TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Diğer sporlar

Zeqiri, CAS'ta davayı kazandığını söylüyor ve KOK'u yasadışı eylemlerle suçluyor.

Agron Zekiri

Ish-kryetari i Federatës së Notit të Kosovës (FNK), Agron Zeqiri, kishte shumë akuza nga Federata Ndërkombëtare e Sporteve të Ujit (World Aquatics). Ishte akuzuar për diskriminim, racizëm e nepotizëm. 

Më pas ishte suspenduar nga Njësia për Integritet e Sporteve të Ujit (Aquatics Integrity Unit). 

Pas shumë zhvillimeve, Zeqiri e dërgoi lëndën në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Dhe të premten ka treguar se e ka fituar rastin. 

Kjo është thënë të premten në konferencën për shtyp ku i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi ligjor i Agron Zeqirit, avokati Fis Murati. 

Avokati Murati theksoi se e kanë pranuar vendimin e CAS-it, përmes së cilit është anuluar vendimi i World Aquatics. 

“Së fundmi kemi pranuar vendimin e kësaj gjykate përmes së cilit është anuluar vendimi i World Aquatics, me të cilin vendim janë hedhur akuza kundër Zeqirit kinse për diskriminim, racizëm, nepotizëm, kërcënim dhe gjëra të tjera. Me këtë vendim është konstatuar se i njëjti nuk ka kryer asnjë veprim të tillë”, ka thënë Murati në fillimt të konferencës. 

Ai ka shtuar se ky është vendim final dhe i obligueshëm për të gjitha palët dhe institucionet, si në Kosovë ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Zeqiri ishte suspenduar për diskriminimin ndaj Adell Shaboviqit, notarit që prezantoi Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, por edhe ndaj Hana Beiqit. FNK-ja e kishte kundërshtuar fuqishëm paraqitjen e Shaboviqit në Olimpiadë. 

Në konferencë u tha se vendimi konstaton se Zeqiri nuk kishte bërë as keqpërdorim të pozitës dhe nuk ka bërë asnjë favorizim të ndonjë sportisti. 

Vendimi i CAS-it do të bëhet publik pas 14 shtatorit. Në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK), kanë refuzuar të flasin për rastin. Kanë thënë se nuk do të përgjigjen deri kur vendimi i CAS-it të bëhet publik. 

KOK-u është akuzuar të premten nga Murati e Zeqiri se në “Parisi 2024” ka dërguar sportistë në mënyrë të kundërligjshme, siç ishte rasti i Shaboviqit që është nga Peja, por jeton në Amerikë. 

“I njëjti nuk e ka plotësuar kushtin trevjeçar të rezidencës që ka qenë kusht esencial për të marrë pjesë në gara ndërkombëtare, në emër të Federatës së Notit të Kosovës. 

Në vendim po ashtu konstatohet se Adel Shaboviq shtetësinë e Kosovës e ka marrë vetëm për interesa personale, për të mos krijuar asnjë lidhje me shtetin e Kosovës, mirëpo vetëm për t’ia mundësuar vetes së tij të marrë pjesë në Lojëra Olimpike dhe asnjë lidhje tjetër”, është shprehur Murati. 

Murati ka thënë se në “Parisi 2024” kundërligjshëm është dërguar edhe Astrit Haliti, duke u diskriminuar Besart Shala që ka pasur më shumë pikë si trajner. 

CAS-i, sipas asaj që u tha në konferencë, i ka dhënë të drejtë Zeqirit edhe për rastin e notarëve, Eda Zeqiri dhe Mal Gashi. 

Sportistët në Lojërat Olimpike mund të marrin pjesë me normë olimpike apo me ftesë. Norma olimpike fitohet në bazë të garave zyrtare ku marrin pjesë, kurse ftesa është për shtetet në zhvillim. 

Zeqiri ka folur për këtë çështje, ndërsa ka përmendur pjesëmarrjen në Kampionatet Botërore në Fukuoka dhe Doha. 

“Paneli ka konstatuar dhe e ka shpjeguar qartë që në Fukuoka, sportisti Adell Saboviq nuk ka marrë pjesë, sepse nuk ka pasur pasaportë dhe nuk ka qenë anëtarë dhe nuk e ka plotësuar asnjë kriter për pjesëmarrje. Sa i përket çështjes meritore, cili sportist ka qenë meritor për pjesëmarrje në Fukuoka, paneli ka konstatuar se në Fukuoka, sportistja Eda Zeqiri, e ka përcaktuar dhe procesi selektues ka qenë në favor të saj duke konstatuar 682 pikë FINA në raport me 628 pikë FINA të sportistes Hana Beiqi”, ka theksuar Zeqiri. 

Zeqiri ka akuzuar se ndërhyrjet në përzgjedhjen e sportistëve në gara janë bërë nga sekretari i KOK-ut, Besim Haliti, dhe zyrtari i lartë i Federatës Botërore, Dale Neuburger. Sipas Zeqirit, ata kanë bërë “skenar të turpshëm me ekzaminimin e pikëve”. 

Zeqiri ka thënë se si pasojë e këtyre zhvillimeve, shumë prej notarëve premtues kanë hequr dorë nga sporti.