Dy koncerte të reperit Kanye West, i njohur edhe si Ye, në Rusi janë anuluar zyrtarisht.
West pritej të performonte në stadiumin Gazprom Arena në Shën Petersburg më 10 dhe 11 tetor.
Megjithatë, para koncerteve kishte pasur paqartësi, pasi vetë administrata e stadiumit ka deklaruar se nuk do ta priste reperin. Koncertet do të ishin shfaqjet më të mëdha të një artisti perëndimor në Rusi që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram, “Say Agency”, që ka qenë organiztaore e koncerteve, ka konfirmuar anulimin e tyre, duke shprehur “keqardhje të sinqertë”.
“Koncertet e Ye në Shën Petersburg nuk do të mund të zhvillohen në datat e planifikuara”, shkroi agjencia me bazë në Moskë, BBC bildirdi.
“Do të publikojmë së shpejti një deklaratë zyrtare lidhur me statusin e këtij projekti dhe planet tona”, thuhet në deklaratë.
Në gusht “Gazprom Arena” bëri të ditur se nuk ka lidhur marrëveshje për dhënien me qira të stadiumit me organizatorët e koncertit dhe për këtë arsye, koncerti nuk mund të zhvillohej aty.
“Say Agency” pati deklaruar se po punonte për zgjidhjen e çështjes me drejtuesit e stadiumit, përpara se të konfirmonte se koncerti nuk mund të mbahej.
Stadiumi njoftoi gjithashtu se ka marrë ankesa lidhur me performancën e West.
Kohët e fundit, West ka kërkuar falje për një sërë komentesh antisemitike dhe pro-naziste që ka bërë në të kaluarën. Ai ka thënë se si pasojë e çrregullimit bipolar, kishte “humbur kontaktin me realitetin”.
Rusia u pushtua nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të vendit ishte ndër personat që kritikuan koncertet e planifikuara.
Maria Zakharova i cilësoi ato si të papranueshme, duke iu referuar “glorifikimit” të Hitlerit nga West.
Në vitin 2025, West nisi të shiste bluza me svastikë dhe publikoi një këngë me titull “Heil Hitler”, e cila është ndaluar në disa platforma.
Blogerë rusë që mbështesin luftën ngritën gjithashtu pikëpyetje nëse Rusia duhet të mirëpriste një artist amerikan, ndërkohë që SHBA-ja po ofronte mbështetje financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
West ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë publike lidhur me anulimin.
Koncerti i tij i parë i madh në SHBA pas më shumë se pesë vjetësh u mbajt në Los Angeles në prill. Që atëherë, ai ka performuar edhe në vende të tjera, përfshirë Spanjën, Portugalinë dhe Holandën.
Megjithatë, koncertet në Rusi nuk janë të vetmet shfaqje të West që janë anuluar.
Verën e kaluar, West ishte planifikuar të ishte artisti kryesor në festivalin Wireless në Londër, por iu ndalua hyrja në Mbretërinë e Bashkuar, duke bërë që organizatorët të anulonin të gjithë aktivitetin.
Edhe koncertet e West në Poloni, Itali dhe Francë janë anuluar.