Sindikata e Re e Punëtorëve të KEK-ut ka ngritur shqetësimin për sigurinë në vendin e punës, pas vdekjes së katër punëtorëve për një periudhë të shkurtër. Në një aksion simbolik para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, sindikalistët vendosën fotografitë e punëtorëve që kanë vdekur dhe kërkuan respektimin e Ligjit të Punës e përmirësimin e kushteve të sigurisë. Për të mërkurën, ata kanë paralajmëruar protestë në tre divizionet e ndërmarrjes.
Para zyrave të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë, Sindikata e Re e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje zhvilloi të martën një aksion simbolik.
Përfaqësues të sindikatës vendosën fotografitë e katër punëtorëve që kanë vdekur brenda pak më shumë se një muaji në vendin e punës, për të kundërshtuar, siç thanë, kushtet jo të mira të punës.
Përmes këtij aksioni, ata kërkuan kushte më të mira dhe më të sigurta për punëtorët.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka theksuar se punëtorët në Kosovë nuk kanë mbrojtjen e duhur ligjore.
“Kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe nga Korporata Energjetike e Kosovës që të respektohet Ligji i Punës, sepse pa respektimin e Ligjit të Punës, punëtori e humb të drejtën për të punuar dhe për të jetuar. Prandaj, kërkojmë që kjo vdekje të jetë e fundit dhe të mos përsëritet asnjëherë në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe në asnjë vend në Kosovë. Është e dhimbshme, është jashtëzakonisht e rëndë edhe për ne, punëtorët e Korporatës, por edhe për të gjitha familjet që po i humbin të dashurit e tyre nëpër vendet e punës. Ndoshta, me një menaxhim më të mirë dhe me një siguri më të madhe, sot ata do të ishin në mesin tonë”, tha Jashari.
Ndërsa, nënkryetari i Sindikatës, Nexhat Llumnica, deklaroi se kushtet e punës në KEK, janë shumë të rënda.
Ndërsa kritikoi kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës, për mosreagimin e tij ndaj rasteve të vdekjeve të punëtorëve në këtë ndërmarrje.
“Në KEK asnjëherë nuk mund të krijohen kushte pune ashtu siç kërkon punëtori, sepse natyra e punës është në vende të rrezikshme. Pavarësisht aplikimit të masave mbrojtëse, punëtorët e KEK-ut vazhdimisht rrezikohen gjatë procesit të prodhimit. Për këtë arsye, ne i kemi shpallur heronj, sepse të gjithë punëtorët e KEK-ut janë heronj dhe e bëjnë një punë më patriotike sesa kushtet që kanë. Me teknologjinë e vjetër që kemi, nuk do të kishte punuar askush dhe nuk do të kishte prodhim”, tha Llumnica.
Ayrıca
Özel taşıyıcılar Priştine'de trafiği engelledi
Sindikalistët kanë paralajmëruar protestë të mërkurën, duke filluar nga ora 08:00, në tre divizione të KEK-ut.
Për të tria rastet e vdekjeve në KEK, autoritetet kanë nisur hetimet dhe po trajtojnë rrethanat e aksidenteve.
Sipas një raporti të publikuar në qershor nga Instituti GAP, mosha mesatare e punëtorëve në KEK është 58 vjeç, ndërsa rreth 200 punëtorë pensionohen çdo vit. Prej tyre, rreth 19 për qind janë në grupmoshën 61 deri në 65 vjeç.
-
Gucati: 12 Eylül yürüyüşünü destekliyoruz, ancak VV'nin davet edildiği yerde bulunamayız.
-
PDK ve İttifak, Kurti'den hükümet binasını boşaltmasını ve parlamentoyu kurmasını istedi.
-
Eski muhalefet milletvekilleri kitap temininde yaşanan sorunlar hakkında endişelerini dile getirdi.
-
Kurti: Zubin-Potok'taki 23 ölü kalıntısı "aydınlar grubu"na karşılık geliyor.