OpEd

Loja tjetër

Kjo fillimverë mund të nënkuptojë edhe ditët më dramatike për dy nga organizatat ndër më të rëndësishmet në glob, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Çfarë ndikimi mund të kenë këto në Kosovë?

A PO E FITON Anglia apo Kroacia kampionatin? Ose mundet edhe Belgjika, edhe Franca? Sa kartonë të kuq u ndanë? Sa penalti nuk u referuan? Derisa kosovarët në përgjithësi këto ditë janë të preokupuar me një kampionat futbolli, ku nuk marrin pjesë, në politikë po ndodhin zhvillime nga të cilat mund të dalin shumë penalti e edhe kartonë të kuq – edhe për kosovarët.

Analistë të çështjeve politike dhe të sigurisë me këmbëngulje janë duke përsëritur se kjo fillimverë mund të nënkuptojë edhe ditët më dramatike për dy nga organizatat ndër më të rëndësishmet në glob, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Kjo për shkak të qëndrimeve të rrepta të politikanëve të caktuar të cilët, karshi dallimeve, kanë një gjë të përbashkët – vlerësojnë se janë pikërisht vendet e tyre ato të cilat po zhvaten në mënyrë jo të drejtë nga shtete të tjera në këto aleanca.

Në Londër, në ditën kur po fillonte Samiti i Procesit të Berlinit për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, dha dorëheqje vetë nikoqiri, sekretari i Jashtëm Boris Johnson (bashkë edhe me dy sekretarët e tjerë të kabinetit qeveritar, David Davis dhe Steve Baker), si për ta forcuar ndjenjën e brishtësisë së vetë Bashkimit Evropian.

Kurse vetëm dy ditë më vonë ishte presidenti amerikan, Donald Trump, ai i cili u përkujdes t’ua bënte të qartë të gjithëve se NATO-ja nuk mund të jetë më ajo që ka qenë deri më tash.

Kosova, fati i saj, siç e dimë, është ngushtë i lidhur me të dyja këto organizata. E ardhmja e Kosovës, siç mund të druajmë, mund mjegullohet bukur shumë varësisht se si zhvillohet situata e tensionuar ndërmjet shteteve perëndimore.

KA GJITHNJË E MË shumë politikanë dhe opinionistë të çështjeve të Bashkimit Evropian, të cilët besojnë se kjo organizatë mund të mos e ketë edhe shumë të gjatë funksionimin. Me rritjen e popullaritetit të politikanëve të ekstremit të djathtë dhe përkrahjes së politikave izolacioniste, ka mundësi që të ndalet procesi i zgjerimit, i cili do të afektonte edhe shtetet e rajonit dhe Kosovën. Janë dy shtete dhe dy liderë që për një moment rindezën shpresën e kthimit të BE-së në binarët e duhur, Angela Merkel në Gjermani dhe Emmanuel Macron në Francë, por që të dy janë duke u përballur aktualisht me shumë kundërshtime të brendshme. E pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja barra e këtij projekti politik më së tepërmi peshon në relacionin Gjermani-Francë.

Në anën tjetër, goditja më e madhe e presidentit Trump për NATO-n në Samitin e Brukselit ishte pikërisht ndaj Gjermanisë dhe kancelares Merkel. Duke iu rikthyer çështjes së pabarazisë së shpenzimeve brenda Aleancës Veriatlantike - pasi që shkroi në Twitter se ”Shtetet e NATO-s duhet të paguajnë MË SHUMË, Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë MË PAK” - Trumpi nisi takimet duke akuzuar Gjermaninë se është “e kontrolluar plotësisht nga Rusia, meqë ata do të marrin 60-70 për qind të energjisë nga Rusia”. Këtë deklaratë bombë nuk është se nuk e kanë parë me simpati edhe disa shtete të tjera të BE-së.

Tash pritet që Trumpi mos ta lërë me kaq çështjen e “rregullimit të NATO-s”, duke rritur presionin. Kjo rritje e presionit ndaj shteteve anëtare që të japin më shumë nga buxhetet e tyre për nevojat e shpenzimeve të Aleancës mund të vijë në formë të mospjesëmarrjes së SHBA-së në disa nga stërvitjet e përbashkëta ushtarake, ose edhe nga tërheqja ose zvogëlimi i trupave ushtarake amerikane në disa misione të NATO-s. Deri më tash presidenti amerikan e ka dëshmuar se nuk heziton të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga marrëveshjet e ndryshme politike dhe ekonomike dhe kjo është një shenjë se atmosferën e re në kampin e NATO-s duhet trajtuar tepër seriozisht.

SIKUR TË GJITHA këto të mos mjaftonin, ka edhe një takim tjetër të nivelit të lartë nga i cili mund të rrjedhin shumë vendime të rëndësishme. Në Helsinki, më 16 korrik, takohen Trumpi dhe Putini. Duke e njohur natyrën e prerë të të dy këtyre liderëve, ka shumë analiza që flasin se në këtë takim mund të ndodhin edhe marrëveshje të rëndësishme, të cilat do të mundë të vendosnin rend të ri në marrëdhëniet ndërmjet të SHBA-së dhe Federatës Ruse, por me pasoja të mëdha gjeopolitike.

Presidenti Trump krenohet se si ai po i zgjidh çështjet e mëdha për të cilat kanë folur të gjithë paraardhësit e tij, por nuk kanë ndërmarrë asgjë.

Ngjashëm paraqitet edhe presidenti Putin, duke theksuar se ai po i riparon dëmet në kurriz të Rusisë për shkak të liderëve të dobët rusë para tij.

Çka nëse në tryezë hidhet për diskutim çështja e Kosovës? Dhe çka nëse dy liderët më të fuqishëm të globit pajtohen ad hoc për një model të caktuar të zgjidhjes së shpejtë, si mjet kusuritjeje për çështje më të mëdha?

Nuk kemi parë të ketë ndonjë brengosje të theksuar nga klasa politike në Kosovë për këto zhvillime të hovshme në skenën politike botërore.

Më me rëndësi, kush do ta fitojë Kampionatin Botëror në futboll helbete!

E Rusia, në anën tjetër, ndonëse humbi në stadium në terren të vet, në këtë situatë mund të shënojë gola të rëndësishëm në një stadium shumë më të madh.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk