OpEd

Gjarpri & Hashim Thaçi - siç e njoh unë!

 Hashim Thaçi në të vërtetë është Gjarpri, ndërsa nofka e tij jetësore publike është Hashim Thaçi. Në luftë e ka fshehur emrin publik, pas luftës i ka fshehur veprimet gjarpërore

Ishte pranverë e luftës së vitit 1998, kur për herë të parë i shoqëruar me një ekip të gazetarëve të huaj u takuam me G.Krasniqin dhe “Gjarprin” në Malishevë. Për të raportuar nga “toka e çliruar “e Malishevës është dashur të marrim “leje” nga “shtabi”... Arsyetimet e mia për qëllimin e reportazhit lidhur me afirmimin e rezistencës së UÇK-së,” Gjarprit” iu duken të dyshimta. Para gazetarit zviceran u thanë fjalë të rënda dhe kërcënuese. Konfliktin fizik e evitoi Gani Krasniqi... kah fundi i takimit shpërtheu e vërteta se ai më kishte njohur, ngase tha “shumë lart të kam vlerësuar dhe shumë poshtë ke ra në sytë e mi”... Sidoqoftë, vërejtja ime se po “mbiçmojmë veten dhe po e nençmojmë kundërshtarin” u vërtetua shumë shpejt.

Ndërkohë, ndodhi ofensiva e forcave serbe . Malisheva ra më shpejt se që i prognozova “Gjarprit”, i cili gjatë zënkës, pos tjerash, më tha se “kurrë këmba e shkaut s’do të shkelë në Malishevë”. I humbur në kujtime dëshpruese pas ofensivës së forcave serbe rastësisht u takuam sërish në Likoc. I thashë “më vjen mirë që nuk keni rezistuar, ngase rënia e Malishevës do të vonohej për disa minuta, por viktimat dhe dëmet do të ishin shumë më të mëdha. Kjo nuk na bën më pak të qëndrueshëm por vetëm na bën më real, që të mos e imitojmë ‘tigrin prej letre’...fundja, nuk më intereson ku figuroj sot unë në sytë e tu”.

Takimi radhës ishte në Tërdevc. Unë isha me gazetaren hungareze, ndërsa kolona e veturave të UÇK-së u ndal pa e ditur gazetarja arsyen e as unë derisa nuk doli ”Gjarpri” nga xhipi . Dola edhe unë... Përshëndetja ishte, këtë herë, shumë miqësore. “Po të dëgjoj në radio, po më vjen mirë që konflikti ynë s’ka ndikuar në vlerësimet tua... desha të falënderohem dhe të vazhdojmë bashkëpunimin”. I thashë: “nuk jam trim sot me ju bashkëngjitë, por nuk jam frikacak të mos e them të vërtetën për atë se çfarë po i ndodh popullit... ndoshta një ditë edhe ju bashkëngjitëm , ngase siç po shoh unë, s’do te kemi alternativë tjetër”...

Kështu edhe ndodhi. Në prill të vitit 1998 hynë forcat serbe na larguan nga banesa në Prishtinë – “Ulpianë”, na morën letërnjoftimet, pasaportat falë gjendshmërisë, fillimisht përfundova me familjen në kampin pak të njohur në Miratovcë, pastaj në Strugë dhe me ftesën nga Tirana, në Shtabin e UÇK-së. Dhe pas luftës në kabinetin e kryeministrit Hashim Thaçi si këshilltar politik në Prishtinë, deri në fazën përmbyllëse të Qeverisë së përkohshme, kur në fakt më është nevojitur rreth një vit që ta kuptoj se ai natyrën e vërtetë e ka të gjarprit.

Obsesionin e tij për të ardhmen politike e kam kuptur në Sarajevë gjatë vizitës te ish-kryetari i ndjerë i Bosnjës-Hercegovinës, Alija Izetbegoviq. Ishim ngujuar në hotel “Holiday Inn”, disa ditë pas një bore që na zuri peng. Pyetja që e preokuptonte HashimThaçin më së shumti ishte “Shef, si e prognozon të ardhmen time në politikë?” Ironikisht i pata thënë se mund të bëhet politikan i rëndësishëm, por atëherë nuk do ta njohë veten! Më tha “kjo kurrë s’do të ndodhë”. Mendoj se e ka thënë të vërtetën. Hashim Thaçi në të vërtetë është “Gjarpri”, ndërsa nofka e tij jetësore publike është Hashim Thaçi. Në luftë e ka fshehur emrin publik, pas luftës i ka fshehur veprimet gjarpërore. Si të shpjegohen këto transformime personale?

Ekziston mendimi i përhapur nga fusha e psikologjisë sociale që konsideron se krijimi i autarizmit si mentalitet dhe liderit autoritar si individ ndërlidhet me disa faza. Ndjenja se bindjet personale janë të sakta dhe të vërteta në krahasim me mendimet e të tjerëve është një fazë që vendosmërisht ndikoi në rrugën e formimit dhe ndikimit social të ”Gjarprit”. Këtë bindje, jo rrallë, gjatë luftës e shndërruan nga “bashkëluftëtarët” edhe në profetizëm. Kur zuri vend kjo ndjenjë atëherë shumë më lehtë u animuan, mbështetësit pastaj edhe poltronët të cilët “Gjarprin” me këtë ndjenjë e bëjnë edhe më të rëndësishëm, më të ndikueshëm dhe fuqishëm. Veçmas kur dihet se “Gjarpri” në këtë fazë nuk imponohej ndaj vartësve potencialë në mënyrë autokrate (këtë e dinë më së miri K.Veseli, XH.Haliti, A. Syla, J.Krasniqi, F.Limaj...) përkundrazi, “Gjapri” në këtë fazë i dëgjon mendimet, propozimet dhe sugjerimet e bashkëluftëtarëve, të cilët me kohë bëhen vartës të tij, të cilët, më vonë e kuptojnë ambicien e tij makiaveliste. Nga kjo fazë “Gjarpri” kalon në fazën e dijës inkluzive, të gjithëditurisë.

Bashkëluftëtarët, më vonë bashkëpartiakët, presin nga lideri autoritar që të marrë vendime për çdo gjë, për çdokënd dhe për gjithçka?! Pasi t’i përvetësojë bashkëmendimtarët, ata bëjnë gara kush do t’i vardiset dhe serviloset më shumë, meqë sa më i rëndësishëm të bëhet lideri autoritar aq më të mëdha janë mundësitë e realizimit të interesave të poltronëve luajalë, derisa të mos vijë ndarja (J.Krasniqi, F.Limaj, B.Sherifi...). Askush nuk ia konteston “inteligjencën, aftësinë, zgjuarsinë e vendimeve, përkundrazi. Kështu “Gjarpri”, ndoshta edhe pa vetëdije krijon ndjenjën e të gjithëditurit, të pagabueshmit, narcisizmit. Për të gjitha, që i bën dhe nuk i bën, konsiderohet se është më meritori. Por në të njejtën kohë paraqitet edhe te disa ish-bashkëmendimtarë të këndellur edhe ndjenja e urrejtjes, nënçmimit, përdhosjes, pavarësisht se a është në pyetje rrethi i ngushtë apo jo, ngase ai nuk mund të jetë kriter për çdo gjë dhe çdo kënd. Por shumica krijon ndjenjën se është pa alternativë, i pazëvendësueshëm. Për këtë e bindin poltronët, fillojnë të krijojnë mitin e pazëvendsueshmërisë së tij, aq më parë kur nga z.presidenti amerikan cilësohet si George Washingtoni i Kosovës?! Makiavelizmi i tij sa vjen e zgjerohet. Kjo edhe më shumë thellon ndarjet mes vartësve që janë luajalë dhe atyre që e kundërshtojnë. Pasi arriti në këtë fazë, u krijua përshtypja se Hashim Thaçi është i pagabueshëm. Në këtë fazë, rrallë kush guxon për ta kritikuar, gjykuar apo kundërshtuar, përkundrazi, vartësit dhe poltronët bëjnë gara së kush do të komplimentojë më shumë. Kështu Hashim Thaçi krijon perceptimin e të pagabueshmit. Me këtë fazë të zhvillimit psikologjik-politik “cezarian” përmbyllet. Fillojnë të dalin gjithnjë e më shumë publikisht pasojat e vendimeve të liderit autoritar. Lideri i tillë që veten tashmë e konsideron të pagabueshëm, realitetin e gjykon nga këndi i vendimmarrësit të pagabueshëm, ndërsa të gjithë të tjerët që nuk pajtohen apo e kundërshtojnë i nënçmon apo u hakmerret. Ai konsideron se kritikuesit e tillë që nuk po e kritikojnë apo nuk po pajtohen me të janë kundër së “vërtetës” dhe “drejtësisë”, interpretues i vetëm i së cilësë është vetëm ai dhe poltronët e tij luajalë. Kritikuesit i konsideron të rrezikshëm për komunitet dhe sa herë që, eventualisht, bëhen pengesa për synimet e tija autoritare, urdhëron poltronët rreth tij që të hapin dosje, të njollosen si kolaboracionist të armiqve, tradhtarëve, bashkëpunëtorëve të shërbimeve të kuzhinave serbo-sllave, të heshtën, me hatër apo zor, të ngrihen aktakuza, të improvizohen gjykime, të arrestohen publikisht të gjithë ata që janë pengesë për të kaluar ai në fazën përfundimtare të “zhvillimit” të tij absolut. I bindur se është i gjithëdijshëm, i pazëvendësueshëm, dhe i pagabueshëm, kundërshtarët e urrejnë, veçmas ish-bashkëpunëtorët e ngushtë të cilët ia kanë zili..., prandaj pavarësisht nga meritat e tyre, ata tashti, sipas tij dhe vartësve për rreth, po e rrezikojnë jo vetëm atë, por edhe “çështjen e shenjtë”. Prandaj duhet me ndihmën e poltronëve t’i “eliminojë”. Në një situatë të tillë psikologjike –propagandistike fillon edhe eliminimi i bashkëpunëtorëve në disa mënyra . Disa duke i injoruar, disa duke “i heshtur”, disa bashkëpunëtor të deridjeshëm, që kanë qenë duar të djathta në vendimmarrje ua ndërpretë çfarëdo funksioni, ata hiqen nga çdo lloj merite, duke i shndërruar jomeritor për “suksesin” e liderit. Në momente të caktuara fillon edhe shpifja duke përbaltur personat e caktuar, duke përhapur gjysmë të vërteta dhe “fake neps”, përmes së cilave paraqiten në formën më të errët . Përmes likuidimit propagandistik, politik, social dhe juridik përpiqet të ngrejë kallëzime, duke privuar personalitetet e tilla nga liria dhe e drejta për të punuar. Në këtë mënyrë largon bashkëpunëtorët e padëgjueshëm dhe i afron poltronët duke hedhur grimca të pushtetit, që diktohen nga tryeza e liderit cezarian derisa është në pritje të ditës së gjykimit!