Ish-i fejuari i aktores Hayden Panettiere, Wladimir Klitschko, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si po trajtohen sendet dhe pasuria e saj pas vdekjes, ka shkruar KadınÖnce.
Aktorja e njohur për rolet në projektet filmike si “Heroes” dhe “Nashville’ vdiq më 16 gusht, në moshën 36-vjeçare, si pasojë e një mbidoze aksidentale. Panettiere dhe Klitschko kanë një vajzë 11-vjeçare, Kaya.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë në Kaliforni, Klitschko pretendon se një person jashtë familjes, i cili kishte lidhje me Panettiere, ka shitur disa prej sendeve të saj, mes tyre edhe stoli, në një dyqan pengjesh.
“Dyqani i pengjeve ka refuzuar të japë informacion të detajuar për sendet pa u kontaktuar nga autoritetet. Pa një ndërhyrje të tillë, ekziston një rrezik real dhe i vazhdueshëm që sendet e mbetura, përfshirë stolitë, të shiten, të transferohen ose të bëhen të pakthyeshme”, thuhet në dokumentet e gjykatës.
Klitschko ka kërkuar kujdestarinë e përkohshme të pasurisë së Panettieres në emër të vajzës së tyre, Kaya. Sipas ekipit të tij ligjor, kjo është e nevojshme për të mbrojtur pasurinë dhe për të ndihmuar autoritetet në hetimin dhe rikuperimin e sendeve të aktores.
Ai ka pretenduar gjithashtu se persona të caktuar kanë pasur qasje në emailet e Panettieres dhe i kanë fshirë ato.
Sipas dokumenteve, situata mund të jetë në dëm financiar të Kayas, e cila është trashëgimtarja e vetme ligjore e nënës së saj.
Hayden Panettiere dhe Wladimir Klitschko nisën lidhjen në vitin 2009. Pas një ndarjeje, ata u rikthyen bashkë në vitin 2013 dhe u fejuan po atë vit. Në vitin 2014 u bënë prindër të vajzës Kaya, ndërsa në vitin 2018 u ndanë përfundimisht.
Pavarësisht ndarjes, të dy ruajtën një marrëdhënie të afërt. Panettiere e kishte përshkruar ndarjen nga vajza e saj si “gjënë më të dhimbshme që më është dashur të bëj ndonjëherë”.
Vetëm tre muaj para vdekjes së saj, aktorja kishte folur me shumë dashuri për Klitschkon.
“Nuk janë shumë njerëz në këtë botë që më njohin aq mirë sa ai. Dhe e di që ende kemi shumë dashuri për njëri-tjetrin. Mbi të gjitha, kemi një respekt të jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin”, pati thënë ajo.
Pas vdekjes së Panettieres, Klitschko e përshkroi atë si një pjesë të rëndësishme të jetës së tij dhe të vajzës së tyre.
“Për vajzën tonë Kaya, do të flas gjithmonë për nënën e saj me respekt dhe do të kujdesem që ajo ta kujtojë për atë që ishte. Njerëz të rinj dhe të talentuar si Hayden nuk duhet të largohen nga kjo botë kaq shpejt”, u shpreh ai.