Anton Çettës s’kanë çka i bëjnë

Agron Bajrami Agron Bajrami 05 August 2018 08:00

Edhe para luftës së viteve 1998-1999 ishte një Kosovë që ngrihej dhe rritej, dhe që luftonte për t’u çliruar jo vetëm nga Serbia, por edhe nga të ligat e veta që ia kishin zënë frymën me shekuj. Gjakmarrja ishte një e tillë, dhe çrrënjosja e saj në Kosovë ndodhi si rezultat i punës së madhe që bëri Çetta me shokë, bashkë me të gjitha ato familje që morën hapin vendimtar drejt së ardhmes dhe shkëputjes nga e kaluara. Këtë histori nuk ka kush ta ndryshojë. Me apo pa statujë

Polemika rreth vendosjes së shtatores (apo bustit) të Anton Çettës para objektit të Institutit Albanologjik në Prishtinë nuk është gjë pos një dëshmi e vockël e radhës për nivelin e mjerimit në të cilin është zhytur pjesa institucionale (dhe jo vetëm) e shoqërisë sonë.

Kjo, sigurisht, nuk duhet ta befasojë askënd. Një vend që ka një qeverisje klienteliste si kjo e jona është e pashmangshme se edhe të gjitha institucionet e shtetit dhe shoqërisë - ato që rëndom i quajmë shtetërore dhe publike - do t’i ketë të kapura nga grupe njerëzish që i shërbejnë pushtetit të injorancës dhe interesave meskine të klaneve të ngushta politiko-ekonomiko-mafioze.

Dhe, duke qenë se e kuptojmë gjendjen e mjerë në të cilën na ka sjellë ky sistem qeverisës, më nuk befasohemi pothuajse me asgjë; as me milionat e buxhetit që Qeveria ua fal klientëve të vet (në disa raste, është edhe e kundërta: pushtetarët janë klientë); as me qindra e mijëra plagjiaturat e diplomave, magjistraturave, doktoraturave e punimeve “shkencore”; as me maninë e tenderëve dhe konkurseve të fiksuara; as me keqpërdorimin e pozitave shtetërore për përfitime personale materiale, as me falsifikimet e listave (si te veteranët) apo edhe të falsifikimit të vetë historisë.

Në këtë vend, pra, – dhe kjo shihet qartë tashmë - nuk ka mbetur gjë pa u degraduar. Apo, thënë më mirë, pothuaj asgjë.

Sepse, Anton Çettës këta nuk kanë çka t’i bëjnë.

As Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, e cila mbetet një nga fitoret më të mëdha shqiptare në Kosovë në shekullin XX.

* * *

I gjithë skandali me shtatoren e Çettës doli të ketë dhe një anë pozitive: na detyroi që të kthehemi e të përkujtojmë se kush ishte Anton Çetta, dhe pse mbeti emër i shënuar në historinë tonë.

Na detyroi t’i kthehemi historisë dhe ta shohim se ku ishim dhe si erdhëm këtu ku jemi sot. Të rikujtojmë se edhe para luftës së viteve 1998-1999 ishte një Kosovë që ngrihej dhe rritej, dhe që luftonte për t’u çliruar jo vetëm nga Serbia, por edhe nga të ligat e veta që ia kishin zënë frymën me shekuj.

Gjakmarrja ishte një e tillë, dhe çrrënjosja e saj në Kosovë ndodhi si rezultat i punës së madhe që bëri Çetta me shokë, bashkë me të gjitha ato familje që morën hapin vendimtar drejt së ardhmes dhe shkëputjes nga e kaluara.

Dhe kjo shkëputje nga e kaluara u vërejt qartë si një lëvizje e madhe pozitive në mbarë botën. E në Kosovë mundësoi unifikimin e kombit dhe nisjen e rezistencës fillimisht paqësore e më pas edhe të armatosur kundër Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Andaj, pajtimi i gjaqeve përveçse ishte shërimi i një plage të madhe në trupin e kombit, ishte njëkohësisht edhe fitorja e parë e madhe e Kosovës përballë represionit serb, dhe ishte lajmëtar i çlirimit të Kosovës.

Ky përkujtim është i domosdoshëm sepse, siç u vërejt, në periferinë e debatit rreth shtatores (i cili si pothuaj çdo debat tjetër i ditëve tona ishte i mbushur me dinamit politik dhe me shumë pak kulturë) u shfaqën edhe zëra që kontestonin figurën e Çettës dhe kontributin e tij. Disa për shkak se nuk e njohin historinë e asaj kohe - mos të harrojmë se gjysma e popullatës së Kosovës së sotme është e lindur pas periudhës për të cilën po flasim, ndërsa sistemi ynë i arsimit nuk është se i mëson si duhet dhe çka duhet. E disa të tjerë për shkak se duket sikur nuk duan që Kosova të mbajë mend ato që Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve dhe Anton Çetta përfaqësojnë.

* * *

Anton Çetta do të ishte figurë madhështore në historinë tonë edhe pa pajtimin e gjaqeve.

Në kohën kur u vu në krye të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, e cila fuqinë e vet e tregoi me gjysmë milioni shqiptarë të mbledhur në Verrat e Llukës, më 1990, Anton Çetta atëbotë ishte personalitet i respektuar kombëtar, një shkencëtar i vlerësuar, profesor i letërsisë së vjetër shqiptare, studiues i romanistikës, mbledhës i çmuar i folklorit shqiptar, dhe një intelektual me frymë evropiane që vendin e preferuar e kishte në mesin e popullit.

Dhe pikërisht për shkak se ishte i tillë, Anton Çetta ishte njeriu i vetëm që mund ta bartte në supe barrën e udhëheqjes së aksionit për shuarjen e gjakmarrjes. Njeri që përpjekjen e tij e ndërmori me një synim përtej atij që shihnin shumica.

Kur në prill të vitit 1990 gazetari Chuck Sudetic i “The New York Times”-it shoqëroi Anton Çettën në një prej vizitave pajtuese në një fshat kosovar, ai raportoi në gazetë fjalët e tij:

“Kur gratë e hoqën ferexhenë, ishte gjë e vështirë, por ato tani ulen me ne... tani është e vështirë të falet gjaku, por më vonë kjo do të jetë gjë normale. Duhet të zotohemi se nuk do ta vrasim njëri-tjetrin më... Shpresojmë një ditë të hyjmë në Bashkimin Evropian, dhe atje do të shkojmë pa këto barrë të vjetra nga e kaluara e moçme. Ka shumë gjëra rreth të cilave duhet të bëhemi më të qytetëruar. Dhe do të jemi më të qytetëruar, kur gjyshja i thotë nipit ‘ma sjell gazetën’. Dhe do të jemi më të qytetëruar kur gjyshja di të lexojë dhe do të dijë për ato që ndodhin në botë”.

Falë Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Kosova është liruar nga pjesa më e madhe e barrës së gjakmarrjes. Edhe gjyshet e sotme lexojnë gazeta. Por, bazuar në mënyrën se si i trajtojmë historinë tonë dhe njerëzit e mëdhenj që kishim, siç na dëshmoi kjo polemika rreth statujës së Anton Çettës, në arritjen e nivelit të qytetërimit evropian, na mbetet ende punë për të bërë.

Ndërkohë, Anton Çetta prehet në paqe. Ai i bëri të gjitha. Statuja e tij është populli i Kosovës.

Të tjerat nuk kanë të bëjnë me të.

agronb@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami