Kthesat në procesin e dialogut nuk ndodhin si në futboll

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 11 korrik 2018 08:19

Tash kur kanë kaluar aq shumë vjet gjatë të cilëve ka dështuar dialogu, kjo ka vështirësuar shumë pozicionin e Kosovës, ka shkaktuar ndarje të reja të brendshme, qoftë në relacione ndëretnike, qoftë mes faktorëve politikë, flitet se për disa muaj do të arrihet një marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve. A ka mundësi për një gjë të tillë dhe a ka fare BE-ja kapacitet t’i detyrojë palët që të arrijnë marrëveshje të tillë do të shohim brenda më pak se një viti. Në rast se nuk do të përfshihen më aktivisht shtetet kryesore, si Gjermania dhe Franca, nëse bazohen vetëm në punën e zonjës Mogherini dhe të ekipit të saj, atëherë nuk ka shumë arsye për optimizëm

Edhe në Bruksel dhe në disa kryeqytete të vendeve anëtare të BE-së, të interesuara dhe të informuara për Kosovën dhe rajonin, kanë filluar të shprehin dëshpërimin për rezultatet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili zhvillohet me “lehtësimin” e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini. Mungojnë rezultatet konkrete, shumë nga marrëveshjet nuk janë realizuar, ndërsa raportet mes Kosovës dhe Serbisë, me përjashtim të mundësisë që shtetasit e Kosovës të mundë të kalojnë përmes territorit të Serbisë kur udhëtojnë jashtë, nuk kanë qenë asnjëherë më pak normale sesa që janë sot.

Ndonëse në Bruksel mundohen të lënë përshtypjen se dialogu ka ndryshuar situatën në terren, kjo nuk shihet kur e viziton qytetin e Mitrovicës e as kur sheh si i shantazhon Beogradi proceset kyç në Kosovë dhe ato ndërkombëtare kur bëhet fjalë për përfshirjen e Kosovës.

Shumë vjet kanë kaluar prej kur ka nisur ky dialog dhe tash kemi të tria palët që janë të pakënaqura me rezultatet e tij, natyrisht duke shikuar nga këndvështrimi i tyre. Nuk është e kënaqur BE-ja me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe kërkon përshpejtim të implementimit të tyre. Nuk është e kënaqur Kosova, e cila fajin për moszbatimin e marrëveshjeve e sheh tek Beogradit dhe serbët e Kosovës, ndërsa disa pjesëtarë të Qeverisë e fajësojnë edhe vetë Bashkimin Evropian për mbajtjen e anës Beogradit. Nuk është e kënaqur as Serbia, e cila çdo ditë ankohet se Prishtina nuk po e zbaton pjesën kryesore të marrëveshjeve, krijimin e asaj që Serbia dhe serbët e quajnë “Bashkësi të komunave serbe” e Kosova e quan “Asociacion i komunave me shumicë serbe” e BE-ja, kinse neutrale, e quan edhe “asociacion”edhe “bashkësi” me gjithë faktin se në të tri gjuhët, si shqip e serbisht ashtu edhe anglisht, ka dallime mes termit “bashkësi” dhe “asociacion” .

Nuk janë të kënaqur as qytetarët e Kosovës, të cilët mendojnë se me këtë dialog Kosova në masë të madhe ka hequr dorë nga së paku simbolika shtetërore, duke pranuar që për vite me radhë të forcohet asteriksi mbi emërtimin e Kosovës, ndërsa edhe në Serbi ka të tillë që mendojnë se Serbia ka pranuar realitetin në terren dhe se Kosova nuk është pjesë e Serbisë.

E në BE jo rrallë kur të gjithë janë të pakënaqur mundohen këtë ta interpretojnë si dëshmi të paanshmërisë së tyre. Pra, nëse as serbët e as shqiptarët nuk janë të kënaqur, atëherë kjo do të thotë se puna është bërë mirë, në mënyrë neutrale dhe të paanshme. Ky është një qëndrim tipik burokratik i BE-së. Shpesh gazetarët dhe ekspertët e çështjeve të Bashkimit Evropian e definojnë modusin e veprimit të burokracisë së BE-së me fjalinë se për ta, “procedurat janë më të rëndësishme sesa rezultati” dhe se “burokracia evropianë do të thotë që të gjithë me profesionalizëm të kryejnë punën e tyre dhe asgjë të mos ndodhë”.

Do të ishte mirë sikur asgjë të mos kishte ndodhur në këtë dialog. Por problemi është se ai, në vend që të ndryshojë për të mirë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe mes shqiptarëve dhe serbëve, i ka çoroditur edhe më shumë këto raporte. Ndarja ndëretnike në Kosovë është më e madhe sesa para dialogut. Nuk janë integruar serbët e Kosovës, por është integruar Beogradi në institucionet e Kosovës. Mjafton të shohim se me sa agresivitet Beogradi i kërcënon serbët që duan të integrohen në FSK. Madje edhe vetë BE-ja ka pranuar se ka pasur kërcënime ndaj serbëve nga vetë serbët gjatë procesit zgjedhor, duke e ditur se kjo ka ndodhur ndaj atyre që nuk kanë qenë në listën e krijuar nga Beogradi. Serbët e Kosovës në fakt janë humbësit më të mëdhenj të këtij dialogu, e qëllimi ka qenë që ata të përfitojnë dhe të kenë një pasqyrë më të qartë për të ardhmen e tyre në Kosovë. Ata vazhdojnë të jetojnë me ankth duke mos e ditur a duhet të pranojnë realitetin e të kyçen në jetën e Kosovës, të bashkëpunojnë me shqiptarët, pranë të cilëve jetojnë, apo duhet të jenë vegël e Beogradit për të mbajtur iluzionin se Kosova është pjesë e Serbisë.

Mitrovica ka mbetur e ndarë, dhe kjo ndarje gradualisht po shndërrohet në realitet të ri, për t’iu shërbyer qëllimeve të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Ndarja e Kosovës do të ishte një tragjedi për Kosovën, për rajonin e sidomos për serbët e Kosovës. Por tash gradualisht edhe ndarja po përmendet si opsion, ndërsa politikanët e sotëm në Evropë ose nuk e dinë, ose nuk duan ta dinë, se idetë për ndarje të territoreve kanë qenë të rrezikshme dhe janë kundërshtuar. Ndoshta në tavolinën e bisedimeve idetë për ndarje, në mënyrë që “askush të mos fitojë gjithçka dhe çdokush të humbë diçka”, duken logjike. Por nëse mendojnë se si do të zbatohej kjo në terren, do ta shohin se kjo do të krijonte bazë për lëvizje të popullatës në baza etnike.

Dialogu i ka bërë Kosovës dëme politike. Ka parandaluar njohjet, në vend që t’i përshpejtojë ato. Ka krijuar përshtypjen se Kosova nuk e konsideron të kryer çështjen e statusit sipas Planit të Ahtisaarit, por është e gatshme për kompromise të reja. Nuk ka ndikuar në integrimin e Kosovës në BE. Gatishmëria për të lejuar ecjen e Kosovës në këtë proces, para disa vjetësh në BE ka qenë më e madhe sesa që është sot. Serbia është inkurajuar që të kundërshtojë më fuqishëm pavarësinë e Kosovës, dhe e papenguar të lobojë kundër njohjeve të saj dhe madje edhe për tërheqjen e njohjeve. Serbia nuk është sanksionuar për këto veprime, ajo po avancon drejt BE-së, por Kosova është duke u mbajtur formalisht jashtë procesit, ndërsa qytetarët e saj të izoluar, pa liberalizim vizash dhe pa ndonjë afat kohor se kur do të mundë të hiqen ato viza.

Gabim tjetër në qasje në dialog ishte personalizimi i tij. Në fillim ishin Hashim Thaçi dhe Boris Tadiq. “Më Thaçin e fortë në Prishtinë dhe Tadiqin e fortë në Beograd mund të bëjmë mrekulli” thoshte një zyrtar i lartë i BE-së kur u nis dialogu. Por sot Tadiqi jo vetëm se nuk është më i fortë në Serbi, por ai as nuk figuron fare më në skenën politike të këtij shteti. E sa është i fortë Thaçi në Kosovë mbetet të shihet. Në Bruksel ende nuk janë të sigurt se a është moszbatimi i Marrëveshjes për “Zajednicën” rezultat i zvogëlimit të fuqisë së Thaçit në Kosovë, apo mungesa e vullnetit të tij që ta bëjë këtë. Tash BE-ja në këtë dialog nga Beogradi sheh si faktor personal Aleksandar Vuçiqin, pa marrë parasysh se çfarë posti formal mban ai. Ai është një politikan autoritar në Serbi, i cili preferohet nga Perëndimi.

Nga ana e BE-së në fillim dialogu personalizohej me baroneshën Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, dhe me bashkëpunëtorin e saj të ngushtë Robert Cooper. Politikanët e Kosovës, sa herë që tërhiqnin vërejtjen se po bëjnë shumë lëshime në dialog, na thoshin se “kanë garanci për paketa shpërblimesh për Kosovën”. Kur pyesnin se nga kush kanë garanci, ata përmendnin baroneshën Ashton dhe zotin Cooper. Sa vlejnë sot garancitë e tyre mjafton të kujtojmë se ata nuk janë më fare zyrtarë të BE-së dhe së shpejti nuk do të jenë më as qytetarë të thjeshtë të Bashkimit Evropian. Sot ky dialog është personalizuar përmes figurës së Federika Mogherinit, politikane pa ndikim në vendin e saj dhe me ndikim të vogël në BE. Prandaj ajo dëshiron të lërë gjurmë përmes ndonjë suksesi në këtë dialog.

Nëse këtë gabim e krahasojmë me një analogji të futbollit dhe të Botërorit që është në përfundim, shohim se, sado i mirë të jetë një lojtar, pa një ekip unik nuk ka as rezultat. Pra Thaçi, Vuçiqi dhe Mogherini mund të jenë në politikë si Mesi, Ronaldo apo Neimar, por as aftësitë e tyre të jashtëzakonshme nuk do të mundë të sigurojnë fitore. Sidomos nëse performanca e tyre personale konsiderohet si më e rëndësishme sesa rezultati i atyre që përfaqësojnë.

Tash kur kanë kaluar aq shumë vjet gjatë të cilëve ka dështuar dialogu, ka vështirësuar shumë pozicionin e Kosovës, ka shkaktuar ndarje të reja të brendshme, qoftë në relacione ndëretnike, qoftë mes faktorëve politikë, flitet se për disa muaj do të arrihet një marrëveshje për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve. A ka mundësi për një gjë të tillë dhe a ka fare BE-ja kapacitet t’i detyrojë palët që të arrijnë një marrëveshje të tillë do të shohim brenda më pak se një viti. Në rast se nuk do të përfshihen më aktivisht shtetet kryesore, si Gjermania dhe Franca, nëse bazohen vetëm në punën e zonjës Mogherini dhe ekipit të saj, atëherë nuk ka shumë arsye për optimizëm. BE-ja nuk ka edh çfarë të ofrojë. Sepse Mogherini dhe ekipi i saj mund t’i ofrojnë Serbisë dhe Kosovës “perspektivë evropiane”, por shtetet si Franca dhe Holanda, siç dëshmuan edhe në rastin e Maqedonisë dhe të Shqipërisë, nuk do të impresionohen me premtime të tilla. Nuk është që nuk u intereson që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet, por thjeshtë nuk duan që të ketë çfarëdo premtimesh në procesin e zgjerimit. Prandaj dhe duhet të zvogëlohen pritjet nga ndonjë kthesë radikale dramatike në këtë dialog që do të sillte deri tek normalizimi i vërtetë i raporteve.

Kthesat e tilla nuk ndodhin në procese të tilla si në futboll. Dhe këtu mund të ketë lojë shtesë e jo penallti. Por për dallim nga futbolli, këtu nuk ka nevojë që të ketë humbës, apo të gjithë të humbin diçka. Vetë fakti se dikush në proces dëshiron që pala tjetër të humbë diçka, për të arsyetuar atë që mendojnë se e kanë humbur vetë, dëshmon se nuk ka qasje racionale.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj