Artistja Jennifer Lopez dhe aktori Brett Goldstein dyshohet se kanë kaluar nga kimia në ekran drejt një afrimiteti edhe në jetën private. Sipas një burimi të cituar nga Page Six, dy aktorët po njihen me njëri-tjetrin, por marrëdhënia e tyre aktualisht është e lirshme dhe pa angazhime serioze.

Lopez, 57 vjeçe, dhe Goldstein, 46 vjeç, u njohën gjatë xhirimeve të filmit të Netflixit “Office Romance”, të publikuar në vitin 2026. Ata u panë së bashku në një festë të organizuar në Los Angeles më 16 tetor, ku, sipas raportimeve, mbërritën dhe u larguan me të njëjtën makinë, por hynë veçmas në ambientet e festës.
Burimi ka thënë se të dyve u pëlqen të frekuentojnë festa dhe restorante, duke shtuar me ironi se kjo e dallon Goldstein nga ish-bashkëshorti i Lopezit, Ben Affleck, i cili, sipas tij, shpesh dukej i pakënaqur kur dilnin së bashku.

Thashethemet për një lidhje mes Lopez dhe Goldstein nuk janë të reja.
Gjatë verës, Page Six raportoi se mes tyre kishte pasur afrimitet gjatë xhirimeve të filmit, ndonëse në sheshin e xhirimit ishin përpjekur të ruanin profesionalizmin.
Madje, në muajin tetor, gjatë një interviste në emisionin “Watch What Happens Live” të Andy Cohen, Lopez foli me superlativa për kolegun e saj në film.
“Sapo bëra një film me Brett Goldstein dhe do të thosha se ai puthë më së miri”, deklaroi këngëtarja, duke nxitur edhe më shumë spekulimet për marrëdhënien e tyre.

Nga ana tjetër, Goldstein e ka admiruar prej kohësh Lopezin. Në një episod të podcastit të tij “Films To Be Buried With”, në vitin 2019, ai kishte shprehur hapur pëlqimin për të, duke reaguar me entuziazëm ndaj moshës dhe paraqitjes së saj.
Megjithatë, të dy i kanë mohuar më parë zërat për një lidhje romantike. Gjatë një interviste në emisionin “Today”, teksa promovonin filmin e tyre, Lopez u shpreh se njerëzit përpiqen ta lidhin romantikisht me pothuajse çdo person me të cilin shfaqet ose punon.

Kur moderatorja Savannah Guthrie i pyeti drejtpërdrejt nëse ishin çift në jetën reale, Lopez u përgjigj: “Jo, nuk jemi në lidhje”, ndërsa Goldstein e konfirmoi përgjigjen e saj.
Deri më tani, përfaqësuesit e dy aktorëve nuk kanë dhënë asnjë koment për raportimet e fundit.

Kujtojmë se Jennifer Lopez bëri kërkesë për divorc nga Ben Affleck në gusht të vitit 2024, pas dy vjetësh martesë. Ndërsa për Goldstein, lidhja e vetme e njohur publikisht ka qenë ajo me aktoren Beth Rylance, në vitin 2021.