TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür Eki

Kalabalıkların ve gürültünün hüküm sürdüğü bu dönemde, dünya şiirin değerini anlıyor mu?

Belki de popülerliği nedeniyle Nobel Ödülü.

Ndoshta çmimi “Nobel”, për shkak të popullaritetit që ka, mund të jetë si një goditje me shkop magjik për kohën e humbur apo atë kohë që asnjëherë nuk ka ekzistuar për poezinë. Ndoshta mund të jetë veç një dëshirë e poetëve, letrarëve, që njerëzit ta dëgjojnë më shumë poezinë e jetës, ta dëgjojnë më shumë njeriun

Në vitin 2016 poeti e profeti, Bob Dylan, fitoi çmimin “Nobel” për letërsi. Dhjetë vjet më vonë, Anne Carson e fitoi çmimin “Nobel” për letërsi. Atëbotë pyesnin se çfarë ka ndryshuar që një tekstshkrues ta fitojë këtë çmim? Sot pyesin se çfarë po ndryshon që për disa vjet, poeteshat po e fitojnë çmimin më të madh letrar në botë. Ndoshta, këto përzgjedhje na shtyjnë të kujtojmë se sa shumë kemi harruar ta dëgjojmë gjuhën e poezisë

Diku në njërin nga muret e kryeqytetit, dikush ka shkruar me shkronja të vogla shtypi, një varg të famshëm të Rumit, aty ku poeti mistik persian flet për dashurinë si forcë që e kapërcen unin dhe fuqinë transformuese të saj: “Dashuria nuk është vetëm te gjetja e një tjetri, por të humbasësh kufijtë e vetes… xx”. Mbishkrimi ka një zemër anash dhe një pohim dashnie që kallëzohet publikisht. Poeti që shkroi këto vargje 800 vjet më parë, është bërë tejet i parafrazuar e shumë aktual në rrjetet sociale. Po të mos ishte Instagrami, pak do t’ia dëgjonin emrin. 

Ashtu si në poezinë e bukur lirike, personat nuk janë mendjemadhësisht në qendër, por diku në qoshet e mbishkrimit, i cili i shënuar në muret e qytetit të hirtë, të jep ndjenjën e besimit se njerëzit i dashurojnë fjalët. Të jep ndjesinë o mashtrimin se poeti shpirtmadh sufist di t’i udhëheqë nëpër ditët e shenjta brezin e tetë shekujve më vonë.

Në vitin 2016, Bob Dylan, që ishte e mbetet një, u nderua me “Nobel” në letërsi. Për gjithë ata që i dëgjojnë jo vetëm tingujt po edhe fjalët, kujtojmë këngët “Knockin’ on Heaven’s door” ose “Blowin’ in the wind”. Ai e ka fituar moti “Nobelin” e tij, por çmimi megjithatë është një lloj falënderimi për çfarë artisti i ka falë botës, letërsisë, artit. Universi i tij poetik na flet se si është të jetosh në botën tonë, në kohën tonë. Një pyetje e thjeshtë për të cilën kërkohej përgjigje atëherë: Çfarë ka ndryshuar që një tekstshkrues ta fitojë çmimin “Nobel” për letërsi? Dashuruesit e muzikës rock, më saktë, dashuruesit e poezisë së kësaj fryme, e kanë ditur moti, po dhe vetë legjenda e rockut gjithnjë ka thënë “Jam poet dhe këtë e di”. Rreth 20 vjet më parë një tjetër ikonë e muzikës, kanadezi Leonard Cohen fitoi një çmim të madh letrar, “Princi i Asturias”. Arsyetimi i çmimit në të dyja rastet nënvizonte “ndikimin e madh të autorëve në disa gjenerata”.

Se poezia është e krijuar për një grimë njerëzish, besoj se e dimë. Se poezia na fal një mënyrë tjetër të vështrimit mbi botën, ata që e shijojnë, e dinë. Se libraritë te ne nuk i pranojnë librat me poezi, me arsyetimin se nuk u shiten, e dimë. Se autorë që kanë shkruar po për një grimë njerëzish po nderohen me “Nobelin” në letërsi, këtë po e mësojmë këto ditë.

Letërsia, shpesh krijon kontradikta, e ndonjëherë ruan edhe befasi. Louise Glück u nderua me “Nobel” më 2020 për zërin e saj unik poetik. Glück, nuk provon magjepsjen me figuracionin e ngjeshur apo stolisjen e gjuhës. Glück pret e vret me gjuhë të kthjellët, gati të ftohtë akull, duke zbuluar ndjesi të thella e të vërteta që pak nga ne duam t’i dëgjojmë. Një botë e thellë psikologjike, ku dashuria, humbja apo vetmia bëhen pjesë fondamentale e kuptimit të ekzistencës.

Më pas, në vitin 2024 njohëm koreanen Han Kang, e cila diti ta thotë të vërtetën se një grua ka të gjitha përgjigjet brenda trupit të vet. Se trupi i gruas bart historitë, dhunën e rezistencën; shkrimtarja që diti traumën individuale ta lidh me memorien historike e dhunën politike.

Tash, me Anne Carson si laureate e vitit 2026, e cila konsiderohet një zë poetik bash për kohën tonë, mendjet letrare kanë nisur të pyesin se çfarë mund t’i sjellë përzgjedhja e Akademisë Suedeze botës së sotme dhe lidhjes së saj me poezinë? A mund të ndikojnë këto përzgjedhje në kanonin letrar botëror? A është rasti për ta rimenduar kufirin e poezisë? Cilët janë realisht kufijtë e poezisë?

Platoni donte t’i bënte kurban poetët që të mos ia prishnin republikën e tij ideale. Por Akademia Suedeze duket se ka një plan tjetër. Të nxisë. Të provokojë. Pyetjet që nuk lexohen mund edhe të shtrohen kësisoj: a ka vdekur poezia? A kanë vdekur pyjet? A kanë vdekur lumenjtë e pemët? A po e ndien sërish kjo botë nevojën për poezinë?

Teknikja e artificialja, nuk janë shpikje djallëzore vetëm të kohës së sotme, siç habitemi e themi shpesh. Kanë nisur kohë më parë duke kulmuar këtu ku jemi sot. Prandaj, në një kohë kur njeriu lëviz me shpejtësi marramendëse poshtë e lart ekraneve, në një botë që na ngut papushim, a na duhet poezia, ajo formë magjepsëse shkrimi që na kujton të ndalemi, ta ndiejmë jetën me një tjetër puls e ta ndiejmë shpirtin tonë gjerë në thellësi?

Anne Carson flet për tema që në letërsinë e madhe dikur janë quajtur “të vogla”. Për tema po kaq të vogla flet edhe Louise Glück apo ndonjë tjetër. Pastaj më vijnë imazhet e vargjeve të shkëputura nga Xhelaludin Rumi, Mahmud Darvish apo Khalil Gibran nëpër rrjete sociale, shoqëruar me fotografi e shpesh me tinguj muzike. Ndoshta poezia po gjen një mënyrë t’i përgjigjet botës së sotme. Ndoshta njeriu, pak prej tyre, në një kohë të komunikimit të shpejtë e të informacioneve të pafundme, po e kërkon poezinë si një formë më të thellë përjetimi dhe si një formë që të jep më shumë mundësi të njohësh, të ndiesh, të kuptosh mbi të vërtetat e qenies, mbi të vërtetat e shpirtit.

Ndoshta çmimi “Nobel”, për shkak të popullaritetit që ka, mund të jetë si një goditje me shkop magjik për kohën e humbur apo atë kohë që asnjëherë nuk ka ekzistuar për poezinë. Ndoshta mund të jetë veç një dëshirë e poetëve, letrarëve, që njerëzit ta dëgjojnë më shumë poezinë e jetës, ta dëgjojnë më shumë njeriun.

Ky salltanet i poezisë, i ardhur këto kohë, duket marramendës karshi autorëve të njohur ndërkombëtarisht, fitues të dikurshëm, dhe zgjedhjeve të viteve të fundit për të nderuar autorë që njihen pak ose aspak nëpër botë. “Nobeli” i viteve të fundit po nxjerr në pah madhështinë e bukurinë e letërsisë që përvojat individuale, ato përvoja të vogla të jetës njerëzore, i shndërron në letërsi universale. Ndoshta me këtë “Nobeli” po na kujton se më nuk kemi shumë nevojë për rrëfimet monumentale?

Ndoshta, ky ndryshim po përpiqet të ngre apo të testojë me pyetjen nëse poezia, format e shkurtra dhe shkrimi introspektiv janë duke fituar hapësirë të re në letërsinë bashkëkohore. Përzgjedhja gjithsesi na sugjeron apo na shtyn drejt një rikonceptimi të vetë madhështisë së letrave të bukura dhe mjeshtërisë së autorëve të cilët nuk lodhen për të përfshirë gjithë botën në një vepër, por kanë aftësi e dinë ta zbulojnë universalen përmes një përvoje të vetme, me njeriun, me botën. Dhe kjo, është thellësisht njerëzore.

Për idealistët e poezisë nderimi i veprës së Louise Glück apo Anne Carson me çmimin me prestigjioz të letrave është një triumf i poezisë. Sepse të triumfojë një formë letrare që e kërkon komunikimin e sinqertë me thellësinë e kjo botë që di të çelë e të sjellë skutat e shpirtit, është një mënyrë për t’i thënë njeriut: ndalu, lexo e kupto, pak më thellë. Sall për pak.

Në një lojë groteske e tallëse duket se në shoqëritë tona artificialja e teknikja kanë triumfuar ndaj gjenuines, origjinales, natyrales. Se diçka e madhe me arrogancë po e prish ciklin natyror të jetës njerëzore, ndaj në këtë mes duket e pamundur dhe e vështirë të besosh ta kthesh vëmendjen e njeriut nga dija e vërtetë, ta kthesh nga zgjuarsia, aq më pak ta kthesh vëmendjen nga poezia e bukur që flet për shpirt.

Fitorja më e madhe kësaj here është fitorja e poezisë. Nëse poezia me kohë, është kthyer e ka hyrë në një lloj terrori didaktik, duke “u bërë” me zor dhe e shtrirë në një retorikë të bezdisshme edukative, shpërblimi dhënë Bob Dylanit dikur dhe shpërblimi dhënë Louise Glück e Anne Carson, është mbi të gjitha çmim dhënë poezisë, lirisë e aventurës së saj.