OpEd

Mos i grisni letrat e dashurisë

Në 6 qershor të vitit 1944 ndërsa 155.000 trupa aleate zbarkuan në plazhet e Normandisë, në të njëjtën mbrëmje Albert Kamy dhe Maria Casares kaluan natën bashkë. Teksa një ditë më pas udhëtuan drejt Parisit ata e ndjenë se nuk ishin më të njëjtët.

Ata që do lexojnë korospodencën e tyre nga vera e vitit 1944 deri në dimrin e vitit 1960-të, botuar një vit më parë nga “Editions Gallimard” nën kurimin e Béatrice Vaillant, do të mund të jetojnë një nga historitë, pa të cilën bota letrare franceze një nga më të pasurat përsa I përket historive të dashurisë, nuk do të ishte e plotë. Librin voluminoz prej 1255 faqesh do t’ia huazoja Elona Agollit e cila e kishte porositur menjëherë në Amazon sapo shtypi francez kishte nisur review e para mbi të.

Më shumë se një histori dashurie ky libër është një njohje tjetër me Kamynë, I cili gjithë gjërat e mëdha në jetën e tij i pati shpejt, po ashtu edhe vdekjen (ai vdiq 46 vjeç vetëm pak pasi kishte marrë çmimin Nobel). Kamy shkruan gjatë, po kështu dhe Maria teksa nga mijëra km larg ku ndodhet i tregon padurimin për të qenë pranë. Leximi i letrave voluminoze të Kamy-së erdhi në një kohë kur në tryezën time të punës ndodhet libri “Një dashuri trasantlantike” me letrat e dashurisë që Simone De Beauvor një nga femrat më me ndikim të shekullit XX ia dërgoi poetit amerikan Nelson Algren, libër që po përpiqem ta përkthej në shqip.

Të shkruash për rrëfimet intime të De Beauvoir, për më shumë se 600 letrat që ia dërgoi një burri që refuzonte dashurinë, është një ndër analizat më interesante që mund ti bëhet profilit të një intelektualeje, dobësive njerëzore që ajo nuk ka hezituar ti fshehë, por i ka ruajtur me kujdes dhe pse ishte në një raport bashkëjetese me Sartrin.

Teksa i tregoja pasazhe nga letra e De Beauvor poetesh Natasha Lako një mëngjes bri liqenit të Ohrit, duke folur për dimensionet e një kulture mendimi dhe emancipimi prej së cilës jemi ende larg, ajo më tregoi dy histori personale të jetës së saj, që në një farë mënyre shpjegojnë dhe mungesën e këtyre historive në letërsinë shqipe. E para ishte kur sapo kishte botuar librin e parë me poezi dhe në adresën e saj mbërrin një letër. Ishte shkruar nga një djalë i cili teksa i shprehte adhurimin për vargjet dhe atë si poete, i kishte futur në letër dhe disa manushaqe të thara.

Sapo e lexoi letrën e turbulluar ajo e grisi të mos e shihte njeri. E dyta duhet të ketë ndodhur kur ishte rreth 16-17 vjeç, kur vajza me flokët e verdha e sytë bojëqielli në shëtitjet e mbrëmjeve në qytetin e Korçës ndalohet nga një djalë i cili i dhuron një libër. Sapo e pa kopertinën ajo e njohu autorin. Ishte një roman dashurie. Me ndrojtjen se dikush nga qyteti mund ta kishte vënë re momentin kur ai i dhuroi librin ajo gjeti koshin më të parë për ta hedhur. Mungesa e një historie në raport me të bukurën dhe refuzimi historik që i kemi bërë asaj, është një ndër momentet më të trishta në historinë e letërsisë sonë e cila ka rritur kulturën e refuzimit të së bukurës si një akt i papranueshëm për moralin shoqëror të kohës.

Në asnjë histori letërsie letrat e dashurisë nuk janë djegur, grisur apo fshehur si tek ne. Mjafton të hedhim një sy në wikipedia për të parë se asnjë nga autorët shqiptar nuk e ka të shkruar se me kë është martuar, pa folur për histori të tjera intime që mund të mbushin biografinë e tij. Refuzimi i njerëzores ajo çfarë është në fund të fundit dhe thelbi i letërsisë, ka bërë që historitë e vërteta, ato që bën letërsinë tonë të mos mësohen kurrë.

E në rast kur ato janë shkruar ato kanë mbetur në sirtarët e familjarëve që si të ishin duke i vënë të afërmit të tyre një damkë nuk i nxorën prej andej kurrë. Të tilla janë dhe ditarët e Parashevi Qirjazit ku ka hedhur gjithë adhurimin e saj për Mihal Gramenon. Të mbetura në një kënd të arkivit të shtetit për këtë ditar askush nuk ka shfaqur interes.

Është interesante se si gjithë historia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve gjithë ajo godinë e madhe që i shërbeu për gati gjysmë shekulli regjimit, e frekuentuar nga burrat që shkruan libra nuk mundi të ruante qoftë një histori dashurie e cila me siguri qoftë edhe si një feksje mëngjesi mund ti ketë ndodhur ndonjërit prej tyre. Në asnjë nga kujtimet e shkruara për atë periudhë nuk tregohet një histori e tillë. Të paktën për rreshtat e letrave që i grisnin aq shpejt (Shqip)