OpEd

Kur bien maskat në fushën e gjelbër

Futbolli nuk ka të bëjë asgjë me politikë, - kështu thonë burokratët e FIFA-s. Sigurisht, andaj Kampionati mbahet në Rusi, në këtë oazë të demokracisë. Në pothuaj çdo ndeshje FIFA demonstron angazhimin kundër racizmit, por debatet kundër futbollistëve shqiptarë të Zvicrës dhe Mesut Özilit në Gjermani përmbajnë tone raciste. Vendim racist është po ashtu ndalimi i shqiponjës.

“Kur jap gol, jam francez, kur nuk jap, jam arab”.

Karim Benzema

Kështu, si ylli i futbollit francez, duket se janë ndierë futbollistët shqiptarë të Zvicrës, të cilët pas dështimit kundër Suedisë në të tetën e finales u ballafaquan me kritikë populiste nga një pjesë e mediave zvicerane. U tha se Granit Xhaka dhe të tjerët nuk qenë të motivuar kundër suedezëve siç ishin kundër serbëve. Faji për humbjen kundër Suedisë iu ngarkua njëanshëm Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit. Pastaj sekretari i përgjithshëm i Federatës së Zvicrës hapi debatin mbi lojtarët me dy shtetësi. Ai pyeti: “A na duhen këta lojtarë?” Për këtë deklaratë funksionari i futbollit të Zvicrës u kritikua ashpër nga mediat serioze. Vetë funksionari kishte thënë se ndoshta ideja e tij për të mos pranuar lojtarë me dy shtetësi në kombëtare është një “Schnapsidee”, që shqip i bie: një budallallëk. (“Schnaps” në gjermanisht domethënë raki).

Në thelb të debatit, i cili nganjëherë përmban edhe nëntone raciste, qëndron frika e Zvicrës se ndonjëri nga talentet e ardhshme të futbollit mund t’ia kthejë shpinën këtij vendi, siç kanë bërë Ivan Rakitiq dhe Mladen Petriq, të cilët u përcaktuan për Kroacinë. Edhe me rastin e pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA Federata e Futbollit e Zvicrës nuk ka luajtur rol përherë konstruktiv, ndonëse presidenti tashmë i ndjerë i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, që në vitin 2012 kishte premtuar në adresë të zviceranëve se “Kosova nuk do t’ua marrë Shaqirin me shokë”. Krejt zhurma e Federatës Zvicerane kundër futbollistëve me dy shtetësi bëhet për t’ua shtuar atyre presionin që të obligohen të luajnë për Zvicrën.

Gazeta “SonntagsZeitung” shkroi në fundjavë se Federata madje i detyron lojtarët e talentuar të nënshkruajnë një deklaratë përmes së cilës ata obligohen të luajnë për Zvicrën. Sipas gazetës, kjo klauzolë është juridikisht e paqëndrueshme, megjithatë ajo është formuluar si mjet presioni dhe me gjasë në kundërshtim me ligjet përkatëse. Mes tjerash nga lojtarët që vendosin të luajnë për vende të tjera kërkohet t’i kthejnë paratë që Federata i ka harxhuar për trajnimin e tyre – 25 mijë franga në vit. Frika e Federatës Zvicerane është shtuar pasi trajner i Kosovës është emëruar një zviceran. Po ashtu, edhe Federata e Shqipërisë shihet si rrezik, ngase edhe ajo mund të tentojë të marrë ndonjë futbollist.

Megjithatë, kjo nuk është arsye që të humbet kontrolli me deklarata skandaloze mbi shtetësinë e dyfishtë siç bëri Federata e Zvicrës. Në opinionin zviceran ka një rezervë nga fillimi ndaj dominimit të të huajve në kombëtare, ndonëse vetëm me “biozviceranë” ky vend nuk do të kalonte nivelin futbollistik të San Marinos. Disa zemërohen se Xhaka dhe shokët e tij nuk e këndojnë himnin zviceran. Kjo mund të jetë një kërkesë e tepërt për aq kohë sa Xhaka dhe të tjerët shënojnë gola për Zvicrën, por kur në një ndeshje nuk kanë fat, atëherë u përmendet moskëndimi i himnit që konsiderohet si mungesë e identifikimit me Zvicrën. Pra, kur jep gol je zviceran, kur nuk jep, je shqiptar.

Futbolli nuk ka të bëjë asgjë me politikë, - kështu thonë burokratët e FIFA-s. Sigurisht, andaj Kampionati mbahet në Rusi, në këtë oazë të demokracisë. Në pothuaj çdo ndeshje FIFA demonstron angazhimin kundër racizmit, por debatet kundër futbollistëve shqiptarë të Zvicrës dhe Mesut Özilit përmbajnë tone raciste. Në vitin 2010 gazeta amerikane “The New York Times” botoi një shkrim mbi “Özil gjermanin” si shembull i integrimit të të huajve në Gjermani. Tani në Gjermani Özili është “koka e turkut”, kurbani që duhet t’i këputet koka për dështimin e Gjermanisë në Kampionatin Botëror. Shtresa e civilizimit me gjasë nuk është askund më e hollë se në futboll: sot je hero, nesër tradhtar. Çfarë ka ndodhur? Para Kampionatit futbollistët Mesut Özil dhe Ilkay Gündogan dolën në fotografi me presidentin turk, Rexhep Taip Erdoan. Mediat gjermane e kritikuan këtë takim. Mesazhi ishte ky: dy lojtarë të kombëtares së Gjermanisë nuk guxojnë të takojnë një politikan si Erdoan, i cili e ka fyer udhëheqjen politike gjermane duke e quajtur naziste, dhe i cili pamëshirshëm ndjek çdo kritik të tij, përfshirë edhe gazetarë gjermanë. Özil nuk ka pranuar të flasë për takimin e tij me Erdoanin dhe kjo vetëm sa ka shtuar dyshimet ndaj tij. Politikanë të partisë nacionaliste gjermane “Alternative für Deutschland” e kanë goditur atë nën brez dhe me fjalor racist. Pas dështimit në Rusi dhe kthimit të ekipit gjerman në shtëpi befas Özil është atakuar edhe nga Oliver Bierhoff, menaxher i Federatës Gjermane të Futbollit.

Opinioni me gjasë ka pritje shumë të mëdha nga futbollistët. Ata shikohen si ambasadorë me brekë të gjata, të cilët duhet të prezantojnë vendin para opinionit botëror në mënyrën më të mirë. Por këto pritje disa prej tyre nuk i plotësojnë. Suksesi është si droga: ndonjëri lojtar me 25 vjet është multimilioner, me 1 milion ndjekës në Twitter apo Facebook, me status social – këso përjetimesh e bëjnë atë rezistues ndaj çdo këshille.

Megjithatë, kritika ndaj futbollistëve shqiptarë të Zvicrës dhe kundër Mesut Özilit është hipokrite. Shqiptarët kritikohen pa të drejtë për shkak se bëjnë gjestin e shqiponjës, e cila me vendimin e fundit të FIFA-s pothuaj është kriminalizuar si simbol. Özil mund të qortohet për mungesë ndjeshmërie politike - por çfarë kritike sharlataneske është ajo e Lothar Matthäus-it, i cili kritikon Mesut Özilin se ka takuar një autokrat, ndërsa vetë Matthäus lavdëron Vladimir Putinin deri në gjunjëzim. Ndoshta edhe Matthäus mendon si ish-kancelari Gerhard Schröder, i cili pati thënë se Putini është “demokrat i pastër si loti”. Tani Schröder është lobisti më i madh i Kremlinit nëpër botë – natyrisht për një honorar të majmë.