OpEd

BE-ja mund të shembet në kohën kur ekonomia shkon më mirë se kurrë

Bashkimi Evropian nuk është vetëm bllok ku mbrohen interesat e përbashkëta ekonomike, por edhe union i vlerave i bazuar në solidaritet. Kur solidariteti lëkundet rrezikon të shembet e tërë BE-ja. Ky solidaritet tashmë ka humbur në rastin e ndarjes së barrës për emigrantët dhe kjo ka rrezikuar edhe vetë ekzistencën e BE-së. Për ironi kjo ndodh në kohën kur BE-së ekonomikisht i shkon më mirë se kurrë më parë, asnjë shtet nuk është më në recesion, është tejkaluar kriza financiare, papunësia është në nivelin më të ulët dhe asnjë shtet nuk është as në procedurën e deficitit të tepruar

Shefat e shteteve apo qeverive të disa shteteve anëtare të BE-së janë takuar të dielën në Bruksel në selinë e Komisionit Evropian për të diskutuar mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje “evropiane” për problemin e migracionit ilegal. Ky takim zhvillohej pikërisht në kohën kur në një ndërtesë tjetër të BE-së, atë të Shërbimit për veprimin e jashtëm, takoheshin nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, presidentët e Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pakkush e dinte se po zhvillohej takimi mes këtyre dy presidentëve, sepse Brukseli ndonëse do të donte një zgjidhje për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, si prioritet shumë më të madh e ka politikën e migrimit. Siç ka thënë para disa ditësh edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, nëse nuk gjendet një zgjidhje e përbashkët për problemin e migrimit ilegal, e tërë BE-ja dhe ekzistenca e saj do të jenë në rrezik.

Merkel të dielën tha qartë se duhet gjetur zgjidhje në mes të atyre shteteve, të cilat duan nëse nuk është e rëndësishme që të gjendet zgjidhja në nivel të të gjitha 28 shteteve anëtare. Pra ky takim ishte me pjesëmarrjen e atyre që donin zgjidhje të përbashkët, bazuar në vlerat e përbashkëta. Në këtë rikujtoi edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, duke thënë se kur të heqim dorë nga vlerat tona, atëherë nuk do të jemi më ata që duam të jemi. Ai dhe Merkel po bëhen gjithnjë e më të zhgënjyer me sjelljen e disa shteteve të Evropës Qendrore, të cilat kanë përfituar aq shumë nga politika e kohezionit dhe tash refuzojnë që të marrin përgjegjësi edhe për zgjidhje të përbashkët për çështjen e migracionit.

Se sa të ndarë janë rreth kësaj teme në BE dëshmoi edhe rasti i një anije që u shpëtua në Mesdhe me mbi 600 refugjatë, ndër të cilët shumë gra dhe fëmijë, e që Italia dhe Malta nuk donin t’i lejonin të ankorohet në brigjet e tyre, duke rrezikuar kështu edhe jetën e këtyre njerëzve.

Bashkimi Evropian nuk është vetëm bllok ku mbrohen interesat e përbashkëta ekonomike, por edhe union i vlerave i bazuar në solidaritet. Kur solidariteti lëkundet rrezikon të shembet e tërë BE-ja. Ky solidaritet tashmë ka humbur në rastin e ndarjes së barrës për emigrantët dhe kjo ka rrezikuar edhe vetë ekzistencën e BE-së. Për ironi kjo ndodh në kohën kur BE-së ekonomikisht i shkon më mirë se kurrë më parë, asnjë shtet nuk është më në recesion, është tejkaluar kriza financiare, papunësia është në nivelin më të ulët dhe asnjë shtet nuk është as në procedurën e deficitit të tepruar. Por asnjëherë nuk ka pasur më pak solidaritet e më shumë egoizëm të shteteve anëtare të kësaj familjeje.

Pikërisht parimi i solidaritetit pati krijuar politikën kohezive të BE-së, sipas së cilës me vite shtetet më të zhvilluara kanë kontribuar më shumë në buxhetin e përbashkët ndërsa ato më pak të zhvilluara, përmes fondeve strukturore, kanë përfituar më shumë. Qëllimi ka qenë që të zvogëlohen dallimet në mirëqenie mes shteteve të Bashkimit Evropian. Dhe themel i kësaj politike ka qenë pikërisht parimi i solidaritetit. Nuk ka qenë lehtë të ruhet kjo politikë.

Greqia, Portugalia e Spanja në 30 vjetët e fundit përmes politikës kohezive të BE-së kanë zhvilluar infrastrukturën e tyre, kanë ndërtuar me mija kilometra autostrada, rrugë, ura, hekurudhë e deri tek aeroportet moderne. Të njëjtën gjë e bëjnë tash e 11 vjet përmes të njëjtave fonde edhe shtetet nga Evropa Lindore e Qendrore që hynë në BE në valën e madhe të zgjerimit më 1 maj të vitit 2004. Të njëjtën mundësi e ka Kroacia si vendi më i ri anëtar dhe do ta kenë edhe vendet e tjera, të cilat do t’i bashkëngjiten këtij unioni në të ardhmen.

Nuk ka qenë lehtë të ruhet politika e kohezionit, sepse shumë shtete të zhvilluara janë ankuar se nuk munden më taksapaguesit e tyre të paguajnë për shtetet e tjera. Por pikërisht duke u thirrur në parimin e solidaritetit, pa të cilin BE-ja as nuk do të ishte krijuar e as nuk do të ishte zgjeruar, u ruajt kjo politikë edhe kur u miratua korniza shumëvjeçare financiare e BE-së për periudhën e tashme shtatëvjeçare. Uniteti i BE-së u vë në pikëpyetje edhe rreth krizës greke. Edhe në këtë rast u lajmëruan shumë shtete të cilat thoshin se qytetarët e tyre nuk mund të paguajnë për mega borxhet e Greqisë. Por prapë duke u thirrur në parimin e solidaritetit, BE-ja miratoi edhe një plan shpëtimi për Greqinë prej 86 miliardë eurosh.

Tash është kriza e refugjatëve që ka lëkundur më shumë se gjithçka më herët themelet e BE-së dhe parimin e solidaritetit. Refugjatët hynë në BE tash më së shumti përmes detit, duke ardhur nga Afrika, por ende vazhdojnë, ndonëse në një numër më të vogël, edhe përmes “rrugës ballkanike”. Ata hynë në Greqi apo Bullgari, dalin nga BE-ja dhe hynë në Maqedoni, Shqipëri apo Serbi. Nga atje vazhdojnë në BE në Kroaci dhe pastaj në Slloveni, drejt Austrisë, vazhdojnë drejt Gjermanisë e disa edhe deri në Danimarkë dhe Suedi. Nëse do të gjykohej në bazë të rregullave të BE-së atëherë secili shtet përmes së cilit kanë kaluar refugjatët ka të drejtë t’i kthejë në shtetin fqinj. Sepse, sipas rregullave të BE-së, për qasje ndaj refugjatëve, përgjegjësinë e mban shteti i parë i BE-së në të cilin kanë hyrë. Por ky ligj është sa i drejtë aq edhe i pazbatueshëm. Sikur ai të zbatohej, të gjithë refugjatët do të duhej të rrinin në Greqi, Itali, Maltë apo Spanjë.

Kjo ka bërë që të niset puna në ndryshimin e Ligjit të Dublinit në mënyrë që të ketë më shumë solidaritet dhe një sistem të përbashkët evropian, që do të krijonte kushte për përballje të strukturuar me këtë fenomen. Sepse migracion gjithmonë do të ketë, do të ketë nevojë për njerëz që të ikin nga vendet e tyre, por do të ketë nevojë edhe për vendet e BE-së për imigrantë. Ajo që BE-ja është duke u përpjekur të arrijë është një migracion i kontrolluar. Për këtë nuk po arrin të pajtohen pikërisht për shkak të interesave të ngushta të shteteve anëtare.

Përpjekjet e presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, për të lënë një herë e përgjithmonë prapa politikën e fajësimit dhe drejtimit të gishtit ndaj njëri-tjetrit nuk ka arritur shumë sukses. Liderët e vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore, të cilat nuk duan ta ndajnë barrën e refugjatëve, dhe të cilët nuk morën pjesë në “mini samitin” e jashtëzakonshëm në Bruksel të dielën, duhet të kenë kujdes, sepse kjo do të thotë se në këtë rast nuk vlen parimi i solidaritetit dhe me të drejtë shtetet e pasura, që më shumë japin sesa marrin nga buxheti i përbashkët i BE-së, tani thonë se, nëse nuk doni të merrni pjesë në ndarjen e barrës së emigrantëve atëherë ne do të mundë të zvogëlojmë fondet e kohezionit, sepse parimi i solidaritetit vlen në të dyja drejtimet. Pa parimin e solidaritetit nuk do të kishte më kuptim as ekzistimi i Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian tashmë ka propozuar një ulje të theksuar të fondeve për vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore për periudhën e ardhshme shumëvjeçare buxhetore. Vendet si Polonia dhe Hungaria do të kenë 25 për qind më pak fonde nga politika e kohezionit. Italia dhe Spanja do të kenë më shumë. Dhe kjo është po ashtu edhe si një nisje e dënimit të atyre që nuk duan të strehojnë refugjatë në vendet e tyre. Po ashtu në 33 miliardë euro është rritur fondi për kontrollin e migrimit, që do të përdoret edhe për ruajtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. Nëse do të vazhdojnë këto ndasi atëherë edhe më shumë mund të rriten kërkesat për ndryshime në mënyrën se si përdoret buxheti i Bashkimit Evropian. Dhe nëse vërtet ndodh që zgjidhjet gjithmonë duhet të kërkohen në mes të atyre që janë të vullnetshëm e gjithnjë e më pak në nivel të tërë BE-së do të vijë në pikëpyetje edhe vetë ekzistenca e Bashkimit Evropian. Një gjë e tillë nuk është më e pamundur.