TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
bölge

Sırp hükümeti Vučić'ten Meclisi feshetmesini istedi.

Kuvend - Serbi

Qeveria e Serbisë ka miratuar propozimin e kryeministrit Gjuro Macut që të kërkojë nga presidenti Aleksandar Vuçiq  ta shpërndajë Kuvendin, procedurë kjo që i paraprinë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kërkesa u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Qeverisë, raporton “RTS”. 

Macut tha se zgjedhjet janë mundësi për t’i forcuar institucionet, për t’i ulur tensionet dhe për të hedhur poshtë politikën e përjashtimit, si dhe për ta kthyer luftën politike nga rrugët në institucione.

Macut tha se deri në zgjedhjen e qeverisë së re, “qeveria në këtë përbërje do të vazhdojë që me të njëjtën energji, përgjegjësi dhe në të njëjtin ritëm t’i kryejë detyrat e saj, t’i realizojë objektivat e përcaktuara dhe të kontribuojë në përparimin e mëtejshëm të Serbisë”.

Propozimi për shpërndarjen e Kuvendit është procedura që duhet të përmbushet për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më herët se zgjedhjet parlamentare do t’i shpallë më së voni më 9 ose 10 shtator, ndërsa ato do të mbahen më 18 ose 25 tetor.

Presidenti duhet ta nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Parlamentit brenda 72 orësh.

Zgjedhje të parakohshme kërkojnë që nga maji i vitit 2025 studentët që mbajnë të bllokuara fakultetet dhe që për muaj me radhë kanë udhëhequr protesta kundër Qeverisë.

Në këto protesta është kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 njerëzve në një incident në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit 2024.

Përfaqësuesit e pushtetit kanë paralajmëruar disa herë shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa presidenti Vuçiq ka deklaruar gjithashtu se do të tërhiqet nga posti i presidentit para përfundimit të mandatit të tij në prill të vitit 2027.

Zgjedhjet e mëparshme parlamentare u mbajtën në dhjetor të vitit 2023. Ato u përcollën me pretendime nga opozita, organizatat joqeveritare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për parregullsi serioze, presion ndaj votuesve, keqpërdorim të burimeve publike dhe përdorim të funksioneve publike për qëllime të fushatës.

Ndërsa pushteti pretendon se kushtet zgjedhore janë përmirësuar që atëherë në përputhje me rekomandimet e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), disa organizata vendëse vlerësojnë se problemet kryesore nuk janë zgjidhur.

Zgjedhjet e fundit lokale, të mbajtura në mars të vitit 2026 në 10 komuna të Serbisë, u përcollën me incidente, përleshje fizike, prani të policisë në rrugë dhe akuza për parregullsi të shumta.

Misioni vëzhgues i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës tha se anëtarët e delegacionit të tij kishin qenë dëshmitarë të dhunës në pothuajse të gjitha komunat që kishin vizituar gjatë zgjedhjeve lokale.

Në të njëjtën kohë, OSBE-ja regjistroi një nivel “të paprecedent” të sulmeve ndaj gazetarëve.
Partia Progresive Serbe në pushtet shpalli fitore në të 10 komunat dhe hodhi poshtë të gjitha kritikat dhe akuzat për parregullsi.