TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
bölge

AB: Mladic'in cenazesi devlet töreniyle yapılmadı.

Mladiç

Bashkimi Evropian në ditën e varrimit të kriminelit Ratko Mlladiq ka përsëritur thirrjet që të mos ketë glorifikim të krimineleve të luftës dhe mohim të gjenocidit, por të gjithë të fokusohen në nderimin e viktimave dhe në pajtimin në rajon. 

Por në reagimin e Komisionit Evropian, e habitshme ishte pohimi se ata këtë varrim nuk e shohin si një funeral me nderime shtetërore. Këtë e tha Paula Pinho, zëdhënëse e Komisionit Evropian. 

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Nuk ka vend për glorifikimin e kriminelëve të luftës apo të atyre që mohojnë gjenocidin, ose të atyre që bien ndesh me vlerat më themelore evropiane. Fakti është se ne kishim dëgjuar se ishte planifikuar një varrim me nderime shtetërore dhe kjo nuk ka ndodhur. Kështu që, ju lë juve të gjykoni për rëndësinë e qëndrimit tonë për këtë çështje”, ka thënë zëdhënësja Pinho. 

Gazetarët insistuam në konferencën për shtyp të hënën, që të sqarohet se si kanë ardhur në konkludim se ky nuk ishte varrim me nderime shtetërore kur nderimet i bëri ushtria e shtetit, komandant i të cilëve është presidenti i shtetit dhe aty ishin edhe ministra nga qeveria. Po ashtu gazetarët pyeten se a do të ketë pasoja për këtë sjellje të Serbisë. Por përgjigja ishte shumë e paqartë.

“Siç thashë, ne e kemi bërë shumë, shumë të qartë qëndrimin tonë edhe për autoritetet serbe. Se çfarë do të jenë hapat pasues, dhe nëse do të ketë të tillë, do ta shohim”, ka thënë ajo. 

Jozyrtarisht në BE kanë thënë se në kontaktet e ditëve të fundit me zyrtarët e Serbisë u është bërë e qartë se do të ketë pasoja për sjelljen e tyre ndaj kriminelit Mladiq, por nuk thanë se cilat do të jenë pasojat. Ndër to nuk përjashtohet as mundësia e anulimit të vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der leyen në Serbi muajin e ardhshëm, kur është planifikuar një turne i saj në vendet e rajonit.