TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
AKŞAM HABERLERİ

PDK ve Alliance, kurumların işlevselleştirilmesi çağrısında bulunuyor.

Pdk

Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë vazhduar edhe të hënën aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, e këtë herë janë mbështetur edhe nga përfaqësues të institucioneve lokale nga Skenderaj e Istogu, e që vijnë nga këto parti. 

Të pranishmit janë mbledhur në orët e mëngjesit para objektit të Qeverisë, duke kërkuar nga partia fituese e zgjedhjeve – LVV, që të marrë përgjegjësinë për funksionalizimin e institucioneve dhe vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Fadil Nura, nënkryetar i Skenderajt, tha se edhe autoriteteve lokale u takon, sipas tij, ta mbrojnë rendin kushtetues. 

“Sot do të dëshmojmë, në të njëjtën kohë të mbështesim fuqishëm deputetët që sot janë të pranishëm këtu dhe që janë vënë në mbrojtje të rendit kushtetues, në mbrojtje të demokracisë, e cila po vazhdon të cenohet, dhe ne vlerësojmë si autoritete lokale në këtë rast që jemi pjesë integrale e sistemit kushtetues, se institucionet e Kosovës janë të themeluara mbi sakrificën dhe gjakun e bijve më të mirë, dhe kemi obligim përtej bindjeve politike të mbrojmë institucionet tona, t’i ndërtojmë ato”, ka deklaruar Nura. 

Mbështetje deputetëve u dha edhe kryetari i degës së PDK-së në Istog, Ali Nimanaj.

“Jemi sot këtu për të dhënë mbështetjen tonë deputetëve në kauzën e tyre për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje mazhorancës dhe partisë e cila ka fituar zgjedhjet, që sa më parë të thërrasë seancën dhe të vazhdojë konstituimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të marrë përsipër punët dhe përgjegjësitë të cilat i takojnë dhe të ndikojë me punët e tyre, me projektet e tyre në përmirësimin e jetës së qytetarëve, sepse jeta në Kosovë është rënduar në aspektin ekonomik, social dhe pothuajse jeta është e padurueshme me këtë gjendje politike në të cilën ndodhet Republika e Kosovës”, është shprehur Nimani. 

E deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se kjo çështje u takon të gjithëve, përfshirë edhe qytetarëve. 

“Dhe kur cenohet kjo Kushtetutë dhe vetë shteti i Kosovës, atëherë neve na keni përballë, sepse kemi edhe ne përgjegjësi që të mbrojmë Kushtetutën, shtetin, sepse Partia Demokratike e Kosovës ka qenë shtetformuese dhe sigurisht na takon më shumë se kurrë që ta mbrojmë atë”, ka thënë Lushtaku. 

Deputetja nga Aleanca, Albana Bytyqi, po ashtu kërkoi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të vazhdojë sa më parë procesi i formimit të institucioneve.

“Kosova që dy vjet po përballet pa institucione dhe Kosova që dy vjet ka shumë shqetësime, sfida të cilat po i kalon dhe të cilat kërkojnë zgjidhje. Andaj, ne jemi këtu, duhet të shkojmë në parlament, këto probleme, këto sfida t’i zgjidhim atje ku është vendi, ku na ka dhënë besimin qytetari”, ka theksuar Bytyqi.

Kosova nuk ka Kuvend funksional dhe afati kushtetues për konstituimin e këtij institucioni ka kaluar që 24 ditë.