TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Spor

Coşkunun ötesinde, "Taranto 2026" Kosova sporunun durgunluğunu kanıtlıyor.

Coşkunun ötesinde, "Taranto 2026" Kosova sporunun durgunluğunu kanıtlıyor.

Me entuziazëm janë pritur Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” nga sportistët e Kosovës. Sidomos në prag të ceremonisë hapëse, përkatësisht në prag të parakalimit, entuziazmi ishte në kulm. U kënduan këngë atdhetare. Kishte frymë shumë pozitive në mesin e sportistëve dhe krijohej bindja që të gjithë mezi e presin paraqitjen në gara.

Për shumicën, ishte entuziazëm momenti. Nuk e kishin energjinë e njëjtë gjatë garës. Dhe as përgatitjet e duhura. Apo, ndoshta, nivelin e duhur.

Shumica e 163 sportistëve të Kosovës kishin paraqitje të zbehtë në qytetin italian të Tarantos dhe në vendet përreth tij. U fituan nëntë medalje nga tetë sportistë të ndryshëm. Njëri prej tyre, ai me dy medalje, është nga Irani e që garon për Kosovën.

Shtatë të tjerët karrierën e kanë nisur dhe e zhvillojnë në Kosovë. Por të gjithë medalistët për në Taranto udhëtuan si sportistë të dëshmuar. Dhe thuajse të gjithë kanë medalje më të vlefshme se ato që i fituan në edicionin e 20-të të Lojërave Mesdhetare. 

Boksierja Donjeta Sadiku ka medalje në Kampionat Botëror e Evropian, që janë shumë më të vlefshme se e arta mesdhetare. Karateisti Islam Selmani është nënkampion i botës. E arta mesdhetare nuk krahasohet me të argjendtën botërore. Xhudistët, me ndonjë përjashtim, kanë medalje shumë më të vlefshme se ato pesë që i fituan në Taranto. Edhe Kianoush Rostami ka medalje shumë më të mëdha se dy të argjendtat në peshëngritje, që i fitoi për Kosovën në Taranto.

Munguan emrat e rinj, sporte të reja të suksesshme. Munguan sportistë, pos atyre të konfirmuar, që dhanë sinjal se mund ta “sulmojnë” normën për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, apo që mund të pretendojnë medalje në Lojërat e ardhshme Mesdhetare “Prishtina 2030”. Katër vjet mund të duken shumë, por në sport nuk janë edhe aq. 

Garat në Taranto, që përfunduan të enjten, dëshmuan stagnimin e sportit kosovar. Derisa numri i sportistëve në vend, përjashto futbollin, vazhdon të bjerë ndjeshëm, vazhdon të zvogëlohet edhe numri i sportistëve që synojnë suksesin e respektuar ndërkombëtar. 

Numri i vogël në shumicën e sporteve bëri që të mos kishte ndonjë standard të lartë si kërkesë për pjesëmarrje në Lojëra Mesdhetare. Dhe, me gjithë konkurrencën solide në shumicën e sporteve, suksesi mungoi.

Për shkak se Lojërat e ardhshme Mesdhetare mbahen në Prishtinë, Komiteti Olimpik i Kosovës vendosi të dërgojë numër dukshëm më të madh sportistësh në Taranto, në krahasim me dy edicionet e kaluara të kësaj ngjarjeje. Në Tarragona të Spanjës, në vitin 2018, ishin 40 sportistë të Kosovës. U fituan katër medalje, prej tyre tri të arta. Dhe Kosova ishte e 14-ta në renditjen përfundimtare. 

Në Oran të Algjerisë në vitin 2022 ishin 38 sportistë të Kosovës. U fituan gjashtë medalje, prej tyre tri të arta. Kosova ishte e 16-ta. Në Taranto ishin plot 163 sportistë të Kosovës. U fituan nëntë medalje, por vetëm dy të arta. Dhe Kosova përfundoi e 15-ta. Pra më poshtë në renditjen e përgjithshme se në pjesëmarrjen e parë.

Rritja e numrit të sportistëve nuk nënkuptoi sukses më të madh. Dhe shumica e sporteve nuk e shfrytëzuan rastin e ofruar. Madje kanë dëshpëruar me rezultate edhe disa sportistë që për kohë të gjatë janë prezantuar si “me potencial dhe me të ardhme të ndritur”.

Në dy prej disiplinave kryesore sportive, atletikë e not, zona e medaljeve ishte larg për të gjithë pjesëmarrësit e Kosovës.

Në sporte të tjera, si taekwondo, mundja, tenisi, pingpongu, çiklizmi, kajaku, shenjëtaria, shigjetaria, pingpongu, triatloni, badmintoni munguan sukseset, e madje në shumicën edhe fitoret. Disa fitore u shënuan në padel, por jo mjaftueshëm për të fituar medalje. 

Në sportet ekipore, Kosova po ashtu pati rezultate të zbehta. U bë shumë bujë për dy fitore të volejbollisteve, që megjithatë nuk mjaftuan për vend në gjysmëfinale. Volejbollistët i humbën të gjitha ndeshjet. Në hendboll të dy përfaqësueset i fituan vetëm ndeshjet për t’u ikur vendeve të fundit. Futbollistët e rinj i humbën të gjitha ndeshjet, ndërsa futbollistet e morën një pikë. Në basketbollin 3x3 kishte vetëm humbje.

Emocione e krenari solli edhe ceremonia mbyllëse e “Taranto 2026”, gjatë të cilës “u bart stafeta” te Kosova për edicionin e ardhshëm të Lojërave Mesdhetare. 

Por, me gjithë mburrjen e drejtuesve dhe “fshehjen” e vazhdueshme pas sukseseve të xhudistëve, të karateistëve dhe boksieres Donjeta Sadiku, “Taranto 2026” nuk jep shumë shpresë për sportin kosovar.