Këngëtarja Miley Cyrus ka konfirmuar se albumi i saj i 10-të në studio, “Bass Persuades”, do të publikohet më 18 shtator.
33-vjeçja e bëri njoftimin përmes Instagramit, ka shkruar KadınÖnce.
“Albumi im i dhjetë në studio, ‘Bass Persuades’, është i juaji më 18 shtator”, ka shkruar ajo.
Cyrus ka shpjeguar se titulli lidhet me mënyrën se si muzika ndikon te njerëzit dhe te emocionet e tyre.
“Muzika na kap. E ndiejmë, e këndojmë, ndonjëherë kërcejmë me të, e nxjerrim jashtë dhe vazhdojmë përpara. Ajo është e fuqishme, e brishtë, e ëmbël dhe e fortë”, ka thënë ajo.
Sipas këngëtares, albumi pasqyron emocione të ndryshme, nga dashuria dhe lumturia te dhimbja dhe momentet e tjera të jetës.
Për të festuar publikimin e albumit, Cyrus do të performojë në “Hollywood Bowl” më 16 dhe 18 tetor.
“‘Hollywood Bowl’ është vendi im i preferuar për ta përjetuar muzikën dhe për të parë artistët e mi të preferuar. Kam qenë shumë herë në ato ulëse, por nuk kam dalë kurrë në skenë”, ka shkruar ajo.
Kjo vjen pasi Cyrus kishte thënë vitin e kaluar se nuk kishte më dëshirë të bënte turne.
Këngëtarja ka lënë të kuptohet më herët se albumi do të jetë i lidhur ngushtë me dashurinë.
“Ky album është një histori dashurie, por historitë e dashurisë nuk janë kurrë njëdimensionale. Ato kanë gjithmonë shumë shtresa”, kishte thënë ajo.
Këngëtarja ka shtuar se albumi pasqyron fazën e saj aktuale të jetës dhe një ndjenjë dashurie të qetë që ka qenë temë edhe në dy albumet e saj të fundit.