Aktori amerikan, John Malkovich, ka anuluar pjesëmarrjen në shfaqjen “The Music Critic”, e cila ishte planifikuar të mbahej në Tel Aviv më 13 prill të vitit të ardhshëm.
Vendimi erdhi pasi një kompani PR e angazhuar nga promovuesi izraelit publikoi një deklaratë me citate të atribuuara Malkovichit, pa e konsultuar atë, ka shkruar Guardian.
Në njoftimin për media thuhej se 72-vjeçari ishte “i emocionuar të rikthehej në Izrael” dhe se mezi priste “të takohej sërish me publikun e ngrohtë izraelit, ndaj të cilit ndiej një afërsi dhe solidaritet të fortë”.
Malkovich ka thënë se i kishte parë këto deklarata në media dhe mohoi se i kishte thënë apo miratuar ndonjëherë ato.
“Unë nuk i kam thënë këto fraza dhe ato sigurisht që nuk janë miratuar nga unë dhe as nuk pasqyrojnë ndjenjat e mia. Fakti që janë publikuar si citate të drejtpërdrejta nga unë është i papranueshëm dhe i paqëndrueshëm. Për këtë arsye, kam vendosur të mos marr pjesë në shfaqjen në Tel Aviv”, ka deklaruar aktori.
Kompania PR pranoi gabimin dhe kërkoi falje, duke sqaruar se Malkovich “nuk e ka bërë, dhënë, autorizuar apo miratuar këtë deklaratë, dhe as përfaqësuesit e tij nuk e kanë miratuar atë”.
Në deklaratën e tij, aktori u distancua gjithashtu nga çdo interpretim se një paraqitje e tij në një vend nënkupton mbështetje për politikat e atij shteti.
“Pjesëmarrja ime në cilindo vend, edhe në vendin tim, nuk përbën miratim të politikave apo veprimeve të atij vendi, as të udhëheqësve të tij, të zgjedhur apo jo. Pjesëmarrjet e mia nuk nënkuptojnë as mbështetje apo ‘solidaritet’ me ndonjë kauzë të caktuar politike, vrasjen e të pafajshmëve, aktet e terrorizmit apo çfarëdo forme tjetër barbarie”, ka shkruar ai.
Malkovich e ka vizituar për herë të fundit Izraelin në vitin 2013, kur interpretoi në skenë në projektin filmik “The Infernal Comedy: Confessions of a Serial Killer”. Një vit më parë, ai kishte qenë i ftuar nderi në Festivalin e Filmit në Jerusalem.
Aktori pritet të jetë ndër pretendentët kryesorë për nominim në “Oscar” për rolin e tij në filmin “Wild Horse Nine”, ku luan një agjent të CIA-s të sëmurë për vdekje.
Në fund të deklaratës, Malkovich ka theksuar rëndësinë e pëlqimit të tij për çdo deklaratë që i atribuohet.
“Vetëm dramaturgët, romancierët dhe skenaristët mund të më vënë fjalë në gojë, madje edhe ata vetëm në shërbim të rrëfimit. Askush tjetër nuk duhet ta bëjë këtë pa pëlqimin tim dhe pa u përballur me pasojat”, ka thënë ai.