Një studim i ri sugjeron se personat që ecin më shumë kanë rezultate më të mira në disa aftësi njohëse, përfshirë përqendrimin, marrjen e vendimeve dhe kontrollin e shpërqendrimit.
Studiuesit nga Kolegji i Mjekësisë Baylor në Houston të SHBA-së, analizuan të dhënat e 3.093 personave të moshës 18 deri në 93 vjeç, të mbledhura gjatë periudhës 2009-2023. Numri i hapave u mat përmes pajisjeve Fitbit, në vend që të mbështetej vetëm te kujtesa e pjesëmarrësve, ka shkruar New York Post.
Pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe sipas aktivitetit fizik: 5.108 hapa në ditë - grupi më pak aktiv, 8.875 hapa në ditë - grupi me aktivitet të moderuar dhe 14.161 hapa në ditë - grupi më aktiv.
Rezultatet treguan se dy grupet më aktive performuan më mirë në disa teste që matnin aftësinë për të ruajtur përqendrimin, për të shmangur shpërqendrimet dhe për të kontrolluar vendimet impulsive.
Megjithatë, grupi që ecte më shumë nuk doli më mirë në çdo test. Grupi me aktivitet të moderuar shënoi rezultatet më të mira në testin që vlerësonte aftësinë për të injoruar shpërqendrimet.
Studiuesit vunë re gjithashtu se çdo 1.000 hapa shtesë në ditë, me ritëm të moderuar, lidheshin me rezultate më të mira në disa prej këtyre aftësive.
Studimi ka shqyrtuar edhe lidhjen mes aktivitetit fizik, tensionit të gjakut dhe funksioneve njohëse.
Personat me presion sistolik më të lartë të gjakut, pra vlerën e sipërme të matjes së tensionit, kishin rezultate pak më të dobëta në testet që lidhen me kontrollin e impulseve dhe marrjen e vendimeve.
Megjithatë, tensioni i gjakut shpjegonte vetëm një pjesë të vogël të lidhjes mes aktivitetit fizik dhe këtyre aftësive.
A do të thotë se ecja parandalon dobësimin e kujtesës?
Jo domosdoshmërisht. Studiuesit theksojnë se rezultatet tregojnë një lidhje mes aktivitetit fizik dhe performancës njohëse, por nuk provojnë se ecja është shkaku i drejtpërdrejtë i përmirësimit.
Testet njohëse u kryen vetëm një herë, ndaj studiuesit nuk mund të përcaktonin nëse ecja ndihmon në parandalimin e rënies së aftësive mendore me kalimin e viteve.
Gjithashtu, shumica e pjesëmarrësve kishin arsim të lartë ose të pjesshëm universitar dhe sigurim shëndetësor, çka kufizon mundësinë për t’i përgjithësuar rezultatet te e gjithë popullata.
Studimi mbështet idenë se aktiviteti fizik i rregullt mund të jetë i dobishëm jo vetëm për zemrën, por edhe për disa aftësi të trurit.
Nuk ka një numër të vetëm hapash që garanton përmirësimin e kujtesës apo përqendrimit për të gjithë. Megjithatë, ecja e përditshme dhe rritja graduale e aktivitetit fizik janë një mënyrë praktike për të përmirësuar shëndetin e përgjithshëm.