OpEd

Automekaniku dhe autogolat e Xhakës dhe Shaqirit

Shqiponja e futbollistëve zviceranë flet më mirë për Zvicrën se për FIFA-n.

1.

A dhanë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri autogol?

Pyetja meriton një përgjigje serioze dhe analitike. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë, tashmë e dinë të gjithë, futbollistë të përfaqësueses zvicerane dhe shënuan dy gola kundër përfaqësueses së Serbisë. Që të dy janë po ashtu qytetarë të Kosovës, të cilën Republika e Serbisë e konsideron si territor të vetin. Rrjedhimisht, për Republikën e Serbisë Xhaka dhe Shaqiri konsiderohen si shtetas të saj dhe rrjedhimisht kur ata shënuan dy gola kundër Serbisë, me konsekuencë përfundimtare të logjikës juridike të Serbisë, duhej të evidencoheshin si autogola, apo jo?

Për fat të mirë ekzistojnë rregulla ndërkombëtare, atë të futbollit, që janë më serioze se logjika juridike e Serbisë. Me rregulla futbolli Xhaka dhe Shaqiri janë, me gjithë logjikën juridike serbe, atë çka duan të jenë, edhe zviceranë e edhe kosovarë, madje brenda këtij identiteti edhe shqiptarë.

2.

A kishin të drejtë Xhaka dhe Shaqiri të festonin me shenjën e shqiponjës të bërë me dy duar të ndërlidhura?

FIFA konsideron se jo, për shkak se kjo cilësohet si sjellje josportive. Ankesën për këtë e kanë bërë Serbia zyrtare dhe media të ndryshme, duke e cilësuar festimin me shqiponjë si sjellje nacionaliste. Të dy futbollistët (dhe kapiteni i skuadrës, Lichsteiner) u dënuan me gjoba financiare. Dhe, ky shpjegim më duket aq logjik sa edhe ai i autogolit.

Po ta marrim si çështje puro juridike, çfarë do të duhej të ishte, dy futbollistë të përfaqësueses së Zvicrës kremtuan golin me shenjën që duhej të simbolizonte shqiponjën dykrenore. Në historinë e heraldikës, shqiponja dykrenore është, mes të tjerash, pjesë e identitetit të Bizantit, Skënderbeut e Shqipërisë, Rusisë dhe Serbisë dhe të Kishës Ortodokse (apo kishave ortodokse në shumë vende). Kur këta tre futbollistë bënë shenjën me shqiponjë mund të shiheshin, në kuptimin heraldik, si përkrahës të Bizantit, Skënderbeut e shqiptarëve, Rusisë dhe Serbisë, dhe të Kishës Ortodokse. Ku qenka nacionalizmi i tyre?

Ah, po, ata janë shqiptarë etnikë, rrjedhimisht kur bënë shenjën e shqiponjës, ishte ai kuptimi shqiptar i heraldikës që ishte problematikë. Por edhe këtu bëhet një gabim. Fakti që Xhaka, Shaqiri dhe kapiteni Lichsteiner bënë shenjën e shqiponjës tregon për një Zvicër tolerante, një model bashkëjetese evropiane, në identitetin e të cilit është integruar në gjysmëshekullin e kaluar edhe një pakicë e spikatur shqiptare. Në Zvicrën multietnike, shqiponja nuk është krim, i dënueshëm sipas ligjeve të Serbisë për nxitje të urrejtjes kombëtare etj.

tregon se nuk duhet pasur frikë prej identitetit. Fundja, edhe FIFA është tolerante deri më sot: nuk është i vogël numri i futbollistëve që bëjnë shenjën e kryqit kur të hyjnë në fushë - si pjesë e një rituali që ka edhe identitetin e fortë të krishterë. Dhe është i shënuar momenti kur Mohamed Sallah lutet, brenda identitetit të tij mysliman, para fillimit të ndeshjes. Këto janë aq personale sa edhe shqiponja, e kujtdo qoftë.

3.

A ka ngjashmëri automekaniku me ndërmjetësit e Bashkimit Evropian?
Këtë analogji e bëra javën e kaluar në Bruksel, në një darkë me emra të spikatur të Parlamentit Evropian. Aty, disa prej tyre, që i njihja prej vitesh, nuk u pajtuan me kritikën time të negociatave të deritanishme shterpe mes Kosovës dhe Serbisë (që zyrtarisht quhet “dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit”). Ky “dialog”, përsërita për të satën herë, nuk ka parime udhëheqëse, nuk ka objektiv të përcaktuar dhe nuk ka afat për të përmbushur. Ai përmbush nevojat sipërfaqësore të BE-së që të bëhet sikur po ndërmjetëson, e të Kosovës dhe Serbisë që të bëhen sikur po negociojnë, por nuk po arrijnë drejt përmbylljes së konfliktit, por, përkundrazi, sikur me Bashkësinë e komunave serbe, po hapin pika të reja konflikti.

Përgjigjja tashmë e mësuar në komunikim me zyrtarët kosovarë ishte se më mirë edhe një dialog i shtirur sesa pa dialog fare.

Dhe këtu hyn në punë automekaniku. Nëse ke një makinë të prishur dhe ti shtiresh sikur po e çon te automekaniku e ai shtiret kinse po e rregullon, efekti për makinën do të jetë krejtësisht i njëjtë sikur është për Kosovën “dialogu” i shtirur me Serbinë.

4.

Por dialogu nuk ka alternativë.

Kështu përsërisin ritualisht - si papagaj apo si lutje fetare, kushdo si ta shikojë - zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe pastaj përsërisin ritualisht - si papagaj apo si lutje fetare - zyrtarët kosovarë.

Në fakt, atë çka bëjnë është të shtyjnë drejt konsekuencave logjike një paragjykim, sikurse autogolat e dy futbollistëve zviceranë, shqiponjën e Lichsteinerit si nacionalizëm dhe besimin se automekaniku që shtiret se po punon do ta rregullojë makinën.

dielën në Bruksel presidentët i Kosovës dhe ai i Serbisë u ulën në prani të ndërmjetëses evropiane Mogherini për të hyrë në “fazën finale” të dialogut. Gjatë shtatë vjetëve të kaluar “dialogu” ka krijuar avantazh për Serbinë në integrime evropiane dhe disavantazh për Kosovën, në zhytje të mëtejme drejt shtetit të kapur, por nuk kanë krijuar parametrat bazikë të parimeve që do të ndërtonin një marrëveshje të një paqeje afatgjate. Gjatë shtatë vjetëve parimi themelor që ka udhëhequr këtë “dialog” ka qenë improvizimi i dy prej tri palëve të përfshira, që kanë qenë komod me të. Serbia si shtet i konsoliduar ka parë përparësi të mëdha në improvizim, sepse fundja i ka sjellë integrimin e paprecedent evropian. Zyra e Mogherinit ka parë përparësi në improvizim, për t’u arsyetuar se bën gjë. Dhe Kosova e udhëhequr prej një personi, injoranca e të cilit tejkalohet vetëm nga arroganca e tij, ende nuk po mund të hapë sytë nga improvizimi i përhershëm.

Paragjykimi se mënyra e deritanishme e negocimit, në kushte të njëjta dhe me asimetrinë e madhe mendore e të fuqisë politike të palëve, do të prodhojë një rezultat më të mirë se deri tani është të kërkuarit që Xhaka dhe Shaqiri të shënohen si autorë të autogolave.

A ka dialogu alternativë? Natyrisht që ka. Në vend të dialogut të keq, një proces negociator i mirë, një që do të prodhojë paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e do të shërbejë për prosperitet të popujve të tyre.