TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Kültür Eki

Anne Carson – çağımızın sesi

Günümüzde şiire pek rastlanmıyor ve Anne Carson, günümüzün yazarlarından biri.

Günümüzde şiire pek rastlanmıyor ve Anne Carson, günümüzün yazarlarından biri.

Poezia çel dhomat e shpirtit që janë të mbyllura me dry. Anne Carson është nga ato zëra të fortë të letrave që kanë ditur ta shkruajnë historinë e heshtjes së gruas dhe shumësinë e grave që rrojnë brenda një gruaje

Ndonjëherë pamjet flasin, herë tjetër heshtin. Ndonjëherë emrat flasin, edhe ata kanë shpërfaqjet e mbylljet e tyre. kështu ndodh pothuaj çdo tetor, atëherë kur fytyra dhe emri i fituesit të çmimit më të madh letrar në botë, shfaqet në ekran. Miqtë joletrarë ulur në të njëjtën tavolinë, pyesin: a e njeh? Kush është autorja fituese?

Anne Carson u shfaq në ekran këtë të enjte pasdite me shi, me veprën, jetën dhe gjithë bagazhin e saj intelektual. Ajo që është më e bukura për këtë grua poete, është guximi dhe liria për ta çliruar poezinë nga rrëfimi linear. Bash guximi, për të folur me poezinë ashtu siç flitet me shpirt. Guximi për ta rikthyer mitin në një tjetër formë, në një tjetër dimension, duke e vendos atë në trupin, shpirtin e në hapësirën e sotme.

Poetët janë gjithnjë konkretë, thonë, edhe në fantazitë e tyre më të shfrenuara. Poetët janë të marrë e të krisur dhe të aftë të krijojnë botëra të tjera në të cilat rrojnë të lirë, të zhveshur. Poezia mund të çelë ato dhoma shpirti që janë të mbyllura me dry. Poezia si gjuhë që u jep zë përvojave më të mbyllura, më të heshtura e krejt të padukshme. Poezia si mënyrë për të shkruar historinë e heshtjes së grave dhe për mënyrën se si Carson rikthehet gjithë të figura e gruas si arketip.

Universi letrar i Carsonit shtrihet e ndërtohet mes pasionit obsesiv të filologut për fjalën dhe dëshirës së poetit për të krijuar kuptime të reja.

Ajo ka rrëmuar në realitetin e sotëm të gruas. Carson nuk lodhet të shpjegojë. Nuk ndërton histori, me krye e fillim. Ajo lë boshllëqe. Hapësira. Çarje. Zhvendos. Copëzon. Rindërton. Sikur të luante me puzzle, pa e finalizuar kurrë figurën e pritur. Dhe pikërisht për këtë më pëlqen. Jep një imazh, një fjali, një kujtim, gjithçka që mund të mbajë peshën e një historie të tërë.

Carson shpesh e ndërton figurën femërore përmes asaj që ka mbetur: miteve, fragmenteve, zërave të humbur, trupit, dashurisë së dështuar. Ajo nuk e tregon gruan sall si personazh, por si një hapësirë ku arkivohen histori. Gruaja e sotme nuk është një, nuk është një e vetme. Në të janë nëna, gjyshja, gratë e familjes, frika, dëshirat dhe fatet e tyre.

“Falli” njihet si mjeshtri për ta parashikuar të ardhmen; po përtej kësaj, falli ka një gjuhë të trashëguar të grave për të lexuar jetën. Qoftë me zë e qoftë pa zë.

Kohët e reja e kanë bërë “zanatin” e shkrimtarit gjithnjë e më shumë “më pak”, “më të vogël” , “më të largët”. Meqë rrojmë në një kohë që priret më shumë e më tepër ta tjetërsojë të vërtetën, në një kohë që e injoron njohjen e thellësisë, një grua shkrimtare si ajo, ndoshta të paktën nga kureshtja e të paktën për pak kohë, mund t’i nxisë të tjerët të mendojnë për fuqinë e fjalës, për fuqinë e poezisë.

Në poetikën e saj hetohet përpjekja për t’u dhënë gjuhë e formë gjërave që janë të vështira për t'u thënë, në mënyrë të drejtpërdrejtë: dëshirës fillimisht, humbjeve, erosit, xhelozisë, si një nga ndjenjat e forta të njeriut, trupit e vetmisë njerëzore.

Ajo na ka dhënë një histori martesore letrare, “The beauty of the Husband”, duke gërmuar në qenien për të kuptuar se çfarë i ndodh njeriut, qenies, kur dashuria përplaset me tradhtinë, dëshirën dhe çfarë i ndodh kur përplaset me humbjen. Carson nuk e ka fokusin kryesor në atë se çfarë gruaja përjeton, por në gjetjen e një gjuhe të asaj që përvoja e bën të vështirë t’i japë emër..

Helene Cixous thotë se “Gruaja e shkruan veten”. Po, mirë. Ideja e teoricienes Cixous se gruaja duhet “ta shkruajë veten” lidhet me mënyrën se si Carson e vendos gruan si subjekt të dëshirës e mendimit. Dhe rrëfimit. Një krijuese. Një autore me gjuhë të veten, dhe jo sall i vështrimit apo dëshirës mashkullore. Gruaja që rrëfen, uni femëror që rrëfen, kujton, analizon dhe e risheh marrëdhënien e saj përballë një burri. Gruaja nuk është më ajo për të cilën flet burri: por e merr fjalën vetë dhe e shkruan versionin e saj të historisë. Larg kuptimeve teorike feministe, Carson, është e thellë dhe e ndërlikuar. Është unike. Me fuqinë e saj, ajo vë gruan në qendër dhe njëkohësisht vë në dyshim vetë idenë e një identiteti të qëndrueshëm femëror.

Të rikujtojmë se Carson është një filologe e antikitetit. Dhe një filologe e klasikes nuk ka se si të mos e lidh botën e grave të lashtësisë, atyre pak zërave që njohim, duke i vënë në dialog me gruan moderne. Dhe kjo, konsiderohet si një nga veçantitë e saj më të mëdha.

Shumësia e grave që rrojnë brenda një gruaje. Shumësia e grave që rikthehen nëpërmjet copëzave të jetës, zërit, trupit, dëshirave të qenies. Në kohën tonë ka pak poezi dhe ajo është një autore bash për kohën tonë.