Aktorja e njohur, Gal Gadot ka folur hapur për sfidat e mëmësisë, duke thënë se të qenit nënë e katër vajzave është një nga përgjegjësitë më të mëdha në jetën e saj, ka shkruar KadınÖnce.
Gadot, e njohur për rolin e Wonder Woman, ka katër vajza me bashkëshortin Jaron Varsano: Alma, 14 vjeçe, Maya, 9, Daniella, 5 dhe Ori, 2.
“Kur familja ime është në rregull, ndihem sikur jam e pathyeshme. Të rrisësh katër vajza është shumë, mes orareve, shkollave dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me to. Kur në shtëpi ka lumturi dhe gjithçka shkon mirë, ndihem sikur kam bërë atë që duhet. Të qenit nënë është superfuqia ime”, tha aktorja.
Gadot ka luajtur së fundmi në filmin aksion “The Runner”, ku interpreton një avokate që përpiqet të shpëtojë djalin e saj të rrëmbyer. Për këtë rol, ajo iu nënshtrua një përgatitjeje intensive fizike.
“Ky rol ishte shumë më intensiv dhe kërkoi shumë më tepër nga unë, sepse ishte një aftësi që nuk e kisha”, ka treguar ajo.
Sipas saj, një nga sfidat më të mëdha ishte vrapimi.
“Unë nuk kam qenë kurrë vrapuese. E urrej vrapimin”, ka thënë ajo me humor.
Për nëntë muaj ajo punoi me trajnerë të ndryshëm për të mësuar teknikën për të përballur skenat e shumta të vrapimit.
Ndërkohë, aktorja ka treguar se dëshiron të udhëtojë më shumë me familjen e saj.
“Nuk kërkoj shumë. Dua vetëm që të gjithë të jemi të shëndetshëm. Ndoshta të udhëtojmë më shumë, jo për punë, por si familje, të eksplorojmë botën dhe të zbulojmë vende të reja. Nuk kërkoj asgjë tjetër, vetëm shëndet për të gjithë ne”, është shprehur Gadot.