OpEd

Tri leçet në Shëngjin

Unë i kërkoj falje lexuesit që mund t’ia kem gërditur trileçen e bukur shqiptare, ëmbëlsirën aq të preferuar ndër ne, por, duke pasur parasysh se gati jemi në fundin e sezonit turistik, unë mbes me shpresën që bregdetit shqiptar dhe lokaleve hoteliere mos t’u kem shkaktuar humbje në shitjen e trileçeve

E shtunë, 11.8.2018

Me siguri mendoni se ka ndodhur ndonjë gabim shtypi në emërtimin e ëmbëlsirës aq të popullarizuar dhe të shijshme shqiptare, por më duhet që t’ju zhgënjej, sepse nuk bëhet fjalë për gabim të tillë e as për ëmbëlsirën. Bëhet fjalë për tri leçet e shoqërisë publike kosovare, Hashim Thaçin, Behgjet Pacollin dhe ndrikullën e tyre Baton Haxhiun. Dy janë leçe politike, dhe po e dini për cilët bëhet fjalë, ndërsa ai i treti leçe mediale.

“Tri Amigosat” jo gjithnjë kanë qenë në marrëdhënie të mira ndërmjet vete dhe do të duhej të jetë një zor (interes) i madh që ky “Trio përsheshi” të takohet në jahtin e biznesmenit aka ministrit të Punëve të Jashtme, aka zëvendëskryeministrit të Kosovës, aka kryetarit kundërkushtetues të Kosovës, Behgjet Pacolli. Disi, kur e analizon, vetëm Batoni na del ai që gjithnjë ka qenë “vezist” (ndërlidhës) në të gjitha regjimet dhe sistemet, në të gjitha qeveritë e rëna e të ngritura këndej e andej gardhit.

Këto dy figurat e tjera qesharake të politikës kosovare pak a shumë i kanë ndërruar rolet e njëjta qeveritare ndërmjet vete “zhdryp ti se po hypi unë”. Se çfarë bëjnë në jaht këta të tre së bashku nuk më duket etike të merrem me privatësinë e askujt dhe është e drejtë e tyre e pacenueshme edhe me Kushtetutë. Por, lojërat e pista të prapaskenave dhe kalkulimeve të tyre të poshtra politike s’kanë të bëjnë me etikën. Është detyrë dhe obligim imi diplomatik, si dhe qytetar për të ngritur brengat e mia, ngase çorbat e tyre i kemi shijuar edhe më parë. Të gjitha kalkulimet e tyre zbërthehen në “e çka fitoj unë nga kjo”? Pra, unë në vetën e parë të tyre. Kombinatorikat, akrobatikat, makinacionet dhe pozicionet janë gjëra ideale për t’u diskutuar në jaht nën rrezet e diellit, valëve të Adriatikut dhe verës së bardhë.

Unë i kërkoj falje lexuesit që mund t’ia kem gërditur trileçen e bukur shqiptare, ëmbëlsirën aq të preferuar ndër ne, por, duke pasur parasysh se gati jemi në fundin e sezonit turistik, unë mbes me shpresën që bregdetit shqiptar dhe lokaleve hoteliere mos t’u kem shkaktuar humbje në shitjen e trileçeve.

E hënë, 13.8.2018

Haradinaj: Të rinjtë tanë sot më shumë se kurrë kanë mundësi të ëndërrojnë

E lexova këtë titull në kabllogramet e radhës dhe, t’ju them të drejtën, “e lakmova” kryeministrin Haradinaj. Është kryeministër i 1.7 milionë banorëve, të cilët qe 19 vjet janë në gjumë të thellë, mirëpo është ai lloj gjumi që nga lodhja as të ëndërrosh nuk të lejon.

Kryeministri tash të rinjve u sugjeron se tani janë mundësitë më të mira për të ëndërruar, mirëpo nga gjumi nuk bën që të zgjohen. Zgjimi dhe realiteti janë të trishtë për ta. Prandaj kryeministri dhe Qeveria janë të interesuar që ninullat për gjumin dhe ëndrrat e të rinjve të vazhdojnë dhe më tej. Flini, flini.

Çuditen edhe mediat serbe: Iku nga burgu i Serbisë, u bë gjykatës në Kosovë

Kur e pranova këtë kabllogram fillimisht mendova mos është ndonjë nga ata kabllogramët e humbur në ndonjë kapsulë kohore të “Perëndimit të egër” të para ca shekujsh, ku banditi i fortë në qytet merr yllin e Sheriffit të vrarë dhe tani ai është Ligji dhe Maliqi në qytet. Mirëpo kjo fantazi e imja ishte jetëshkurtër kur e pashë datën e publikimit të këtij kabllogrami diplomatik. Nga kabllogramet e fqinjëve veriorë kuptova se Radomir Laban kishte ikur nga burgu në Serbi pasi që ishte dënuar për korrupsion, ndërsa në Kosovë me dekretimin e presidentit Hashim Thaçi ai është bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese. Z. Labani është në listat e Interpolit nga ana e shtetit të Serbisë.

Filozofinë e El Serpientes vështirë për ta kuptuar, mirëpo nga ajo që kuptoj në diplomaci mund të konkludoj se ky është direkt minim i shtetit të Kosovës. Krimineli i dënuar për korrupsion është kriminel dhe i tillë mbetet pavarësisht faktit se ne me Serbinë nuk kemi marrëdhënie të mira fqinjësore. Por të mëtosh që të njihesh nga Interpoli e në të njëjtën kohë të punësosh gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të shtetit tënd emri i të cilëve figuron në lista të tyre, në atë logjikën time diplomatike nuk po pi ujë. Mund të thoni ju, po në ato lista janë edhe komandantët e UÇK-së dhe Serbia asnjëherë nuk i ka tërhequr ato. Po kjo është e vërtetë, mirëpo ne assesi nuk guxojmë që me këto institucione ligjore ndërkombëtare ta luajmë rolin e agjitatorit dhe të sillemi si në “Perëndimin e egër” e që po besoj që presidenti Thaçi dhe protagonistët e tjerë mund të kenë qenë dashamirë të këtij zhanri të kinematografisë holivudiane. Ne kriminelin duhet ta quajmë kriminel kudo qoftë, që ai ta ketë bërë atë vepër, dhe jo ta shndërrojmë shtetin në oazë të amnistimit të tyre. Presidenti Thaçi deri më tani ka treguar shumë mirëkuptim për amnestimin e tyre dhe falë tij kemi mjaft të tillë të lirë rrugëve të OK Corralit.

E mërkurë, 15.8.2018

Protesta të ashpra antikorrupsion të diasporës në Rumani

Duke qenë ambasador i Kosovës në Facebook e rrjedhimisht në diasporë s’ka se si të mos më kapin ca të dridhura të trupit kur e lexoj këtë kabllogram. Diaspora e organizuar rumune nga vendet e ndryshme shkon në vendin e tyre për të bërë protesta kundër korrupsionit qeveritar. Këta nuk janë vend i izoluar, në fakt janë anëtarë të Bashkësisë Evropiane. Kabllogramin e lexova derisa isha në lokalin tim të preferuar. Tom, ma sjell edhe një cafe latte. Përvola mangët. Dua të shkoj në Kosovë. Dua të organizoj protesta të diasporës edhe unë. Kemi shumë më tepër arsye se që kanë rumunët. Hapa kalendarin tim të shikoja agjendën, të cilën e kam për 3 javët sa do të qëndroj në Kosovë.

20 gusht arritja në Kosovë. Kalimi nëpër kontrollin VIP diplomatik të aeroportit, ndonjë selfie me ndonjë polic kufitar. Taksi për në shtëpi. Pasi që fqinji im përkujdeset për banesën time, ai është gjithmonë i përpiktë që të kem ujë të ngrohtë kur të arrij. Një dush të shpejtë pas udhëtimit dhe dalja në Prishtinë pas 1 viti. Në mendje e kam protestën e diasporës që dua të organizoj. Dal te “Gjoni & Loni”, lokal ku sigurisht do të takoj fytyra që mund t’i njoh që nga fëmijëria. Për natën e parë s’dua ta ngarkoj askënd dhe do të doja që të përmallohesha me miq dhe me Prishtinën. 21 gusht, kalendari më thotë të shkoj në Komunë dhe ta paguaj tatimin mbi pronën. Punë që kryhet shpejt. Pas asaj një vizitë te dentisti. Kush ka hesap me pagu dentistin në Angli? Ma lirë në Kosovë. Shikoj ndoshta i bëj Zirkon. 22 gusht, synetia e djalit të Ajetit. Shkuan 100 euro për punë të karizmës së zakoneve tona. Por mund të përfundoja edhe më keq. Po të isha i martuar kësaj punës së karizmës do t’m’i shtohej buxhetit edhe së paku 500 euro më shumë me përgatitjen dhe shpenzimet e gruas për frizurë, fustan etj. Po mbas synetisë do të filloj të organizohem për protestat e diasporës. Do të shfrytëzoj autoritetin dhe reputacionin tim dhe do t’i ftoj masat që të më bashkëngjiten. 23 gusht, takimi te “Syla” në Prizren për qebapë me miqtë nga Prizreni. Po normalisht qysh shkon njeriu në Kosovë e nuk shkon te Syla me hëngër qebapë dhe kos të dhenve.

Kisha filluar sot me organizim të protestave, vetëm s’e di se mbas Sylës do të shkoj edhe tek ajo ëmbëltorja anash Shadërvanit dhe nga malli e pi një litër bozë. Duke qenë se jam me shtypje të ulët të gjakut, boza vetëm se do të më bënte të ndihesha shumë i përgjumur. Po nuk organizohen protestat në këtë gjendje. 23 gusht - 1 shtator, dua ta kaloj një javë në Sarandë. Për herë të fundit isha në verën e 2012-s. 1 javë do t’më mjaftojë që të bëj planin detaj të veprimit dhe organizimit. 1 shtator, kthehem në Prishtinë prej planit detaj të veprimit dhe organizimit, më ka mbetur vetëm lëkura e rrezitur dhe e pëlcitur, që ka filluar të më bjerë nga trupi dhe që duke e pirë ashtu makiaton e mëngjesit e qëroj ashtu pa vetëdije. Ka njëfarë lezeti. 2 shtatori. Vizita tek familjarët në Mitrovicë.

Do ta shuaj mallin me familjarët këtë ditë dhe më pas filloj me përgatitjet për protesta. 3 shtator. Vizita tek familjarët e tjerë në Gjakovë. Nuk mund të bëj ndasi. Edhe këta ndiejnë mall që të më takojnë, natyrisht edhe unë. 4 shtator. Do të shkruaj një status të sertë antiqeveritar në Facebook, e përcjell edhe në Twitter. Kjo është shenja e parë që organizimi im i protestave masive vetëm se ka filluar të marrë formë. 5 shtator. Martesa e Fidanit me Adelinën. Buxheti do t’më lehtësohet edhe për një bankënotë 100-euroshe. Por prapë unë kam ngushëllim, jam beqar. Ndoshta ndonjë këngë patriotike do të ma zgjojë muzën për organizimin e protestës masive. “Ministrit në Londër shkun e i thanë ....”, ehhh kjo ishte ajo që m’u desh. Nesër me mëngjes të filloj me organizim edhe shpërndarje të materialit të protestave. 6 shtator. Në kalendar e kam shënuar pushim pas dasmës. Çlodhje e trupit, shqisave të dëgjimit, gjymtyrëve të mpira.

7 Shtator. Ditëlindja e Shpata Lunas. Facebooku ma ka regjistruar këtë datë në kalendar. Si dosta që jemi, do ta thërras për t’ia uruar ditëlindjen edhe ndoshta do ta pimë nga një në “Papillon”, aty ku ndihem si në shtëpinë time. Mund ta pyes edhe për ndonjë ide për protestë. 8 shtator - kthimi për në Londër. Uuuu mbeta pa organizuar protesta.

E kështu si unë, me një dëshirë e një qëllim, ta japim biletën për shpëtim, ne diaspora kthehemi në vendet tona dhe vazhdojmë me protestat kundërkorrupsion në rrjete sociale, ku unë mbes përfaqësues i denjë i popullit.