OpEd

Krimineli – pjellë e çmendurisë kolektive

Një krim makabër e ka vënë në provë shoqërinë tonë, që prej ditësh mundohet t’i japë kuptim këtij akti ekstrem. Por, si gjithnjë, përsëritim gabimet e përhershme, duke i bishtnuar fajit e duke e kërkuar atë përtej vetes.

Gjetja më e thjeshtë është ta kthejmë kriminelin në të sëmurë. Kjo mënyrë kategorizimi na çliron nga përgjegjësitë dhe na e bën të arsyeshme një ngjarje përtej çdo arsyeje. Nuk është i pari rast dhe nuk do të jetë i fundit: kjo jo sepse “kështu ndodh në gjithë botën”, që është sërish një shprehje parashutë, e cila na nxjerr nga situata, duke harruar se shifrat e krimeve për frymë janë dëshmuese të një shoqërie që nuk po mëson të piqet dhe të nxjerrë mësim nga historia e saj. Ka të tjerë tregues kjo ngjarje, që dëshmojnë për thelbin që përpiqemi ta shmangim: si ka mundësi që një gjysh, që e ka rritur atë fëmijë, të shfaqet natyrshëm para kamerave dhe të mos arrijë të kuptojë përgjegjësinë e thellë të familjes në këtë krim? Si ka mundësi, që banorët përqark flasin për një familje të nderuar dhe një djalë që papritur i çuditi me gjestin e tij?

Përgjigja e shkurtër do të ishte: sepse një shoqëri e sëmurë nuk e dallon dot të sëmurin që ka para syve, sepse ai përsërit po të njëjtat veprime si të gjithë, bën të njëjtën jetë si të gjithë dhe reagon pak a shumë si të gjithë. Prandaj, jeta e tij nuk na çudit, sepse ai është njëri nga ne, një kriminel potencial i rritur në një shoqëri me probleme të rënda, që kthehet në “kriminel” vetëm kur bën aktin final, zbraz armën. Por, a arrihet deri të zbrazja e armës?

Nëse do të donim të njihnim shkaqet e kësaj ngjarjeje, mund të provonim një pyetësor, në dukje të pafajshëm, për vrasësit mendjeftohtë. T’i pyesnim në dy nivele: si e ndërtojnë jetën e përditshme dhe si kujdesen për jetën shpirtërore. Pra, konkretisht, çfarë bëjnë sa hapin sytë? Me siguri shumica prej tyre do të thonë se shkojnë të pinë kafenë me kaçurrel a një gotë raki në klubin e fshatit. Në qofshin më të pasur e me prindër më zullumqarë, e pinë në bllok të shoqëruar me një pije më të shtrenjtë se rakia e rrushit. Po t’i pyesim se si e nxjerrin bukën e gojës, një pjesë e mirë do t’ia vënë fajin qeverisë, edhe pse vetë nuk e kanë marrë mundimin ta kalojnë klasën e katërt e të mësojnë të punojnë bahçen para shtëpisë, ose, nëse i kanë paratë me shumicë, do t’ju shesin mend se si bëhet paraja mal duke shitur motrën, komshien, gruan apo duke shitur drogë. Po t’i pyesim se çfarë muzike dëgjojnë, do të rreshtonin zhurmë Noizi, Stresi apo Kallashi. Po t’i pyesim se çfarë emisionesh shikojnë, do të përmendin të gjitha batutat e gallataxhinjve të ekraneve, që kanë ditur të përqeshin veten, pa ditur të stigmatizojnë e të turpërojnë veset e qelbura të kësaj shoqërie. Po t’i pyesim nëse kanë lexuar ndonjë rresht, do ta kuptojmë se kanë qenë potencial i gatshëm krimi i përgatitur nga vetë shoqëria jonë, që pasi i prodhon, i zbraz jashtë si jashtëqitje, duke dashur të pastrohet.

Thirrja e hapjes dhe mbushjes së çmendinave nuk na shpëton: ne vetë kemi kontribuar për të ngritur një Çmendinë gjigante. Kur Franco Basaglia, psikiatri italian, ia doli më 1978-ën të fitonte luftën për të miratuar ligjin e mbylljes së çmendinave, kishte në mendje ndërmarrjen e një hapi revolucionar të trajtimit të çmendurisë si një sëmundje që shërohet përmes komunikimit dhe jo përmes izolimit. Po kjo nënkuptonte një angazhim të madh shoqëror, jo një lënie në gjendje të lirë, duke e kthyer në barut mendjet e sëmura. Për Basaglia-n, mbyllja e çmendinave ishte vetëm hapi i parë që shënjonte fillimin e një këndvështrimi të ri ndaj shëndetit mendor, si një çështje të cilën shoqëria nuk mund ta shmangë me eliminimin dhe mbylljen, por duhet ta përballë me një angazhim total. Por, edhe pse revolucionar si hap, në një shoqëri si e jona mbetet utopi, sepse kërkon nga shoqëria pikërisht atë që i mungon: ndërgjegjësimin për detyrën.

E vetmja fushatë ndërgjegjësuese që pati efekt në shoqërinë amerikane ka qenë ajo kundër duhanit, gjë që bëri që duhanpirësit të shihen ende sot e kësaj dite në atë vend jo vetëm si dëmtues të vetvetes, por edhe si ndotës të ambientit e për më tepër të stigmatizohen për vesin e tyre. A nuk duhet ta kishte bërë me kohë një gjë të tillë edhe shoqëria jonë me pijanecët, kur rezulton se pas shumicës së krimeve në familje fshihet alkooli? A nuk duhet ta kishte etiketuar pijanecin si një figurë dështake, që prodhon dhunë, krim dhe degjenerim? A nuk do të kishte qenë e udhës që shoqëria dhe shteti të kishin marrë masa serioze për një dukuri të tillë, kaq karakteristike për Shqipërinë? Si ka mundësi, që kudo të shitet alkooli kaq lirshëm për adoleshentët, të porositet pa problem nëpër lokale, pa u kërkuar kartë identiteti, të mbyllen sytë kur gjimnazistët dehen paq netëve nëpër klube nate? Si ka mundësi, që një shoqëri që ka mbushur rrugët e botës me prostituta, nuk stigmatizon kofshët e gjoksin jashtë të gjimnazisteve në ambientet e shkollës dhe vend e pa vend në ekranet televizive? Çdo qeveri ka për detyrë të studiojë veçantitë e vendit dhe shoqërisë së saj, duke marrë masa konkrete në përgjigje të plagëve konkrete. Nëse lojërat e fatit apo klubet e lotove janë një çerdhe dembelizmi dhe lulëzimi vesesh, atëherë është detyra e shtetit të ndërhyjë me dorë të fuqishme. Por, natyrisht, kjo është si të heqësh pjesën e kalbur e jo të shërosh burimin e kalbëzimit.

Ajo çka përbën burimin është gjithnjë e më e vështirë për t’u evidentuar e gjithnjë më e pamundur të eliminohet. Edhe pse ne tashmë nga një shoqëri e kontrolluar me darë të hekurt, kemi kaluar në lirinë pa kufi e të keqinterpretuar, pa kaluar fazën kryesore, atë të ndërgjegjësimit dhe të civilizimit. Kemi keqkuptuar konceptimin e kufirit në emër të “emancipimit”, fjala e përditshmërisë në fjalorin e rinisë së sotme, ku çdo gjë është e lejueshme. Kjo lëvizje është kuptuar kundër çdo institucioni dhe pengese që vë kufi: familja si burg, shkolla kazermë ushtrie, puna tjetërsim dhe ligji si dhunë nga e cila duhet të çlirohemi. Por, si ta kuptojnë të rinjtë kufirin mes lirisë seksuale dhe abuzimit seksual e prostitucionit, mes përmirësimit të imazhit nga të meta të lindura dhe transformimit tërësor të paraqitjes, deri në tjetërsim dhe sëmundje; kufirin mes njohjes dhe mbajtjes nën kontroll të gjendjes emocionale dhe abuzimit me droga gjithfarë për të arritur gjithnjë kulmin e energjisë dhe të lumturisë; kufirin mes të qenit i dobishëm dhe të qenit i njohur, pa dalluar në është për të mirë apo për të keq; kufirin mes lirisë për të plotësuar dëshirat e tua dhe përgjegjshmërinë për të mos cenuar të drejtat e tjetrit?

Do të besoja se kemi filluar të kuptojmë, nëse do të kisha dëgjuar gjyshin e vrasësit që të merrte përgjegjësitë e të thoshte vetëm dy fjalë në ekran: kam dështuar me familjen time; të shikoja dy prindër që të kërkonin ndjesë për papërgjegjshmërinë në rritjen e një krimineli, ose, së paku, nëse flasim për një të sëmurë mendor, të kishin kërkuar ndihmë. Është e vërtetë që kapacitet mendore janë të ndryshme, por një familje, edhe pse nuk është e thënë të kultivojë mendimtarë dhe filozofë, e ka për detyrë të rritë qytetarë që respektojnë ligjin dhe detyrimet shoqërore. E kjo arrihet kur fëmijët rriten me dashurinë për të bukurën e për të mirën.

Nëse krimineli i drejtohet në rrjetet sociale kryeministrit të vendit, kjo nuk përbën asnjë çudi, përderisa e kemi ngritur vetë një platformë të tillë komunikimi, ku siç thotë Umberto Eco, ia japim fjalën në kuvend edhe të paditurit, edhe të pakultivuarit, edhe budallait, që dikur ia qepnin gojën edhe te klubi i fshatit. Jemi vetë ne ndërtuesit e një sistemi të tillë, pasojat e të cilit po vuajmë. Atë armë vrasësit ia fali politika e degjeneruar e gjithë këtyre viteve të tranzicionit, ia mbushi padija e bërë mullar, që prodhojnë institucionet tona shkollore dhe ia zbrazi keqedukimi, apo më mirë mosedukimi, indiferenca familjare. Ai djalë është pasqyra që na nxjerr zbuluar, që ne nuk mund ta thyejmë dhe ta zhdukim as duke e kategorizuar si të sëmurë, as duke e varur e as duke e kalbur në burg. Ai është pasoja e jetesës që kemi ndërtuar, e cila nuk pasqyron vetëm atë që Niçja paralajmëroi një shekull më parë, rrënimin e vlerave njerëzore, por edhe të një indiference absolute. Nëse përpiqemi që këto tri instanca të një shoqërie, si familja, shkolla, shteti, të mos i vëmë para përgjegjësisë e ta kategorizojmë edhe kësaj here thjesht si një vrasje të radhës së një të çmenduri, atëherë le të presim në heshtje edhe vdekjen tonë (Gazeta Shqiptare).