Fabulat e La Fontaineit mbrojnë Kosovën

Veton Surroi Veton Surroi 17 gusht 2018 08:16

Çka duhet mësuar prej udhëzimeve amerikane, të kancelares Merkel dhe diplomacisë britanike?

1.

E kisha mik të mirë Jean de La Fontaine me fabulat e tij, në vitet nëntëdhjetë, kur diplomatët e huaj, në të shumtën evropianë, vinin në Kosovë për të na bindur, Alternativën e atëhershme dhe zërat kritikë të saj, se duhej filluar një “dialog” me Milosheviqin, një i tillë që do të ishte pa kushte, në mënyrë që nisma të ishte e mbarë dhe e perceptuar prej të dy palëve si e paanshme.

Fabulisti bashkëkohor (ndonëse i shekullit XVII) e kishte të gatshme përgjigjen: gjeli dhe dhelpra kishin armiqësi të përhershme dhe një ditë dhelpra dha propozimin që të dy të uleshin e ta bisedonin punën e hasmërisë së tyre, pa parakushte, në formë të barabartë. Madje, dhelpra me gjentilesë u ofrua që kjo bisedë të zhvillohej në kotecin e gjelit, si të barabartë, pa ndërmjetës e miq. Kështu u bë dhe pas natës së gjatë të negociatave dhelpra doli nga koteci. Ishte e ngopur, me mish gjeli.

Kështu u thosha para njëzet vjetësh diplomatëve dashamirë (në shumë raste) dhe jo pak naivë, do të zhvillohej procesi negociator mes Serbisë, që e kishte okupuar Kosovën e që mbante në të njëqind mijë ushtarë e policë të armatosur, dhe Kosovës së okupuar, që bartte me dy gomarë kallashnikovë nëpër dhiaret e Shqipërisë.

Dhe kur vinte pyetja prej tyre, e çka duhet bërë, ishte një përgjigje e thjeshtë: nevojiten parime prijëse, dhe të panegociueshme, që të dy palët i pranojnë nëse hyjnë në negociata. Si rrjedhojë e mësimeve të La Fontaineit, para negociatave të Rambouillet-së dhe atyre të Vjenës kishim parime të këtilla, dhe emërtuesi i përbashkët i që të dyjave ishte se nuk mund të gjendet zgjidhja në të kaluarën, nuk mund të gjendet zgjidhja me copëtim territori, rrjedhimisht nuk mund të gjendet zgjidhja me dhunë dhe, përfundimisht, nuk mund të gjendet zgjidhja në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës

2.

Më ra në mend gatishmëria e La Fontaineit për të na mbrojtur me përralla gjelash kur po lexoja, një ditë pas tjetrës, pozicionin e ri të diplomacisë amerikane i cili pak a shumë thotë kështu: Serbia e Kosova duhet të ulen bashkë e të gjejnë një zgjidhje që u konvenon, e për këtë të përdorin në të dy anët “vizion dhe fleksibilitet”. Në të folmen e shkencave politike amerikane ky proces quhet “ownership”, pra pronësi, krijimi i kushteve që Serbia dhe Kosova të jenë “pronare” të zgjidhjeve, e jo që ato t’u vijnë të servuara nga jashtë.

Dhe, ndonëse koncepti i “pronësisë” është pak a shumë i ri (vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar), nocioni se palët në Ballkan duhet të gjejnë vetë zgjidhje për problemet e veta nuk është edhe aq. Ky koncept, që Ballkani t’u lihet ballkanasve është nocion i fundit të shekullit XIX dhe fillimit të atij XX, dhe pak a shumë ishte produkt i shteteve të forta të Ballkanit (jo rrallë atyre që kishin përkrahjen e Rusisë) dhe që donin të loznin rolin e të fortit në mëhallë. Po të mos përzihej, të themi Austro-Hungaria, Serbia mund të kishte “carte blanche” për të dominuar tërë hapësirën prej Danubit deri në Adriatik.

Por, siç e dimë me fabulistin tonë, ky koncept është edhe më i vjetër se aq: dhelpra ka kërkuar të ndërtojë paqe me gjelin në kotecin e tij edhe para se të ekzistonte Serbia si shtet.

3.

La Fontaine mund të jetë edukativ për Hashim Thaçin, i cili mund të mos ketë dëgjuar për të e as për përpjekjet që i kemi bërë në njëzet vjetët e kaluar në mënyrë që Kosova të mos hyjë në negociata pa parime prijëse. Ai pranoi të hyjë në këso negociatash, të paqes së La Fontaineit në Bruksel dhe pranoi, pas dështimit në Bruksel, të hyjë në aventurë të re me ndarjen e Kosovës të quajtur “korrigjim”. Tash arsyetohet se po gjen, sipas udhëzimeve të diplomacisë amerikane, “me vizion dhe kreativitet” pajtim me Aleksandër Vuçiqin për paqe mes Kosovës e Serbisë, duke filluar me vizatimin e hartave të reja.

Kur nuk lexon përralla në fëmijëri, duhet t’i mësosh në pleqëri, dhe Hashim Thaçi është disa vjet tashmë duke biseduar për paqe brenda kotecit të tij. Gjatë negociatave të Brukselit, Thaçi ka pranuar që të bisedojë se si do ta rirregullojë funksionimin e Kosovës në mënyrë që t’i pëlqejë Serbisë, ndërsa tash ka pranuar që ta rirregullojë edhe hartën e vendit.

Prej se ka hyrë në kotec, për ta gjetur “paqen”, Serbia nuk e ka obliguar veten për asnjë gjë karshi Kosovës. Do të ishte budallallëk po ta bënte; duhet të japësh ndonjë premtim e madje edhe ta realizosh atë para se të hysh në kotec. Kur ke hyrë, s’ke çka premton më.

4.

Paradoksi që vlen për t’u shënuar është se para njëzet vjetësh ishin diplomatët evropianë ata që propozonin që Serbia dhe Kosova të uleshin së bashku e të gjenin zgjidhje në kotec, dhe ishte diplomacia amerikane ajo që erdhi në mbrojtje të një koncepti tjetër, të “level playing field”, të terrenit ku të dy ekipet do të ishin të barabarta. Pra, aty ku Kosova mund të negocionte pa kërcënim nga tyta e pushkës dhe ku argumenti juridik e i të drejtave të njeriut ishte më i madh sesa numri i tankeve të ushtrisë serbe.

Njëzet vjet më pas, diplomacia amerikane (që mund të jetë në njërin prej cikleve rituale të tërheqjes, gjë që i ka ndodhur disa herë në njëqind vjetët e fundit, dhe gjithnjë me rezultate katastrofale) thotë se Serbia e Kosova duhet të gjejnë zgjidhje vetë. Dhe këtë e bën, duke mos llogaritur shumë faktin se pavarësia e Kosovës do të ishte e pamundur pa rolin prijës amerikan, mbrojtja e tërësisë tokësore dhe e paqes në Kosovë e pamundur pa rolin udhëheqës amerikan në NATO dhe realitetin më të thjeshtë, Serbia dhe Kosova nuk janë në pozitë të barabartë. Serbia e konsideron Kosovën si pjesë të veten, Serbia nuk e ka përfunduar luftën (deri në kufij të gjenocidit) kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe Serbia nuk është ndalur në përpjekjen për të penguar shtetësinë e Kosovës deri në zhbërje.

Jean de La Fontaine, për fat të mirë, ka edhe një fabulë tjetër që mund ta mësojë Kosovën në këtë moment delikat. Prapë është gjeli që ka hipur në majë të një peme dhe poshtë saj rri dhelpra. Ajo i thotë gjelit:

“Sherri ynë, vëlla, në fund ka mbërri,

Unë dhe ti shpresoj të jetojmë në miqësi;

Sepse paqja mbretëron

Gjithandej ku shtaza rron”.

Dhelpra e fton gjelin që të zbresë nga pema, madje i ofron që si shenjë të paqes së re, atë ta vulosin me një puthje.

Po, thotë, gjeli. Vetëm sa të mbërrijnë dy rojat e shtëpisë, zagarët që janë nisur vrapthi, e që duhet t’ia japin vulën përfundimtare këtij pakti.

Në përrallën e La Fontaineit, dhelpra nuk e pret vulën e dy mbrojtësve të shtëpisë.

Në realitetin e Kosovës, dy mbrojtësit e shtëpisë dolën të jenë Britania e Madhe, me qëndrimin se marrëveshja që do arritur mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë mes dy shteteve të pavarura me territorin e tyre sovran, dhe i kancelares gjermane që i dha pikë debatit rreth kufijve, duke saktësuar se ata tashmë janë të vendosur në Ballkanin Perëndimor dhe s’guxon të bëhet më fjalë për ndryshimin e tyre.

5.

Nuk do të përfundojë kjo punë vetëm me La Fontainein.

Do mësuar nga të dy qasjet e deritanishme.

Po, Kosova dhe Serbia gjithsesi duhet të kenë pronësi në këtë proces, ashtu siç propozon diplomacia amerikane. Dhe, po, Kosova dhe Serbia duhet të kenë “vizion dhe kreativitet” në zgjidhjen që duhet ta gjejnë.

Dhe, njëkohësisht, po, ashtu siç udhëzojnë kancelarja gjermane dhe diplomacia britanike, vizioni dhe kreativiteti duhet të zbatohen në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, si shtete të pavarura, në kufijtë në të cilët është njohur pavarësia e Kosovës.

Ja dy nga parimet prijëse prej një numri që do të rritet.

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi