TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
Görüş

Sırbistan'da bile fazla yankı uyandırmayan "tarihi" konuşma

Ndoshta për pushtetin autoritar serb kjo është një mbrojtje "e shkëlqyer" e Serbisë në Nju Jork, por ajo që nuk dëshirojnë ta pranojnë janë kritikat jashtëzakonisht të ashpra që iu drejtuan Vuçiqit nga partitë demokratike evropiane për shkak të retorikës së tij nxitëse. Njëkohësisht u vlerësua se fjalët e tij të shqiptuara në OKB, me të cilat e akuzoi Kroacinë se glorifikon të kaluarën naziste, nuk kontribuojnë në pajtim, por nxisin armiqësi ndërmjet fqinjëve, rindezin ndarjet dhe hapin plagët e vjetra

Debati i përgjithshëm i sesionit të 81-të zgjati nga 22 deri më 28 shtator 2026. Vëmendje të veçantë të opinionit rajonal, të mërkurën më 23 shtator, tërhoqën pjesët nxitëse të fjalimit të fundit të Aleksandar Vuçiqit në cilësinë e presidentit të Serbisë. 

Përfundimi kryesor është se paraqitja e ashpër, jo edhe aq befasuese, e tashmë ish-presidentit të shtetit serb para Asamblesë së Përgjithshme më 23 shtator, ishte e dedikuar ekskluzivisht për politikën e brendshme, në një atmosferë të tensionuar parazgjedhore. 

Ndër epitetet me të cilat është cilësuar fjalimi i tij përmenden fjalë si "antiperëndimor", "agresiv" dhe "tejet akuzues ndaj Kosovës", si dhe pothuajse armiqësor ndaj Kroacisë. Paraqitja skandaloze e Vuçiqit nuk ishte vetëm shpalosje e pretendimeve të rreme, por një agresion i menduar politik dhe propagandë dashakeqe. 

Një vend të veçantë në fjalimin e tij, siç edhe mund të pritej, sërish zuri çështja e Republikës së Kosovës. 

Duke iu drejtuar debatit të përgjithshëm nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ai deklaroi se Beogradi i kishte përmbushur të gjitha obligimet e marra me Marrëveshjen e Brukselit, ndërsa pala shqiptare nuk e kishte zbatuar obligimin e saj kryesor – formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Ai paralajmëroi se as nënshkrimi i BE-së, si ndërmjetësuese dhe garantuese e marrëveshjes, nuk kishte qenë i mjaftueshëm që ajo që ishte nënshkruar të zbatohej në të vërtetë. 

Në këtë kontekst, duke iu drejtuar përfaqësuesve të Jugut Global, Vuçiq u bëri thirrje që të jenë të kujdesshëm gjatë lidhjes së marrëveshjeve me fuqitë e mëdha. 

Ai vazhdoi duke thënë se Serbia e kishte pranuar Marrëveshjen e Brukselit me qëllim të zgjidhjes së konflikteve dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë, por se pala tjetër nuk e kishte përmbushur obligimin e saj. Sipas tij, edhe pas më shumë se një dekade, gjashtë pikat e para nga gjithsej 15 pikat e marrëveshjes kanë të bëjnë pikërisht me themelimin dhe kompetencat e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Ish-presidenti serb theksoi se Serbia tashmë prej 10 vjetësh po përballet, sipas tij, me truke të ndryshme, qëllimi i të cilave është që Beogradi të heqë dorë nga zbatimi i plotë i asaj që është dakorduar. 

Sipas fjalëve të tij, përvoja me Marrëveshjen e Brukselit përbën një mësim serioz, jo vetëm për popullin serb, por edhe për të gjitha shtetet që duan të mbrojnë pavarësinë dhe interesat e tyre kombëtare. 

Vuçiq përfundoi se Serbia, pavarësisht të gjitha presioneve dhe premtimeve të papërmbushura, nuk do të heqë dorë nga mbrojtja e tërësisë së saj territoriale. Ai deklaroi se shteti do të vazhdojë të mbështetet në Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke "ruajtur Kosovën dhe Metohinë" dhe duke insistuar në zbatimin e obligimeve që BE-ja i kishte pranuar dhe garantuar me marrëveshje. 

Të frymëzuar nga fjalimi "historik", pasuan edhe komente të shumta nacionaliste dhe të frymës së Serbisë së Madhe, si për shembull pretendimet se "Gjermania dhe Franca janë okupatorë të NATO-s në Kosovën dhe Metohinë serbe" dhe se ato e kishin formuar "UÇK-në terroriste", "bandën kriminale, të vetëshpallur, këtë përbindësh shtetëror frankenshtajn NATO-'shqiptar' në një pjesë të Serbisë së okupuar", duke kërkuar liri për popullin e "okupuar" dhe tokën "serbe". 

Pas fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq, ashtu siç kishte paralajmëruar para nisjes për në Nju Jork, dha dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, pas pothuajse nëntë vjet e gjysmë në këtë funksion. 

Duke u përshëndetur me mbështetësit e tij në kampin me tenda të njohur si "Ćaciland", i cili u krijua si simbol i "rezistencës" ndaj protestave studentore, ai deklaroi se pasardhësi i tij do të duhej t'i ruante interesat kombëtare të Serbisë dhe interesat e popullit serb në Kosovë dhe "Metohi", duke shtuar se "secili do të duhet t'i kundërvihet heqjes dorë nga Kosova". 

Edhe pse fjalimi në OKB i ish-presidentit Vuçiq u paraqit si historik, me një prapavijë të qartë parazgjedhore, ai, ende i etur për pushtet, nuk pati jehonë të madhe as në vetë Serbinë. 

Dhe është vërtet patetike se deri në çfarë mase pushteti propagandistik përpiqet që çdo hap të ish-presidentit të tij ta paraqesë si një fitore të madhe të "diplomacisë së Instagramit". Shembulli më i dukshëm ishte përshëndetja kalimtare, e jo takimi, me Ursula von der Leyen, gjë që përbën më shumë një siklet diplomatik sesa një sukses. 

Ndoshta për pushtetin autoritar serb kjo është një mbrojtje "e shkëlqyer" e Serbisë në Nju Jork, por ajo që nuk dëshirojnë ta pranojnë janë kritikat jashtëzakonisht të ashpra që iu drejtuan Vuçiqit nga partitë demokratike evropiane për shkak të retorikës së tij nxitëse. 

Njëkohësisht u vlerësua se fjalët e tij të shqiptuara në OKB, me të cilat e akuzoi Kroacinë se glorifikon të kaluarën naziste, nuk kontribuojnë në pajtim, por nxisin armiqësi ndërmjet fqinjëve, rindezin ndarjet dhe hapin plagët e vjetra. 

Dhe të gjitha këto i tha vetëm për veten e tij, që të sundonte përjetësisht, duke harruar edhe diçka nga më të rëndësishmet:

"NON NOBI SOLUM NATI SUMUS"
"Nuk kemi lindur vetëm për veten tonë."

(Yazar bir gazeteci ve siyasi analisttir.)