Rreziku nga autoritarizmi dhe poltronizmi intelektual në Kosovë

Belul Beqaj Belul Beqaj 22 qershor 2018 18:48

Rreziku është i madh, ngase autoritarizmi politik në Kosovë nuk lartësohet nga meritat personale, por nga poltronët e nënshtruar që e mbështesin

Pasojat nga fenomeni i autoritarizmit dhe poltronizmit të shoqërisë kosovare i pata marr seriozisht kur u ballafaqova me realitetin se me të vërtet “Poltronët janë plehra ku rriten të gjitha të këqijat e kësaj bote”. Në këtë kontekst, transicioni i shoqërisë kosovare i udhëhequr nga lidershipi autoritar ka shërbyer si bazë e fortë për përforcimin mentalitetit poltronist. Meqë, qeverisja e sunduar nga autoritarizmi dhe poltronizimi po shkakton imponimin e vullnetit autoritar të lidershipit që mbështetet nga vullneti i poltronëve që mbikëqyrin, kontrollojnë partinë, sistemin e drejtësisë, administratën publike, ekonominë, tregun e punës dhe institucionet, gjoja se, të pavarura. Jetëzgjatja e këtij binomi, në disa hallka të institucioneve , ka krijuar pushtet autokratik . Procesi i tillë, dita-ditës, po i shlyen sjelljet autoritare dhe autokratike. Meqë, po përdoret pushteti formalisht për realizimin e interesave, apo interesat po realizohen joformalisht duke qenë në pushtet , përkatësisht, duke mbështetur poltronët njerëzit e pushtetit. Për këtë arsye , sistemi i ndërtuar i “vëllezërve siamezë” në Kosovën e pasluftës, është rreziku më serioz që i kanoset shtetit demokratik dhe ligjor, pa u funksionalizuar plotësisht shteti. Dukuria e krijuar dita-ditës po e fuqizon mentalitetin makiavelist të shoqërisë që po shpie shtetin kosovar drejt dështimit. Reformat qëllimisht të dështuara nga pushtetet e pasluftës kanë krijuar bindjen te elektorati se të “gjithë janë të njëjtë”. Prandaj, meqë nuk ka alternativa më të mira atëherë duhet të bashkëjetojmë me pushtetin e “vëllezërve siamezë”. Është krijuar në shoqëri një frymë defetiste. Poltronët gjinden gjithandej. Në çdo pore të jetës. Por dëmin më të madh e shkaktojnë në fushën intelektuale dhe shkencore, ngase për t’i realizuar interesat e veta shpesh janë të gatshëm për të politizuar shkencën, për të vënë shkencën në shërbim të politikës. Rasti më eklatant që shkaktoi dhe do të shkaktojë probleme edhe në të ardhmen është çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, kur dy komisione, me dy doktorë të shkencës në krye, të Republikës së Kosovës për shënimin e kufirit, me detyra të njëjta, të krijuara nga Qeveria e Kosovës dhanë raporte të ndryshme duke u thirrur në të dhënat shkencore! Demarkacioni pas tre vjetësh morri epilogun politik të duhur, por shoqëria kosovare e përçarë rreth kësaj çështjeje, akoma nuk e di se cili raport reflekton të vërtetën objektive. Sikur të kishim një shoqëri normale do të duhej të pritnim pikërisht që inteligjencia të rezistojë më shumë se çdo shtresë tjetër sociale autoritarizmin dhe poltronizmin, por për faktin se ajo më shumë është në shërbim të “vëllezërve siamezë” tregon se edhe inteligjenca është krijuar në baza të dyshimta , apo motivet e saj duke mbështetur pa kritere veprimet autoritare, në shumë raste, edhe autokratike tregon se janë të ngjashme me autoritarët, ndërsa dallojnë vetëm sa i përket shkallës dhe mënyrës së përfitimit.

Poltronët intelektualë merren me shkencë para së gjithash për të fituar tituj shkencorë dhe akademikë, e jo për të arritur njohuritë e duhura shkencore. Poltronët e tillë, titujt i përdorin për nevoja dhe interesa të veta si instrumente intelektuale të politikës. Ata, në fakt e bastardojnë shkencën duke u servilosur pas politikanëve autoritarë. Kjo është veçmas karakteristikë për kohën e pasluftës së fundit, ndonëse dukuri të tilla ka pasur edhe në të kaluarën. Poltronët “shkencëtarë” synojnë që sa më parë të fitojnë tituj akademikë me ndihmën e politikës për t’i shërbyer asaj edhe në emër të shkencës . Nëse synimet politike i realizojnë, arsyetimet e tyre më të shpeshta janë se këtë e kanë bërë nga “interesi publik”, “presioni publik” për të ushtruar detyrën apo funksionin e caktuar, ndonëse ata, gjoja se, janë të interesuar vetëm për “shkencë”!? Intelektualët e tillë në vend se të jenë përkohësisht në politikë, ata bëhen të paanashkalueshëm në politikë dhe kalimtarë të rastit në angazhimin profesional shkencor. Deklarimet eventuale publike se pas kalimit të mandatit do t’i kthehen shkencës dhe hulumtimeve shkencore janë fraza të kota, ngase të njëjtit, bëjnë çmos për të mbetur luajal në listat kadrovike të liderëve autoritarë dhe autokratikë. Poltronët e tillë intelektualë, janë më shumë në shërbim të politikës sesa në katedra, apo universitet ku kanë krijuar kontratat themelore të punës. Angazhimin e tyre të dyfishtë, shpesh e shpjegojnë me nevojën për të “ndihmuar” punën shkencore në universitet me autoritetin shkencor profesional, dhe duke ngritur politikën në nivele shkencore!? Në fakt, poltronët e tillë intelektualë janë shkatërrimtarët me seriozë të vlerave të mirëfillta shkencore dhe politike, ngase duke qenë në ato pozita ambivalente, sa më të madhe e kanë ambicien dhe interesin personal aq më shumë e dëmtojnë shkencën edhe politikën. Në fakultete mbesin për shkak se janë të përfshirë në politikë, ndërsa në politikë janë sepse u shërbejnë liderëve autoritarë për të ndikuar në jetën “akademike shkencore”. Poltronët e tillë intelektualë, doktorë shkence, magjistra... nuk kanë qëndrim të vetin, ngase ata duhet t’ia përshtatin liderëve të tyre autoritarë për të mos ia lënduar sedrën, ndonëse publikisht janë ithtarë të analizave objektive shkencore. Për çështjet shkencore dhe profesionale ata shpesh i shmangen dialogut, meqë nuk janë të aftë të ballafaqohen me të vërtetën objektive. Në raste të tilla shpesh citojnë liderët e tyre politikë, apo thirren në qëndrime apo akte të ndryshme normative. “Shkencëtari” poltron angazhohet, gjoja se, kundër improvizimeve në punën shkencore hulumtuese, kundër falsifikimeve dhe kopjimeve e në fakt punimet e tyre i ka të stërmbushura me improvizime dhe kopjime. Poltronët intelektualë për luajalitetin që tregojnë ndaj liderëve autoritarë marrin mirënjohje, shpërblehen për punën “shkencore”. Ata janë avokatët më të preferuar të liderëve autoritarë derisa janë në pushtet, ndërsa kritikuesit më të ashpër kur ata marrin teposhtën. Kritikën eventuale shkencore për “punimet e tyre shkencore” i porosisin te soji i vet, te miqtë e tyre. Në këtë mënyrë improvizimet shkencore i “shesin” në publik si të arritura të “jashtëzakonshme, krijimtari origjinale” për të cilat marrin shpërblime dhe mirënjohje nga politikanët autoritarë. Rreziku është i madh ngase autoritarizmi politik në Kosovë nuk lartësohet nga meritat personale, por nga poltronët e nënshtruar që e mbështesin.

(Ky shkrim është pjesë nga libri “Rreziku nga autoritarizmi dhe poltronizmi intelektual në Kosovë”, të cilin autori do ta botojë gjatë vitit)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Belul Beqaj