Në qendër të mbrëmjes së fundit të “DokuFest” qe filmi “Në kërkim të poezisë” i Lorin Terezit, i cili u shpall fitues në kategorinë kryesore, atë të Garës Kombëtare, ndërsa edicioni i 25-të ka sjellë vlerësime për vepra që trajtuan kujtesën, rezistencën, migrimin, të drejtat e njeriut, luftën, mjedisin dhe marrëdhënien e njeriut me botën përreth. Filmi i Terezit e trajton historinë përmes portretit intim të një personazhi që përpiqet të rikthejë atë që i është marrë
Njëzetepesë vjet pas themelimit, “DokuFest” e ka mbyllur edicionin e çerekshekullit në Prizren, duke e bërë ceremoninë përmbyllëse jo vetëm moment të shpalljes së fituesve, por edhe një rikthim te rrugëtimi i një festivali që, për dy dekada e gjysmë, e ka ndërtuar identitetin e tij përmes filmit, kujtesës, debatit dhe këmbënguljes. Në qendër të mbrëmjes së fundit ishte filmi “Në kërkim të poezisë” i Lorin Terezit, i cili u shpall fitues në kategorinë kryesore, atë të Garës Kombëtare, ndërsa edicioni i 25-të ka sjellë vlerësime për vepra që trajtuan kujtesën, rezistencën, migrimin, të drejtat e njeriut, luftën, mjedisin dhe marrëdhënien e njeriut me botën përreth.
Prej disa vitesh, Gara Kombëtare mbetet më e rëndësishmja e “DokuFestit”. Këtë vit, 15 filma ishin pjesë e Garës Kombëtare. Juria, e përbërë nga Aulona Selmani, Florian Fernandez dhe Sven Schwarz, e ka përzgjedhur fituesin kryesor të edicionit të 25-të – filmin “Në kërkim të poezisë” nga Lorin Terezi.
“Një kërkim të brishtë, këmbëngulës, prekës”
Filmi i Terezit e trajton historinë përmes portretit intim të një personazhi që përpiqet të rikthejë atë që i është marrë. Sipas vlerësimit të jurisë, vepra i qaset censurës dhe kujtesës me ndershmëri, humor të butë dhe në mënyrë njerëzore, duke ndërtuar një kërkim të brishtë, këmbëngulës, prekës dhe herë-herë absurd për të gjetur prova konkrete që të rikthejë atë që personazhi nuk e ka harruar asnjëherë.
“E falënderoj ‘DokuFestin’ për energjinë që jep e që për artistët është e domosdoshme. Gjithmonë regjisorët duhet ndjekur politikat, vuajtjet. Do të doja që të çonim vëmendjen te liria, poezia, të përndjekurit politikë. Ky ishte qëllimi kryesor”, ka thënë regjisori.
Ayrıca
Vidovdan'a ilham veren Vid'in kimliğini arayış
Çmimin e ka ndarë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ceremoninë e ka lidhur edhe me kontekstin politik në vend.
“’DokuFest’ në edicionin e vet jubilar jo vetëm që ka qenë magjepsës, por edhe ka shënuar rekord në sjelljen e filmave në qytetin më të bukur, në Prizren. E bënë natën e sontme festive, por edhe mallëngjyese, ngase nga nesër nuk do të ketë ‘DokuFest’”, ka thënë ai. Ka bërë shaka me situatën politike vendore.
Para se ta hapte zarfin e fituesit, Kurti ka thënë se do të donte që ai të ishte një zarf me emrin e presidentit të vendit.
Por ceremonia e mbylljes ka nisur shumë më herët se momenti i shpalljes së çmimeve, duke e vendosur 25-vjetorin në qendër të rrëfimit të vetë festivalit. Në hapje është kujtuar se ky edicion nuk ishte vetëm një tjetër pikë në kalendarin e “DokuFestit”, por një përvjetor i një historie që ka nisur pa shumë siguri, por me një vendim të qartë për të hapur dyert, për t’i parë filmat bashkë dhe për të vazhduar.
“Sivjet nuk po e mbyllim veç edhe një edicion. Po i shënojmë njëzetepesë vjet të një festivali që ka nisë pa shumë siguri, por me një vendim të qartë: me i hapë dyert, me i pa filmat bashkë dhe me vazhdu. ‘25 for 25’ nuk është numërim për hir të nostalgjisë. Është dëshmi e këmbënguljes. E një festivali që ka ndryshu bashkë me Prizrenin, ka hapë kinema në hapësira të harruara, ka nisë biseda, ka lidhë njerëz dhe u ka dhanë të rinjve hapësirë me imagjinu një të ardhme tjetër”, është thënë në nisje të ceremonisë.
Në ceremoninë përmbyllëse fillimisht është shfaqur një video që ka dokumentuar përgatitjen dhe zhvillimin e programit të “DokuFestit”, e më pas një material i përgatitur nga “DokuKids”. Ky program, sivjet, ka përfshirë fëmijët e moshës 6 deri në 14 vjeç, të cilët kanë pasur në dispozicion 38 filma dhe pesë punëtori që kanë lidhur animacionin, tregimin vizual, filmin dokumentar, energjinë e ripërtëritshme dhe qëndrueshmërinë.
Një tjetër prej programeve që është zgjeruar këtë vit ka qenë Forumi i Filmit të Shkurtër, i cili është mbajtur për herë të dytë dhe është shtrirë në pesë vende të Ballkanit. Nga 48 aplikime janë përzgjedhur dhjetë projekte nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bullgaria. Italia ishte vendi mysafir i Forumit për këtë vit.
Mungesa e rezistencës e nderimi i kujtesës
Në Garën Ballkanike, ku kanë konkurruar gjithsej 22 filma, çmimi për filmin e gjatë i është dhënë “As the Spring Arrives, Water Recalls the Nomads” nga Dilşad Aladağ. Filmi, përmes gjuhës së kinemasë, ndërton një takim mes dy hulumtuesve në kapërcyell të kohës. Përkushtimi ndaj njerëzve dhe kulturës që kërkojnë ta kuptojnë e shndërron një peizazh të zhveshur në një rrëfim mbi mungesën dhe rezistencën. Materialet arkivore rikthehen në jetë dhe marrin një rol të ri, ndërsa vetë filmi shndërrohet në një lloj arkivi që ruan dhe nderon kujtesën e kësaj toke.
“Për 25 vjet e keni bërë këtë festival të mrekullueshëm. Ishte kënaqësi të isha për herë të parë në vitin 2019 për ta parë festivalin, por edhe qytetin, lumin, kalanë dhe shumë më shumë. Shpresoj t’ju shoh prapë viteve të ardhshme në ‘DokuFest’”, ka thënë ajo në një videomesazh.
Mirënjohje të veçantë në kategorinë “Balkan Feature Dox” ka marrë Srdjan Kovaçeviq për filmin “The Thing to Be Done”. Vepra i portretizon punëtorët, pavarësisht prejardhjes së tyre, me kujdes dhe përkushtim, duke e shndërruar hapësirën e punës në një teatër betejash për të drejta dhe dinjitet. Këngët e rezistencës e përforcojnë dimensionin politik dhe emocional të filmit, i cili ofron një vëzhgim të drejtpërdrejtë të rezistencës dhe solidaritetit.
“DokuFest është programi i preferuar. Do të doja të vija çdo vit me filmat e mi. Ai na frymëzon. Gjithashtu, në fund, liri Palestinës”, ka thënë ai.
Në kategorinë e filmit të shkurtër ballkanik, çmimi i është dhënë “Towards Where to Breathe” nga Stefan Pavloviq. Filmi nis nga hapësira e shkurtër mes dy frymëmarrjeve, kur mendimi zhduket dhe gjuha humbet përkohësisht. Përmes kujtimeve që zgjon elementi i ujit dhe sekuencave në shirit videokasete, vepra ndërton një udhëtim poetik mbi kujtesën e ndjenjave, figurën e atit dhe fjalët me të cilat përpiqemi t’u japim kuptim atyre. Në fund, kujtesa mund më në fund të marrë frymë.
“E dua ‘DokuFestin’, është festivali im i preferuar. Është festival që gjen gjuhë të përbashkët për të gjithë ne dhe na bën të reflektojmë”, ka thënë Pavloviq. Ai ka bërë thirrje: “Liri Palestinës!”.
“Normal Planet” me animacionin e realitetin
Në “International Short Dox”, fitues është shpallur “Normal Planet”, një vepër që ndërthur animacionin me realitetin e përditshëm. Filmi nis me fishkëllimën e një bretkose gazmore, e cila më pas zbulohet se është roje sigurie në muze, dhe prej aty sjell një varg personazhesh bashkëkohorë e qesharakë që ndërveprojnë me artefaktet historike të një bote që nuk është më. I ngrohtë dhe inovativ, filmi e gjen humorin në distancën mes së kaluarës dhe së tashmes, duke mbajtur në qendër dimensionin njerëzor.
“Isha me fat të ndiqja festivalin. Në emër të gjithë ekipit falënderoj jurinë për këtë nder të jashtëzakonshëm. Është një film i veçantë për ne dhe jemi të lumtur që keni zbuluar historinë e festivalit”, ka thënë Ekiem Barbier, një nga tre regjisorët e filmit.
Çmimi në garën “International Feature Dox” i është dhënë “From Dawn to Dawn” nga Xisi Sofia Ye Chen. Filmi është vlerësuar për finesën dhe hirin artistik, si dhe për ekuilibrin mes intimitetit dhe përmbajtjes. Regjisorja e fton shikuesin në botën e veçantë dhe të papritur të familjes së saj, ku kaosi i jetës, spiritualiteti, dhuna, dhimbja, urtësia dhe butësia bashkëjetojnë natyrshëm. Vepra u jep hapësirë atyre që shpesh mbesin në margjinat e shoqërisë dhe ofron një qasje ndryshe ndaj historisë së migrimit.
“Edhe pse distanca është abstrakte, jam e lumtur që kam marrë lajmin që kam fituar çmimin. Filmi është për vëllanë tim dhe gjithë diasporën kineze në Spanjë”, ka thënë ajo.
Çmimin e ka ndarë drejtori artistik Veton Nurkollari.
“Mirë se keni ardhur në këtë edicion të veçantë. Është ndjenjë e veçantë edhe për mua të jem këtu”, ka thënë ai.
Ayrıca
Kosova, Sorbonne Kamplar ve Soykırımlar Bilimsel Konferansı'nda
Rrëfimi për skllavërimin sistematik triumfon në “Human Rights Dox”
Në kategorinë “Human Rights Dox”, filmi fitues ka qenë “The Clearing” nga Sabine Groenewegen. Vepra, përmes një hulumtimi të gjerë dhe punës së fuqishme artistike, nxjerr në dritë një kapitull të heshtur të historisë koloniale holandeze: shfrytëzimin dhe skllavërimin sistematik seksual të grave nga kolonizatorët holandezë në Sumatra të Indonezisë. Përmes dëshmive arkivore dhe analizës së censurës e fshirjes së historisë të mbështetur nga shteti, filmi tregon se si pushteti kolonial shfrytëzoi trupat e grave, kontrolloi mënyrën se si u shkrua historia dhe i fshiu përvojat e tyre nga kujtesa kolektive.
Pikërisht për këtë, sipas jurisë, filmi bëhet një akt i rëndësishëm i dekolonizimit të kujtesës historike, duke sfiduar narrativat koloniale dhe duke ngritur pyetjen se vuajtjet e kujt kujtohen, zërat e kujt ruhen dhe njerëzimi i kujt pranohet.
“Fatkeqësisht jam kthyer në Amsterdam. Kam kaluar shumë mirë në Prizren. Jam e befasuar me punën që është bërë për 25 vjet dhe për atë që është bërë deri tash. Ky çmim është shumë i rëndësishëm dhe njohje e çmuar e punës sime dhe e gjithë ekipit. Do të doja të isha sonte aty me ju për të festuar bashkë”, ka thënë regjisorja holandeze.
Mirënjohje të veçantë në këtë kategori ka marrë regjisori ukrainas Lev Omelchenko për “A City in the Forest”. Filmi ndjek taktikat e ndryshme dhe të palodhura të aktivistëve për të ndalur ndërtimin e një qendre të militarizuar për trajnimin e policisë në një pyll të Atlantës. Përballë brutalitetit policor dhe shtypjes së demokracisë, ai përcjell gëzim, kreativitet dhe bukuri, duke u shndërruar edhe në një udhërrëfyes për organizimin komunitar dhe në dëshmi të fuqisë së veprimit kolektiv.
“Ka qenë përvojë magjike”, ka thënë ai, derisa ka folur për përvojën në festival.
Në një kohë kur luftërat dhe dëmet mjedisore vazhdojnë të dominojnë realitetin global, “DokuFest” ka ndarë edhe çmimin “Green Dox”. Linda Llulla ia ka dhënë këtë çmim filmit “Krakatoa” nga Carlos Casas. Vepra, përmes kërkimit mbi mundësitë që ofron vetë materia e kinemasë, e çon shikuesin në një udhëtim fizik e tokësor drejt qendrës së Tokës.
“Jam shumë i lumtur ta marr këtë çmim. Ju falënderoj jurinë dhe publikun në këtë festival të mrekullueshëm. Për ne, filmbërësit që shpenzojmë vite të tëra dedikim dhe dashuri për filmat tanë, çmimet na japin energji për të punuar në filma të tjerë”, ka thënë regjisori në një videomesazh.
Në “International Shorts”, çmimi për filmin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar i është dhënë “Kleptomania”, që vlerësohet si portret i qetë, por rrëqethës, i dhunës që depërton gradualisht në jetën e përditshme të një fëmije. Filmi është vlerësuar për qasjen e vendosur dhe të durueshme ndaj një kujtimi të fshehur, duke e trajtuar atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, diskrete dhe të frikshme në normalitetin e vet.
Përmendje të veçantë ka marrë “Venezia Diorama” nga Nicolas Piret, një film që juria e ka vlerësuar për rrëfimin e pastër vizual dhe për mënyrën se si teknikat e animacionit të punuara me dorë e trajtojnë kuadrin si një skenë fizike, shumështresore dhe në miniaturë, të ndërtuar me tekstura të detajuara lapsi.
Në Garën Kombëtare, përveç çmimit kryesor për “Në kërkim të poezisë”, një tjetër vlerësim i rëndësishëm ka shkuar për filmin “The Beauty of the Donkey” të Dea Gjinovcit, i cili ka marrë Çmimin e Publikut me vlerësimin më të lartë mesatar prej 4.75 pikësh nga 5. Filmi ndërthur kujtesën, mërgimin dhe rikthimin në vendlindje, duke ndjekur përpjekjen e një babai dhe vajzës së tij për të rindërtuar një botë të fëmijërisë që nuk ekziston më.
“Është çmimi më i mirë për festivalin e preferuar të filmit. Ka qenë kënaqësi ta shfaq filmin tim aty. Doja që filmi ta takonte audiencën e Kosovës. Ju falënderoj të gjithëve, babanë tim, protagonistin e filmit dhe festivalin. ‘DokuFesti’ është si shtëpi për mua. Ne do të kthehemi me shfaqje të tjera në ‘DokuFest’”, ka thënë ajo në një videomesazh.
Çmimi i Distribucionit i është dhënë “Dance” nga Hana Bucalija. Filmi ndjek Ukën tetëmbëdhjetëvjeçar dhe familjen e tij gjatë arratisjes nga lufta, teksa bëjnë një ndalesë të fundit për të marrë Emën, vajzën që ai dashuron. Ajo i pret si një nuse, gati për të shkëmbyer unazat, por njëra prej tyre mungon.
“Është ndjenjë e veçantë të gjejnë vend në shtëpinë e vet. Për mua do të thotë që filmi nuk përfundon këtu dhe ka mundësi të dalë jashtë vendit”, ka thënë ajo.
“Tarik” kandidat për Çmimin Evropian të Filmit të Shkurtër
“DokuFest”, si festival partner i Akademisë Evropiane të Filmit, ka kandiduar edhe sivjet një film nga programi i tij për Çmimin Evropian të Filmit të Shkurtër. Kandidati i këtij edicioni është “Tarik” nga Adem Tutiq. Filmi ndjek Tarikun, i cili, pasi përjashtohet nga shkolla në qytetin e tij të lindjes, detyrohet të largohet nga nëna e tij beqare, Marija, dhe të shpërngulet në Novi Pazar për të jetuar me babanë e tij, Safet, dhe familjen e tij. Përzgjedhësi i filmave të shkurtër është Samir Karahoda.
Ceremonia e mbylljes e ka përmbledhur në çmime një pjesë të asaj që “DokuFest” ka sjellë në Prizren gjatë nëntë ditëve të festivalit: filma që nuk kufizohen vetëm në rrëfimin e historive, por që përpiqen t’i rihapin ato përmes kujtesës, dëshmisë, artit dhe pyetjeve që mbeten të hapura.
Për organizatorët, edicioni jubilar ka qenë një prej më të suksesshmëve. Festivali sivjet ka kremtuar 25-vjetorin përmes filmave, muzikës, diskutimeve dhe programeve edukative, duke e mbajtur Prizrenin në qendër të agjendës ndërkombëtare të kinemasë dokumentare.
Një nga organizatorët e “DokuFestit”, Eroll Bilibani, ka thënë se ky është një prej edicioneve më të mira të festivalit.
“Mendoj se është një nga edicionet më të mira që kemi pasur, së paku për mua. Ndihet dashuri e madhe midis të gjithëve. Ka qenë një energji tepër pozitive, e cila në njëfarë mënyre na ka frymëzuar që t’ia vlejë kjo punë të cilën e bëjmë dhe që të vazhdojmë ta bëjmë”, ka thënë ai.
Ayrıca
Postmodernizmden yapay zekaya
Në përvjetorin e 25-të, festivali ka zgjedhur të mos e shohë historinë vetëm si një arsye për nostalgji, por si dëshmi të këmbënguljes. Dhe në fund të nëntë ditëve, teksa “Në kërkim të poezisë” i Lorin Terezit është shpallur fituesi kryesor i Garës Kombëtare, “DokuFest” ka lënë pas një tjetër edicion në të cilin filmi, qyteti dhe publiku janë bërë sërish pjesë e së njëjtës ngjarje. Kësaj radhe me moton “Doku, sepse duhet!”, ndërsa tema “Persistent Defiance” (Mosbindje e vazhdueshme).
Në fund, “DokuFest” ka paralajmëruar edicionin e ardhshëm, atë të 26-të. Ka lënë takim me publikun nga 6 deri më 14 gusht të vitit të ardhshëm.