Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtinë, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me gjendjen financiare në Ndërmarrjen Publike Banesore. Zyrtarë të kësaj partie i kanë quajtur gënjeshtra akuzat e Ramës lidhur me borxhin e Ndërmarrjes Publike Banesore. Përplasjet Rama – VV janë nxitur pas vendimit të gjykatës që NPB-ja t’ua paguajë tri kompanive private rreth 32 milionë euro në emër të fitimit të humbur
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë përmes një konference për media të dielën ka reaguar ndaj deklarimeve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me borxhin e Ndërmarrjes Publike Banesore.
Egzon Azemi, nga Lëvizja Vetëvendosje i ka quajtur gënjeshtra akuzat e kryetarit Ramën të bëra një ditë më parë.
Ai ka thënë se Rama është përpjekur ta bëjë fajtore LVV-në dhe Qeverinë për gjendjen në NPB, me të cilën menaxhon komuna.
“Komuna e Prishtinës e drejtuar nga Përparim Rama dje bashkë me Besian Musmuratin dhe Florian Dushin u përpoqën t’ia shpallin fajtorin Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisjes për gjendjen në Ndërmarrjen Publike Banesore. Kjo ndodh kur vetëbesimi rritet artificialisht, mandej edhe gënjejnë pa pikë turpi. Sepse dihet qartë që Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë proces që nga dita e parë”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, VV-ja ka kohë që ka paralajmëruar për dëmin që mund t’i shkaktohej NPB-së.
Por, sipas tij, VV-ja në Kuvendin Komunal është bllokuar vazhdimisht nga PDK-ja, LDK-ja e Aleanca.
“Që nga viti 2018 kemi paralajmëruar se drejtorët e shpenzimeve po falsifikojnë dokumente dhe Ndërmarrja Publike Banesore është në rrezik. Pra është e vetmja Lëvizja Vetëvendosje e cila ka reaguar vazhdimisht për rrezikun që po i kanoset Ndërmarrjes Publike Banesore. Në vitin 2021 përsëri është Lëvizja Vetëvendosje e para dhe e vetmja që ka reaguar kundër projektit kriminal që tentohej të zhvillohej në Lakrishtë dhe kemi thirrur konferencë më 26 qershor të vitit 2021”, ka thënë ai.
Azemi'ye göre Rama, NPB'yi korumak için tek bir adım bile atmadı.
E asamblisti, Çlirim Gërbeshi, ka thënë se ish-kryetari Shpend Ahmeti së bashku me PDK-në dhe LDK-në janë fajtorë për këtë gjendje të ndërmarrjes.
“Shpendi bashkë me PDK-në e LDK-në e kanë çuar këtë ndërmarrje drejt falimentimit, kurse sot tek po flasim, me këtë ndërmarrje udhëheq Partia Demokratike e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithmonë në mbrojtje të secilës ndërmarrje, parasë së qytetarit e secilës pronë publike. Nuk ka pasur dhe asnjëherë nuk do të ketë kompromis me këto tema”, ka thënë asamblisti i VV-së.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka bërë përgjegjëse qeverinë në detyrë që udhëhiqet nga VV-ja për bllokimin e llogarive të Ndërmarrjes Publike Banesore.
Kjo ndërmarrje nga Gjykata Komerciale është e obliguar që tri kompanive t’u paguajë 32 milionë euro, në emër të fitimit të humbur. Rama ka thënë se atë kontratë e ka nënshkruar qeverisja para tij.
Në vitin 2021, Ndërmarrja Publike Banesore hyri në një marrëveshje bashkinvestimi me tri kompani private për zhvillimin e një projekti banesor dhe afarist në parcelat e NPB-së në lagjen Lakrishte në Prishtinë.
Projekti parashihte ndërtimin e pesë objekteve, por nuk është realizuar dhe mosmarrëveshja mes palëve ka përfunduar në gjykatë.