Aktori i njohur Michael Douglas ka rrëfyer se bashkëshortja e tij, aktorja, Catherine Zeta-Jones i vendosi një kusht të qartë në fillimet e lidhjes së tyre: nëse donte të ishte me të, duhej t’u jepte fund marrëdhënieve me gratë e tjera, ka shkruar KadınÖnce.
Aktori 82-vjeçar e ka treguar historinë në librin e tij të ri me kujtime, “One Helluva Ride”. Në atë kohë, Douglas ishte i ndarë nga gruaja e parë, Diandra Douglas, dhe po takohej me pesë gra të tjera.
Pasi u mahnit nga Catherine në filmin “The Mask of Zorro”, ai nisi ta ndiqte atë. Por aktorja nuk pranoi të bëhej “e gjashta”.
“Ajo më tha se e kuptonte që isha beqar dhe sapo kisha dalë nga një martesë e gjatë, por ajo do vetëm një marrëdhënie monogame. ‘Nuk jam e interesuar të takohem me ty nëse ti po takohesh me të tjera. Ose vazhdo me ato, ose jepu fund dhe bëhu me mua’”, shkruan Douglas.
Reagimi i tij ishte i menjëhershëm.
“I thashë: ‘Prit këtu, duhet të bëj pesë telefonata të shpejta.’ Ajo më pyeti: ‘Pesë? Duhet të bësh pesë telefonata?’”, ka shkruar aktori në libër.
Douglas ka treguar se pesë gratë e dinin se ai ishte i ndarë dhe në proces divorci, ndërsa asnjëra nuk i kishte kërkuar një marrëdhënie ekskluzive. Megjithatë, sipas tij, ultimatumi i Catherines ndryshoi gjithçka.
“Atë ditë i telefonova secilës dhe u thashë se kisha takuar dikë dhe nuk do të mund të vazhdoja të takohesha me to. Të gjitha e pritën mirë. E dija se do të bëhesha babai i fëmijëve të tu”, ka shkruar ylli.
Douglas e kishte parë për herë të parë Catherinen në filmin “The Mask of Zorro”, ku ajo luante përkrah aktori të njohur Antonio Banderas. Ata u takuan më vonë në Festivalin Amerikan të Filmit në Deauville të Francës.
Douglas e përshkruan Catherinen si “të mençur, komike, të thjeshtë dhe jashtëzakonisht të bukur”, duke theksuar se ajo i dukej shumë e sigurt në vete.
Pas një darke së bashku, aktori ka treguar se e shoqëroi Catherinen deri te ashensori i hotelit dhe i tha: “Unë do të bëhem babai i fëmijëve të tu”.
“Nuk ishte një frazë për ta joshur. Ishte e vërteta”, ka shkruar ai.
Çifti u martua në New York në muajin nëntor të vitit 2000 dhe kanë dy fëmijë, Dylan dhe Carys. Michael ka edhe djalin Cameron nga martesa e parë.
Marrëdhënia mes Douglas dhe Zeta-Jones nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Në vitin 2013, çifti u nda përkohësisht, por më vonë u pajtua.
Duke folur së fundmi për martesën e tyre, Douglas ka thënë se pas më shumë se 25 vjetësh së bashku, lidhja e tyre është bërë më e thellë.
“Në një moment, me kalimin e viteve, ka diçka që nuk mund ta shpjegosh. Nuk bëhet më fjalë vetëm për tërheqjen ndaj dikujt. Është një lidhje e pashpjegueshme e afërsisë dhe... respektit të ndërsjellë”, ka shkruar ai.
Libri “One Helluva Ride” trajton jetën private të aktorit, familjen, varësinë, marrëdhëniet dhe karrierën e tij gjashtëdekadëshe në Hollywood. Douglas ka folur gjithashtu për babanë e tij të famshëm, Kirk Douglas, dhe për vështirësitë e rritjes nën hijen e një prej yjeve më të mëdhenj të kinemasë.
Michael Douglas u bë i njohur fillimisht për rolin në serialin “The Streets of San Francisco”, ndërsa më vonë u shndërrua në një nga aktorët më të mëdhenj të Hollywoodit me filma si “Fatal Attraction”, “Basic Instinct”, “Romancing the Stone” dhe “The American President”. Ai fitoi edhe çmimin “Oscar” për aktorin më të mirë për rolin e Gordon Gekko në “Wall Street”.