cilin do të mundë të thuhet se ka integritet dhe se e ka kryer punën e tij profesionalisht në këtë rast, pa iu frikësuar kërcënimeve nga eprorët ose edhe të tjerët -- e lë punën ngase nuk ka as siguri fizike, e as siguri profesionale që lënda mund të shkojë deri në fund dhe të marrë epilog meritor.

Është shenjë e madhe alarmi se krimi i organizuar ia ka vënë lakun policisë, Prokurorisë dhe gjykatave, duke lënë shumë pak hapësirë për të shpresuar se dikur drejtësia do të vihet në vend.

Ajo që do të duhej pritur tash është që aktakuza të shkojë në gjykatë e që lënda t'i ndahet një gjykatësi me integritet, i cili mbase në fund të procesit do të mundë të kërkonte azil diku në Perëndim, porse që do t'i gjente fajtorë hajnat e parave të popullit, që e mbulojnë me vellon e turpit jo vetëm UÇK-në, por edhe të gjithë Kosovën. Se a do të gjendet një hero në mesin e gjykatësve mbetet të shihet.

* * *

Opozitë, nëse e keni përnjëmend me e marrë pushtetin për të bërë ndryshime, punën e parë që do të duhej ta bënit është qysh tash ta aranzhoni çështjen e vetingut, të cilin kaq shpesh e kanë përsëritur kolegët nga IKD-ja. Por jo të vetingut për të parë se sa pasuri kanë këta zyrtarë (ani pse edhe ajo është shumë me rëndësi), por për të vlerësuar se sa kanë qenë efikas në detyrat për të cilat kanë qenë përgjegjës me vite të tëra. Dhe natyrisht, këtë veting nuk do të duhej ta bënin njerëzit e kalibrit të komisionit të veteranëve, por njerëz jashtë sistemit, të ndihmuar nga të huajt, që do të mundë ta bënin këtë vlerësim objektivisht dhe pa interesa hajnie.

Nëse e keni seriozisht, atë veting do të duhej ta kryenit edhe brenda strukturave tuaja, ashtu që të kufizohet maksimalisht mundësia që mashtruesit dhe rrencat të bëhen pjesë e komisioneve që vendosin për miliona euro që mezi po i mbledhim.

Pa u pastruar Kosova nga zyrtarë mashtrues, veteranë të rremë, nga gllabërues skemash, nga politikanë diletantë, nuk ka ecje përpara. Do të ketë rrëshqitje edhe më të thellë prapa, aty prej nga me shumë mund e para na nxorën aeroplanët e NATO-s, që fundja as që na e kanë pasur borxh. Jam shumë e bindur se po të kishin ditur aleatët perëndimorë se çfarë mileti i mbrapshtë jemi treguar, nuk ishin lodhur fort të na ndihmojnë të mbijetojmë. Do të kishin konkluduar se e gjithë ajo fushatë nuk ia ka vlejtur, sepse po dëshmojmë dita më ditë se nuk e paskemi merituar, ngase shpejt e zhvlerësuam edhe vetë shpëtimin.

flaka@koha.net