OpEd

Dashuria nuk vret

Dashuria e vërtetë nuk vret, dhe martesa nuk mbahet me zor. Prandaj, burra kthjellohuni! Para se ta godisni gruan silleni pak në mend Pjetër Nrecajn, ku është tash ai dhe si e shkatërroi familjen me vetëdije. Pastaj merrni frymë thellë dhe zgjatjani dorën gruas. Jo për ta vrarë. As për ta grushtuar. Por për ta mbrojtur dhe për të ecur bashkë në jetë

Pjetër Nrecaj tash mund të flejë i qetë. “Shkaktarja” e të gjitha problemeve e vuajtjeve të tij nuk ekziston më. E eliminoi me breshëri kallashnikovi. Etja për hakmarrje ishte e fuqishme. Në çdo plumb që shkrepte atë natë të nxehtë gushti fliste egoja e tij. Zbrazej mllefi për të gjitha “t’zezat” që në mendjen e tij ia shkaktonte ish-bashkëshortja. Përmbyllej cikli gjashtëmbëdhjetëveçar i keqtrajtimit. Mizorisht.

Kur doli i prangosur para gjyqit Nrecaj u alivanos. Thuhet se aty e mori vesh se plumbat që kishte shkrepur në deliriumin për dhimbjet që po ia shkaktonte ish-bashkëshortes kishin shuar edhe jetën e njërit nga pesë fëmijët e tyre të përbashkët.

Nrecaj ishte një burrë i dhunshëm. S(a) mund të jetë reale dhimbja e një babai për fëmijën që me vite e ekspozonte ndaj dhunës që ushtronte mbi nënën e tij? Sikur t’i donte me të vërtetë fëmijët, ai do të tregonte respekt për nënën e tyre, nuk do ta lëndonte fizikisht çfarëdo qofshin “të zezat” që ia bënte. Do t’i mbizotëronte afeksionet e xhelozisë dhe do t’i kursente fëmijët nga traumat.

Por, jo. Nrecaj e donte më shumë veten. E donte fuqinë e gjithëpushtetshme mbi gruan e tij. Në momentin kur gruaja gjeti forcën dhe u largua nga shtëpia, egoja e tij “u lëndua”. Si mund ta braktisë gruaja një alamet burri? Nëse nuk do t’i përkasë atij, nuk do t’i përkasë asnjë burri tjetër. Obsesioni i Pjetrit tash është nën dhe.

A do të mundë të parandalohej vrasja e Valbona Nrecajt dhe e vajzës së saj nëntëvjeçare? Ka shumë raste që e dëshmojnë se burrat obsesivë si Pjetri s’ka gjë që i ndal nga fataliteti. Por rastin e Nrecajt institucionet e kishin në duar dhe neglizhenca e qasja e tyre joserioze i bën bashkëfajtorë në krim. Sikurse në shumë raste të mëhershme kur dështuan t’u ofrojnë mbrojtje grave që kërkuan ndihmë.

Krahasuar me vitet e mëhershme, Policia e Kosovës tani reagon më shpejt ndaj raportimeve të grave për kërcënime apo sjellje të dhunshme të burrave apo partnerëve të tyre. Por ende ka mangësi profesionale në qasjen ndaj këtyre rasteve.

Dhuna në familje është çështje shumë e ndjeshme. Mentaliteti shqiptar ende i stigmatizon gratë që e nxjerrin dhunën jashtë mureve të shtëpisë. Kur një grua telefonon apo shkon në stacion policie për të denoncuar bashkëshortin, vëllanë apo babanë e dhunshëm, ajo merr mbi vete shumë rreziqe. Çfarëdo qoftë epilogu ajo e di se veprimi i saj do të ketë pasoja. I denoncuari mund t’i hakmerret, ndërsa familja dhe rrethi do ta gjykojnë. Por shpesh ndodh që të “gjykohen”edhe në stacionet e policisë. Pikërisht nga ata që do të duhej të shprehnin mirëkuptim dhe t’u ofronin mbrojtje.

Zyrtarët përgjegjës për ofrimin e ndihmës juridike dhe të mbrojtjes për viktimat e dhunës nëpër stacionet e policisë kryesisht janë burra. Ngathtësia me të cilën i kryejnë procedurat dhe mënyra se si flasin krijojnë përshtypjen se ose nuk e njohin mirë punën, ose nuk brengosen fort kur shohin gra të përgjakura e të mavijosura nga grushtet e burrave apo asosh që dridhen nga shqetësimet dhe frika e kërcënimeve. Ndoshta sepse në ndërdije edhe vetë i paragjykojnë ato gra dhe e arsyetojnë dhunën e burrave mbi to. Nuk guxojnë ta thonë me fjalë, por në fytyrat e tyre mund të lexohet një “eu ç’na keni lodhë me këtë dhunën në familje”.

Një grua rrëfente se si një mesnatë e kishte denoncuar burrin e dhunshëm dhe policia mezi kishte arritur ta kapte atë në arrati e ta sillte në stacion, ndërsa hetuesi policor i ndërrimit të natës e luste përgjumshëm në telefon nga shtëpia: “A mundeni bre ta lini për nesër dhënien e deklaratës”. Thuajse gruaja kishte shkuar në stacion për të nënshkruar një kontratë shitblerjeje me burrin, e jo për të kërkuar çare nga dhuna që po e çonte drejt shkatërrimit fizik e emocional.

Në një rast tjetër zyrtari policor i mbante ligjërata një gruaje që sistematikisht përjetonte dhunë nga burri dhe nga vjehrri. “E vallah edhe ti duhesh me ulë kryet e me ngu vjehrrin. Kur martohesh duhesh me ia respektu familjen e burrit e mos me ba fort zhurmë”, e këshillonte zyrtari policor gruan viktimë të një mentaliteti patriarkal që shtyp e nënshtron.

Edhe gjykatësit që gjykojnë rastet e dhunës në familje janë kryesisht burra. As ata nuk janë të specializuar sa duhet për trajtimin e këtyre rasteve. Shpesh zvarrisin caktimin e seancave apo lëshimin e urdhrave për mbrojtje për viktimat dhe u japin dënime të buta agresorëve. Dhe kështu ndihmojnë riciklimin e dhunës.

Ndëshkimi me dënime të larta është një masë vetëdijesuese për burrat e dhunshëm. Por kjo masë nuk do të ketë efekt nëse gjatë vuajtjes së dënimit (të butë apo të lartë) recidivistët nuk trajtohen edhe nga aspekti psikologjik. Sikur gjatë mbajtjes në paraburgim Pjetër Nrecaj të trajtohej nga ndonjë psikolog apo punëtor social, që do t’ia shpjegonte profesionalisht dëmet që i sjellin veprimet e tij të dhunshme, ndoshta do të parandalohej vrasja e dyfishtë. Duket se paraburgimi vetëm sa ia errësoi atij edhe më shumë realitetin dhe me të dalë nga burgu pasoi hakmarrja për gruan që e denoncoi në polici dhe që refuzonte t’i kthehej.

Dhuna në familje është dukuri e përhapur në gjithë botën dhe e kanë të vështirë ta çrrënjosin edhe vendet më të zhvilluara. Raportet mes burrave dhe grave të të gjitha etnive, racave e feve janë të ndërlikuara. Dhuna e një burri kundër një gruaje, sipas psikologëve, mund të ndodhë si pasojë e problemeve të tij të veçanta psikologjike, zhgënjimit seksual, presioneve të padurueshme të jetës ose nga njëfarë dëshire e brendshme për agresion.

Çfarëdo qofshin arsyet e dhunës, gratë nuk duhet ta justifikojnë assesi. Statistikat thonë se ajo që ndodhi si “hera e parë”, zakonisht ndiqet nga hera e dytë. Reagimi i gruas ndaj “herës së parë” duhet të jetë një mesazh tepër i qartë se nuk do të lejojë një “herë të dytë”. Dhe nuk duhet ta heshtë e ta mbajë fshehtë. Sepse kështu do të futet në qarkun vicioz të dhunës prej nga do ta ketë vështirë të dalë. Gratë nuk duhet t’i besojnë asaj thënies së lashtë “të rreh ai që të don”. Ai që të do nuk të lëndon, dhe burrat e vërtetë nuk godasin gra.

Gratë sakrifikojnë shumë për dashurinë dhe për ruajtjen e familjes. Por sakrifica nuk nënkupton të durosh abuzim e trajtim të padinjitetshëm. Nëse gruaja ka bërë diçka vërtet të keqe, burri ka të drejtë të ndahet prej saj, por jo ta privojë nga jeta. Aq sa dihet publikisht nuk është shënuar ndonjë rast ndër shqiptarë kur gruaja e ka vrarë një burrë që e ka braktisur, në të shumtën e rasteve për një grua tjetër. Dashuria e vërtetë nuk vret, dhe martesa nuk mbahet me zor.

Prandaj, burra kthjellohuni! Para se të godisni gruan, silleni pak në mend Pjetër Nrecajn, ku është tash ai dhe si e shkatërroi familjen me vetëdije. Pastaj merrni frymë thellë dhe zgjatjani dorën gruas. Jo për ta vrarë. As për ta grushtuar. Por për ta mbrojtur dhe për të ecur bashkë në jetë.

valbona@koha.net