TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
askeri

Kosova Judo Sporcuları Dünya Kupası Sona Erdi

judo

Me luftën e Shpati Zekajt, të zhvilluar të premten paradite, ka përfunduar paraqitja e Kosovës në Kampionatin Botëror të xhudos në Baku të Azerbajxhanit.

Kosova mori pjesë me katër xhudistë, ndërsa asnjëri prej tyre nuk i është afruar zonës së medaljeve.

Ky në fakt është pritur të jetë Botërori më sfidues për Kosovën në dekadën e fundit. Dhe kështu edhe doli. Sportistja bindshëm më e mirë në vend dhe favoritja për medalje botërore, Distria Krasniqi, mungoi në ngjarjen globale për shkak të një lëndimi. Dhe mungesa e saj është vërejtur, ndër të tjera edhe duke rritur presionin te xhudistët e tjerë. Presion që këtë herë nuk e përballuan si duhet nxënësit e kryemjeshtrit Driton Kuka, me gjithë përvojën që kanë.

Paraqitjen më të mirë e kishte Dardan Cena. Ai i shënoi dy fitore në kategorinë deri 73 kilogramë. Mposhti fillimisht irlandezin Joshua Green e më pas legjendën gjeorgjiane të xhudos, Lasha Shavdatuashvili. Por në luftën e tretë Cena pësoi nga italiani Leandro Valeriani. Dy fitoret megjithatë pritet t’i shërbejnë shumë Dardanit për ngritje të mëtejme në karrierë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë garoi edhe Akil Gjakova. Ai e kishte përballë kampionin olimpik në fuqi, Hidayat Heydarovin e Azerbajxhanit. Dhe Gjakova u eliminua në luftën e parë.

Herët u ndal edhe Laura Fazliu, ndonëse shpresohej se ajo do të fitonte medalje. Për më tepër, Laura nisi furishëm garën në kategorinë deri në 63 kilogramë. E mposhti bindshëm gjermanen Sara-Joy Bauer. Pritej të vazhdonte njëjtë edhe në luftën e dytë, por e befasoi mongolja Enkhriilen Lkhagvatogoo. Ajo fitoi me “Ippon” pas vetëm 23 sekondave. Dhe një humbje kaq e shpejtë është jotipike për xhudistet kosovare, që dëshmon se Laura nuk e kishte fokusin e duhur.

Të premten Shpati Zekaj u ndal në luftën e parë nga moldavi Vadim Ghimbovschi, në kategorinë deri në 100 kilogramë. Shpati humbi me uazari të pësuar herët në luftë.

Vjet Kosova fitoi medalje të argjendtë botërore me Distria Krasniqin dhe të bronztë me Laura Fazliun. Në vitin 2024, të bronztë kishte Laura Fazliu. Viti 2023 ishte i fundit kur Kosova nuk fitoi medalje në Kampionat Botëror. Por kishte vend të pestë me Distria Krasniqin dhe vende të shtata me Nora Gjakovën dhe Laura Fazliun.

Në Kampionate Botërore për seniorë, Kosova i ka plot dhjetë medalje. Majlinda Kelmendi ka dy të arta e një të bronztë. Distria Krasniqi ka të argjendtë e dy të bronzta. Laura Fazliu i ka dy të bronzta, ndërsa Loriana Kuka e Nora Gjakova nga një të bronztë.

Mbetja pa medalje në Botërorin në Baku, do t’i shërbejë ekipit të Kosovës në xhudo për përkushtim edhe më të madh në rrugën drejt Lojërave Olimpike “Los Angeles 2028”. Kryemjeshtri Kuka veçohet, ndër të tjera, që nxjerr më të mirën nga xhudistët në momentin më të rëndësishëm. Pesë medaljet olimpike, prej tyre tri të arta, e dëshmojnë këtë.

Ekipi i Kosovës në xhudo vazhdon të jetë i vogël në numër. Por jo edhe sa i takon veprës së tij. Me gjithë numrin e vogël të xhudistëve elitarë dhe procesin e ndërrimit të gjeneratës, kthimi në podium për ngjarjet e mëdha është i sigurt. Puna që e bënë trajneri Kuka dhe nxënësit e tij garanton këtë. Frytet e punës nuk u panë në kryeqendrën e Azerbajxhanit këtë herë, por do të shfaqen në ngjarje të tjera të mëdha.