OpEd

Netanyahu, kryeministri i parë izraelit i Aparteidit

Sulmet e pandalshme ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe kritikëve të okupimit, si dhe fushata e rreptë për të na përjashtuar – pra, neve qytetarëve palestinezë të Izraelit – nga pjesëmarrja legjitime në politikë, përbëjnë fyerje për këdo që beson në demokraci dhe drejtësi. Një shtet nuk mund ta quajë veten demokraci teksa i mban me miliona njerëz nën okupim për dekada me radhë, e lë Rripin e Gazës nën një bllokadë çnjerëzore (që kudo është përshkruar si burgu më i madh i hapur në botë) dhe kërcënon 20 për qind të popullatës së vet me cilësimin si qytetarë të shtresës së dytë. Një demokraci energjike dhe në lulëzim nuk është në interesin e palestinezëve, por në interesin tonë të dyanshëm – të hebraikëve dhe arabëve, njësoj. Sot duhet të zgjedhim: ose segregacion dhe supremaci racore, ose demokraci dhe barazi.

Tel - Aviv, 23 korrik – Teksa bota po e feston ditëlindjen e njëqindtë të Nelson Mandelas, Izraeli planifikon ta shkatërrojë një tjetër fshat me palestinezë në Bregun e okupuar Perëndimor. Javën e shkuar ligji që e zyrtarizon statusin e palestinezëve në Izrael si qytetarë të shkallës së dytë është miratuar.

Sot, më shumë se kurrë më parë, është e pamundur që të mohohet se Aparteidi është gjallë dhe madje në të dyja anët e vijës së gjelbër, siç ndryshe njihet kufiri i armëpushimit të para 1967-s.

Të dëbuar për të parën herë nga shtëpitë e tyre në Negev, brenda Izraelit, nga ana e ushtrisë izraelite në vitet 50, banorët e Khan al-Ahmarit sot po përballen me një tjetër valë dëbimi, pasi që qeveria e Benjamin Netanyahut po synon t’i zgjerojë kolonitë e afërta izraelite, që ndryshe janë të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare. I vendosur në lindje të Jerusalemit, në një rajon të njohur si E1, Khan al-Ahmari është një prej 46 komuniteteve palestineze që Kombet e Bashkuara i konsiderojnë si në “rrezik të madh për transferime të detyrueshme”.

Nxjerrja e njerëzve të okupuar nga shtëpitë e tyre, duke ua demoluar shkollat fëmijëve dhe duke i larguar nga tokat prej të cilave e nxjerrin jetesën, nuk është një krim i luftës ama krejt kjo shërben si një agjendë e qartë politike: dëbimi i banorëve palestinezë të rajonit do t’ia hapë rrugën Izraelit për aneksimin e tokave të tyre, duke i rezervuar ato vetëm për kolonët hebraikë. Kjo gjë në fund do ta ndajë Bregun Perëndimor në dysh dhe do ta parandalojë mbase krijimin e një shteti të afërt palestinez.

Megjithatë, po bëhet goxha e qartë se këto praktika të turpshme diskriminuese nuk ndalojnë në vijën e gjelbër. Ligji shtet-kombi i Netanyahut – shembulli më i fundit i një ligji diskriminues – është mbase gozhda e fundit që ia mbyll arkivolin demokracisë, duke e betonuar një doktrinë raciste të “ndarjes dhe pabarazisë”. Në Izrael ligji i ri thotë qartë se hebraishtja është gjuha e vetme zyrtare, populli hebre ka të drejtë ekskluzive për vetëvendosje kombëtare dhe se “shteti e sheh zgjerimin e kolonive hebraike si një vlerë kombëtare dhe se do të veprojë për ta trimëruar dhe promovuar zgjerimin dhe konsolidimin e tyre”. Ky ligj, i cili nuk i përmend as edhe një herë të vetme fjalët “demokraci” apo “barazi”, e kodifikon në mënyrë kushtetuese supremacinë hebraike ndërsa palestinezëve si puna ime u thotë: nuk jeni të mirëseardhur këtu.

Pasi votova kundër ligjit shtet-komb në Knesset, unë dola nga Parlamenti dhe u përballa me Netanyahun në parkingun para ndërtesës. I thashë se do të hyjë në histori si kryeministri i parë izraelit i Aparteidit. Teksa po hynte në veturën e tij të blinduar, Netanyahu buzëqeshi dhe bërtiti: “Si e merr guximin të flasësh kësisoj për të vetmen demokraci në Lindje të Mesme...”.

Fjalët e tij përbuzëse dhe shpërfillja shoviniste e shpërfaqin në mënyrë të përkryer vetë shpirtin e këtij ligji të pështirë dhe atë se çfarë do të thotë të jesh një palestinez në Izrael: pra, ju jeni thjesht një mysafir në tokën tonë hebraike, jeni qytetarë të shtresës së dytë që duhet të jeni falënderues për thërrimet që ne ua japim me kaq zemërgjerësi.

Për Netanyahun dhe qeverinë e tij, ne përbëjmë kërcënim ekzistencial që duhet luftuar apo armiq të brendshëm që duhet shtypur, e kurrë jo pjesëtarë të barabartë të një shoqërie demokratike. Në vend se të punojmë bashkërisht për të mirën e të gjithë qytetarëve, pavarësisht racës, besimit, etnisë apo përkatësisë kombëtare të tyre, Izraeli tani do ta promovojë zhvillimin e komuniteteve ekskluzivisht hebraike.

Demolimi i paracaktuar i Khan al-Ahmarit kurrsesi nuk përbën përjashtim. Qëkur Izraeli i pushtoi Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor më 1967, 99.76 për qind e “tokave në pronësi të shtetit” të Izraelit janë alokuar në rajonin që u është ndarë kolonëve hebraikë, të cilët mezi e përbëjnë 12- përqindëshin e popullatës së rajonit – duke i lënë aty vetëm 0.24 për qind të palestinezëve që përbëjnë 88-përqindëshin e frymorëve aty. Siç e thotë raporti i fundit i “Human Rights Watch”: “Teksa kolonët hebraikë shtohen, palestinezët nën kontrollin izraelit jetojnë nën frikën e kohës – ata jo vetëm se janë ndarë, jo vetëm se janë të pabarabartë, por ndonjëherë madje shtrëngohen të dalin nga tokat dhe nga shtëpitë e tyre”.

Kjo gjë vlen kryekëput për rajonet përreth vijës së gjelbër, ku Izraeli është paraparë ta bëjë rrafsh me tokë fshatin arab, Umm al-Hiran, në Negev, dhe t’i dëbojë banorët e tij – të cilët janë qytetarë të Izraelit – për t’ia krijuar hapësirën një qyteti vetëm izraelit me emrin Hiran.

Netanyahu është trimëruar nga heshtja shurdhuese e presidentit amerikan, Donald Trump, karshi abuzimeve izraelite me të drejtat e palestinezëve dhe ndërmarrjes kriminale të kolonizimit të rajoneve të vijës së gjelbër në Izrael. Kjo gjë e ka trimëruar atë që ta intensifikojë retorikën e tij fanatike dhe praktikat raciste – pak a shumë si puna e binjakut të tij Viktor Orban, lideri ksenofobik i Hungarisë (dhe mbështetës i sunduesit hungarez të epokës naziste, Miklos Horthy), të cilin Netanyahu e takoi javën e shkuar. Megjithatë, pa marrë parasysh se sa shumë mundohen Netanyahu dhe qeveria e tij, asnjë ligj apo politikë raciste nuk do ta na nxjerrë, neve banorëve indigjenë, nga tokat e paraardhësve tanë.

Sulmet e pandalshme ndaj organizatave të shoqërisë civile dhe kritikëve të okupimit, si dhe fushata e rreptë për të na përjashtuar – pra, neve qytetarëve palestinezë të Izraelit – nga pjesëmarrja legjitime në politikë, përbëjnë fyerje për këdo që beson në demokraci dhe drejtësi. Një shtet nuk mund ta quajë veten demokraci teksa i mban me miliona njerëz nën okupim për dekada me radhë, e lë Rripin e Gazës nën një bllokadë çnjerëzore (që kudo është përshkruar si burgu më i madh i hapur në botë) dhe kërcënon 20 për qind të popullatës së vet me cilësimin si qytetarë të shtresës së dytë.

Një demokraci energjike dhe në lulëzim nuk është në interesin e palestinezëve, por në interesin tonë të dyanshëm – të hebraikëve dhe arabëve, njësoj. Sot duhet të zgjedhim: ose segregacion dhe supremaci racore, ose demokraci dhe barazi. Unë premtoj se do të vazhdoj të punoj vetëm për një shoqëri të hapur dhe gjithëpërfshirëse. A do të më bashkoheni?

(Aida Touma-Silman përfaqëson aleancën “Hadash-Lista e Përbashkët” në Parlamentin izraelit, Knesset. Vështrimi është botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”).