TIME'ı destekleyin. Gerçeği koruyun.
AKŞAM HABERLERİ

Suikast sonucu öldürülen polis memuru Riza için bir anıt dikildi ve adalet çağrısı yapıldı.

Laipidari

Në 19-vjetorin e vrasjes së zyrtarit policor, Triumf Riza, në lagjen “Dardania” në Prishtinë është zbuluar lapidari përkujtimor në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së tij. Në ceremoninë përkujtimore kanë marrë pjesë familjarë, kolegë e bashkëpunëtorë të Rizës, si dhe udhëheqës të institucioneve të sigurisë. Nga aty u është bërë thirrje që drejtësia për vrasjen e tij të jetë e plotë

Në vendin ku 19 vjet më parë ishte vrarë me armë zjarri polici Triumf Riza, të dielën është zbuluar lapidari përkujtimor.

Në ceremoninë përkujtimore në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së tij ishin të pranishëm kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, familjarë, miq e bashkëpunëtorë të tij.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili e ka përkujtuar Triumf Rizën si një zyrtar policor të përkushtuar ka kërkuar që drejtësia për vrasjen e tij të jetë e plotë.

“Sot, krah për krah kujtimit dhe dhimbjes për humbjen e tij, duhet të flasim edhe për nevojën që drejtësia për vrasjen e Triumf Rizës të jetë e plotë. Përgjegjësia duhet të shkojë drejt çdo personi që ka pasur rol në këtë vrasje, nga ekzekutori tek kushdo që mund të ketë urdhëruar, organizuar, ndihmuar apo mundësuar atë. Kujtimi i Triumfit të shërbejë si thirrje për institucione të forta, për drejtësi të paanshme dhe për përgjegjësi të plotë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë thënë se vrasja e Rizës ka zbuluar përmasat e një grupi kriminal që sfidonte rendin, ligjin dhe sigurinë e qytetarëve.

“Sot shënojmë 19-vjetorin e rënies së Triumfit në krye të detyrës, një vrasje e cila hoqi përfundimisht maskat e një grupi kriminelësh që sfidonin në çdo formë rendin, ligjin dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Për kolegët e tij dhe për të gjithë ata që e njohën, Triumfi ishte mishërim i guximit dhe i vendosmërisë. Me qëndrimin e tij, ai dëshmoi se Policia e Kosovës nuk tërhiqet dhe nuk bën kompromis me bandat e grupet kriminale, edhe atëherë kur mbrojtja e rendit dhe e ligjit kërkon sakrificën më të madhe”, ka thënë Sveçla.

Drejtori i Policisë, Hoxha, Rizën e ka quajtur hero.

“Sot jemi mbledhur në një ditë të veçantë, një ditë kujtimi, nderimi dhe respekti, për të përkujtuar 19-vjetorin e rënies së heroit Triumf Riza dhe për të zbuluar këtë lapidar që të mbetet një dëshmi e përhershme e sakrificës së jetës së tij. Triumf Riza ishte një pjesëtar i Policisë së Kosovës. Ai ishte një njeri që zgjodhi t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve, duke bartur uniformën me krenari, përgjegjësi dhe me dinjitet”, ka thënë Hoxha.

E babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza, ka falënderuar institucionet për nderimin e bërë ndaj djalit të tij, duke thënë se ky vlerësim ka zbutur dhimbjen e familjes.

“Ky është një nderim tepër i madh për familjen. Dhimbjen pamasë na e keni zbutur”, ka thënë ai. 

Zyrtari Policor Riza është vrarë më 30 gusht të vitit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë . 
Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burgim për vrasje.

E për nxitje në vrasje, në maj të 2024-tës është dënuar me 25 vjet burgim Enver Sekiraqa, që aktualisht është në arrati. 

Ky ishte verdikti i tretë ndaj Sekiraqës për këtë ngjarje, pasi rasti i tij dy herë ishte kthyer në rigjykim. Herën e parë më 2016, ishte dënuar me 37 vjet burgim, kurse më 2019 me 30 vjet burgim.

Ai ishte arratisur më 17 maj 2024, pas ndryshimit të masës së sigurisë, duke u liruar nga paraburgimi.